
Partia Socialiste ka arritur të fitojë zgjedhjet lokale edhe në bashkinë e Divjakës, me qytetin që bëhet kështu me një kryetar të ri, pasi nën siglën e selisë rozë kandidoi Josif Gorrea dhe jo Fredi Kokoneshi.
Rezultati në Divjakë është me 2393 vota diferencë, teksa Gorrea ka arritur të marrë 9309 vota, duke kryesuar ndaj Aurel Malkos që garoi për koalicionin opozitar “Bashkë Fitojmë”, duke marrë 6916 vota.
Në 67 kutitë e kësaj bashkie numërohen edhe 494 vota të pavlefshme.
Ndërkohë, fitoja e Gorreas është pritur me këngë e me valle në qytetin e Divjakës, ndërsa kryebashkiaku i ri e ka cilësuar rezultatin spektakolar.
“Është kënaqësi e veçantë, unë jetoj në këtë vend prej 8 brezash, kandidimi im erdhi si një rrufe nga qielli. Falenderoj PS dhe Edi Ramën për këtë besim dhe unë bëra përpjekjet maksimale. Falenderoj pa masë popullin e bashkisë Divjakë. Ne kryesojmë me 2400 vota, ishte një fitore spektakolare. Iu bashkuam rrymës së madhe të fitoreve të shumta të Partisë Socialiste në të gjithë Shqipërinë. Unë jam bujk, do të bëj më të mirën për fshatin tim për qytetin tim”, tha Gorrea.
Për sa i përket akuzave nga opozita se në kutitë e votimit ka vota false, kryebashkiaku i ri tha: “Është një hidhërim i madh për mua, që ata vazhdojnë në valën e gabimeve të rënda që kanë bërë. Ka ditë dhe javë që kanë penguar, kërcënuar banorë që të mos shkojnë në votime. Kanë ndaluar shumë banorë të mos shkojnë në votime, edhe brenda KZAZ-së u mundan për ta penguar, por ishte një fitore e pastër. Nuk ka problem, edhe ata do mundohemi ti bëjmë të përgjegjshëm.”
Po ashtu PS-ja ka fituar edhe bashkinë e Shijakut. Elton Arbana ka marrë mandatin e dytë në krye të kësaj bashkie.
Është një përgjegjësi shumë e madhe kur mendon se në Bashkinë e Shijakut asnjëher nuk ka qenë dy herë i njëjti kryebashkiak. Do të bëj akoma më shumë se në mandatin e parë dhe falënderoj pa masë ata që më kanë mbështetur por edhe ato që janë skeptikë sepse do të kuptojnë që në krye të bashkisë kanë njeriun e duhur.
Lini një Përgjigje