TAGS-AT E JAVËS

Politike23 Dhjetor 2024, 14:14

Plas debati te Konferenca e Kryetarëve, Zhupa-socialistëve: Kushtetuesja i lejon Komisionet Hetimore!

Shkruar nga Pamfleti

Plas debati te Konferenca e Kryetarëve, Zhupa-socialistëve:

Deputetja e Partisë Demokratike Ina Zhupa kundërshtoi argumentet e PS në Konferencën e Kryetarëve se Komisioni Hetimor për Portin e Durrësit s’mund të ngrihet për shkak se çështja ndodhet në Kushtetuese.

Së bashku me kreun e grupit, Gazment Bardhi, ajo u shpreh se Kushtetuta përcakton ngritjen e Komisioneve.

“Po harxhoni një kohë që nuk është produktive, ju s’keni asnjë të drejtë të rrëzoni një komision hetimor, sepse keni detyrimin që i jep Kushtetuta, Neni 77 e thotë qartë. Argumenti i Z. Balla, i cili në fakt është në konflikt interesi sepse përfaqëson qeverinë në konferencën e kryetareve dhe duhet fliste në fund, se ky është objekt hetimi i Gjykatës Kushtetuese, nuk qëndron”, tha Zhupa.

Më tej shpjegoi edhe vendimin e Kushtetueses për kërkesat që depozitohen për komisione hetimore.

“Gjykata Kushtetuese është shprehur në vitin 2014 që ekzistenca e një procesi hetimor/gjyqësor për të njëjtën çështje, nuk përbën pengesë, sepse Komisionet Hetimore ndjekin qëllime të ndryshme. Siç kemi hetuar edhe çështje që gjykon SPAK dhe gjykata e posaçme, që prapë janë pushtet gjyqësor”, u shpreh deputetja.

Në fund Zhupa u tha kolegëve socialistë se në këtë pikë mund të diskutohej vetëm për afatin dhe jo nëse ngrihet apo jo komisioni.

“E vetmja gjë që mund të diskutojmë është nëse keni sugjerime për afatin, 6 a 5 muaj dhe hajde të punojmë. Sepse interesi publik duhet të jetë i pari për punën e Kuvendit dhe jo interesi klientelist”, tha ajo.

Kurse kreu i grupit të PD, Bardhi, hodhi akuza ndaj socialistëve teksa tha se nuk i konkurojnë dot në vjedhje të grupit të strukturuar kriminal.

“Në populizëm dhe në vjedhje të grupit të strukturuar kriminal nuk ju konkurrojmë. Kjo është fusha juaj. Ne kujdesemi për qytetaret dhe jemi krah shqetësimit dhe interesit të tyre”, tha Bardhi.

 

Lini një Përgjigje