
BE-ja nuk ka një shkop magjik për të transformuar vendet e tjera, përveç nëse këto duan të transformohen. Ky është leksion kryesor i valëve të zgjerimit në vitet 1990- 2000. Megjithatë, ajo mund të bëjë më mirë në përdorimin e levave të saj politike, institucionale dhe ekonomike kur merret me fqinjët...
Jo shumë kohë më parë, zgjerimi ishte një prioritet dytësor për BE-në: asnjëherë jashtë radarit, por asnjëherë një pikë kryesore e rendit të ditës. Lufta brutale e Rusisë kundër Ukrainës ndryshoi gjithçka. Udhëheqësit e BE-së e kanë përqafuar politikën e zgjerimit si një pjesë të përgjigjes së unionit ndaj kësaj lufte, krahas dërgesave të armëve në Kiev dhe sanksioneve ekonomike të vendosura ndaj Moskës.
Blloku 27-anëtarësh, ka marrë vendime që pakkush mund t’i kishte parashikuar përpara fillimit të luftës në shkurt 2022. Në dhjetor 2023, Këshilli Evropian vendosi të hapë bisedimet e anëtarësimit me Moldavinë dhe Ukrainën, dhe t’i japë statusin e vendit kandidat Gjeorgjisë.
Bosnje Hercegovina e mori ftesën 3 muaj më vonë.
Por këto lëvizje, shkaktuan edhe shumë diskutime dhe ankth. Debatet mbi pasojat strategjike dhe institucionale të zgjerimit të BE-së me një vend të madh si Ukraina, aktualisht në luftë me një fqinj të madh, me një fuqi të madhe të armatosur me armë bërthamore, po nxisin një rrjedhë të qëndrueshme propozimesh politike, të cilat shfaqen rregullisht në faqet e mediave.
Kështu në shtator 2023, diplomatë të lartë nga Franca dhe Gjermania botuan një letër të përbashkët, ku renditën propozimet për riorganizimin e BE-në, me synim përshpejtimin e anëtarësimeve të reja nga Evropa Lindore dhe Ballkani Perëndimor. Në përgjithësi, zgjerimi i BE-së drejt lindjes është sërish në qendër të vëmendjes.
Por pavarësisht nga vëmendjes së ripërtërirë, vrulli fillestar po zbehet. Teksa zgjerimi mbetet një synim i vlefshëm, palët e interesuara të përfshira, do të duhet të ulin paksa pritshmëritë e tyre. BE-ja nuk do të zgjerohet me shpejtësi në vitet e ardhshme, edhe pse mund të vendosë kritere me më fleksibël për integrimin.
Zgjerimi i BE-së është pjesë e një strategjie gjithëpërfshirëse, qëllimi përfundimtar i së cilës është të konsolidojë udhëheqjen e unionit në atë që mund të quhet “Evropa më e gjerë”. Këtu bien në sy edhe 3 synime të tjera. E para ka të bëjë me ngushtimin e hendekut me Britaninë pas Brexit.
Së dyti, BE-ja synon të vazhdojë marrëdhënien e ngushtë me Turqinë, një fqinj tjetër i madh, ndikimi gjeopolitik i të cilës përfshin Euroazinë, Lindjen e Mesme dhe Afrikën. Projekti i tretë është Komuniteti Politik Evropian, propozuar fillimisht nga presidenti francez Emmanuel Macron që mban samite vjetore.
Emëruesi i përbashkët i nismave të tilla, është vendosmëria për t’iu kundërvë Rusinë. Kur flitet për zgjerimin, qasja e BE-së udhëhiqet nga parimi se lidhjet më të forta institucionale dhe funksionale do të krijojnë kushtet për stabilitet dhe elasticitet në periferinë e unionit.
Natyrisht, kjo qasje nuk ndahet domosdoshmërisht nga vendet partnere si Armenia, Azerbajxhani apo Turqia, të cilat nuk shohin asnjë përfitim në një rreshtim të qartë në përplasjen midis Rusisë dhe Perëndimit, i shkaktuar nga pushtimi i Ukrainës. Për ta, pjesëmarrja në Komunitetin Politik Evropian dhe lidhjet dypalëshe me BE-në janë pjesë e një akti balancues më të gjerë.
Një skenar pozitiv që mendohet të ndodhë në fillim të viteve 2030, është një BE me rreth 30 shtete anëtare. Një ose dy vende të Ballkanit Perëndimor, mund t’i bashkohen unioni si anëtare me të drejta të plota. Pjesa tjetër do të integrohet ngushtë në institucionet dhe politikat e saj, ndërsa do të vazhdojë rrugën e vështirë të bisedimeve të anëtarësimit.
