
Përplasjet e ditëve të fundit mes Athinës dhe Tiranës kanë trazuar edhe politikën shqiptare. Edi Rama nuk u ftua në Athinë në një darkë informale, ndërsa Greqia po sulmon vendin tonë për arrestimin e Belerit.
Situata e ka ndarë politikën në dy pjesë dhe ka disa deputetë të opozitës që i kanë dalë në mbështetje kryeministrit sa i takon kësaj përballje. Dje ishte Kreshnik Çollaku, ndërsa sot ishte Ferdinand Xhaferraj, që kërkon unitet sa i takon interesit kombëtar.
“Asnjëherë nuk kam reshtur së theksuari domosdoshmërinë që politika shqiptare të jetë e unifikuar kur bëhet fjalë për çështjet kombëtare. Kjo, sidomos kur puna vjen tek politikat problematike rajonale dhe përtej.
Pavarësisht ndarjeve të thella që kam me Kryeministrin Rama kur bëhet fjalë për mënyrën si qeveris vendin apo personalizimit të shtetit në emër të tij dhe shkallmimin që i ka bërë institucioneve, por nëse duhet të zgjedh mes provokacionit diversionist që ekspozon Athina dhe qëndrimit të qeverisë shqiptare, pa mëdyshje mbështes qëndrimin e Shqipërisë.
Nga Greqia do të prisnim më shumë mbështetje dhe frymëzim për të shkuar drejt modeleve Europiane dhe jo rikthim te stili bizantin i të bërit politikë", shkruan Xhaferaj.
Ndërsa Kreshnik Çollaku shprehej dje: “Do të luftoj çdo ditë e çdo orë në Shqipëri për të përmbysur qeverinë e Edi Ramës. Por sot Shqipëria është qartësisht përballë një shantazhi nacionalist të mbuluar me retorike europiane. Përballë shantazheve të tilla shqiptarët duhet të jenë të unifikuar, dhe Kosova në krah të Shqipërisë”.
Lini një Përgjigje