Ndër përfituesit potencialë të theksit të ripërtërirë që po vendos BE-ja mbi zgjerimin, janë 6 vendet në Ballkanin Perëndimor: Shqipëria, Bosnje Hercegovina, Kosova, Mali i Zi, Maqedonia e Veriut dhe Serbia. Po ashtu, Brukseli e ka shtuar ndihmën e tij ekonomike për këtë rajon.
Në nëntor 2023, KE miratoi një plan të ri të rritjes që synon t’i japë rajonit 2 miliardë euro grante dhe 4 miliardë euro kredi të buta deri në vitin 2028. Ambicia është 2-fishimi i madhësinë të ekonomive të rajonit, PBB-ja e kombinuar e të cilave është aktualisht rreth 104 miliardë euro. Gjysma e parave të premtuara, do të shkojnë për të mbështetur reformat institucionale. Plani parashikon krijimin e një tregu të përbashkët rajonal, si një hap drejt përfshirjes në tregun e përbashkët të BE-së, edhe para anëtarësimit. Integrimi më i thellë, duhet ta bëjë Ballkanin Perëndimor tërheqës për investitorët e huaj, sidomos për kompanitë nga vendet anëtare. Natyrisht, fondi i planit të rritjes mbetet shumë i vogël në krahasim me 50 miliardë eurot që kanë vënë në dispozicion për Ukrainën, popullsia e së cilës është më shumë se 2-fishi i 6 vendeve të Ballkanit Perëndimor të marra së bashku. Por 3 janë sfidat e mëdha që pengojnë kur bëhet fjalë për zgjerimin e ardhshëm: sfidat e sigurisë, mosmarrëveshjet dypalëshe dhe politika e brendshme në shtetet e reja që mund të anëtarësohen.
Në parim, anëtarësimi në BE duhet të jetë “formula magjike”, që ndihmon në zgjidhjen e tensioneve politike dhe nxit pajtimin ndërkufitar dhe përfshirjen e pakicave. Por në praktikë, nuk është domosdoshmërisht kështu. Prej më shumë se një dekade, përfaqësuesit e politikës së jashtme të BE-së, nuk kanë arritur të bindin Serbinë dhe Kosovën të gjejnë një zgjidhje në mosmarrëveshjen e tyre për çështjet e sovranitetit dhe vetëvendosjes.
Dhe në një situatë në të cilën presidenti serb Aleksandar Vucic dhe kryeministri kosovar Albin Kurti nuk i besojnë njëri-tjetrit, dhe teksa perspektiva e anëtarësimit në BE është e largët, atëherë zgjidhja e konfliktit nuk shihet kurrkund në horizont. Ballkani Perëndimor ofron shembuj të tjerë të mosmarrëveshjeve dypalëshe.
Negociatat e anëtarësimit të Maqedonisë së Veriut, u bllokuan nga Greqia midis vitit 2009. Në vitin 2019, Shkupi ratifikoi Marrëveshjen e Prespës, e cila i dha fund mosmarrëveshjes së emrit midis dy vendeve. Por në vitin 2020, përpjekjet për anëtarësim u bllokuan përsëri nga Bullgaria për një tjetër mosmarrëveshje që kishte të bënte me historinë.
Dhe kompromisi i arritur në vitin 2022, nuk është zbatuar ende nga Shkupi. Ndërkohë Shqipëria, që ka mbajtur vetëm konferencën fillestare ndërqeveritare me BE-në, po kërcënohet nga një veto nga Greqia për shkak të një grindjeje mbi krye bashkiakun e Himarës, Fredi Beleri, i dënuar për blerje votash.
Po ashtu Kroacia mund të përdorë veton e saj në bisedimet e pranimit të Serbisë apo Bosnje Hercegovinës, për shkak të çështjeve të tilla si statusi i komunitetit kroat në Bosnje. BE-ja nuk ka një shkop magjik për të transformuar vendet e tjera, përveç nëse këto duan të transformohen. Ky është leksion kryesor i valëve të zgjerimit në vitet 1990- 2000. Megjithatë, ajo mund të bëjë më mirë në përdorimin e levave të saj politike, institucionale dhe ekonomike kur merret me fqinjët./Përshtati Pamfleti nga “Carnegie Europe”
Marrë me shkurtime
Lini një Përgjigje