
Pas futjes së Metës në qeli, duket shumë e vështirë që PD dhe PL të hyjnë me një listë të përbashkët në zgjedhje...
Teksa zgjedhjet po afrojnë, opozita duket se është në ditët e saj më të zeza. Berisha po feston lirimin nga arresti shtëpiak dhe nuk po e vret shumë mendjen se po afron maji. PD po ashtu është ndarë në disa fraksione dhe asnjëri nuk shkon me tjetrin.
Por teksa flasim për opozitën, kemi dhe Partinë e Lirisë, e cila përveç rrudhjes totale, e ka në qeli edhe Ilir Metën. Ky i fundit u gëzua shumë kur Berisha doli nga arresti, duke reaguar me shumë pathos.
Mirëpo pas futjes së tij në qeli, duket shumë e vështirë që PD dhe PL të hyjnë me një listë të përbashkët në zgjedhje. Pak muaj më parë u fol se ishte arritur një pazar gjatë një takimi mes Ilir Metës dhe Flamur Nokës. Madje thuhej se u ra dakord që PL do kishte 10 deputetë të sigurt në listën e PD. Por vapa iku me gushtin.
Sot janë dhënë sinjalet e para që jo vetëm nuk do ketë listë të përbashkët, por po i vjen fundi edhe aleancës opozitare.
Ishte deputeti Kreshnik Çollaku, i cili është rreshtuar krahë Berishës, ai i cili është shprehur kundër një aleance të lidhur fortë mes PD dhe PL.
Komentet Çollaku i bëri në “A2 CNN”, ku tha se ndarja mes PD dhe PL është e qartë, njëra parti e djathtë dhe tjetra e majtë.
Ai tha gjithashtu se PL (atëherë LSI) ka kontribuar në fuqizimin e pushtetit të kryeministrit Edi Rama, duke përmendur hyrjen në koalicion me PS në vitin 2013, pas trazirave të 21 Janarit.
“Unë nuk mund të bëjë dot gjyqin e Metës. Ajo që më la shije të hidhur është mënyra e arrestimit të Metës. Nuk kam qenë tifoz i një aleance aq të lidhur mes PD dhe LSI. Ne jemi të djathtë, ata janë të majtë. Në qeverisje me PD shpeshherë LSI ka shërbyer, por ka shkaktuar edhe dëme.
Unë nuk harroj që pushtetin e Ramës në 2013 e konsolidoi aleanca me Metën, i cili vetëm 6 muaj pasi PD pagoi një faturë shumë të lartë për 21 janarin, kaloi në krahun tjetër dhe u bë ajo darka e ngjalave atje. Ja kemi parë edhe sherrin atij koalicioni me LSI.
Ne nderojmë 28 nëntorit si festë edhe të Pavarësisë edhe të Çlirimit, ndërsa Meta nuk ka munguar çdo 29 nëntor të shkojë të përulet krah Ramës në varrezat e dëshmorëve”, tha Çollaku.
Ai është i pari që rreshtohet hapur kundër, ndërkohë nuk duhet harruar se edhe Bardhi dhe deputetë të tjerë kanë pasur përplasje me Ilir Metën. Nuk e dimë nëse Berisha po përdor Çollakun për të matur impulsin, por e sigurt është se një aleancë PD-PL në zgjedhje do të jetë shumë e vështirë. /Pamfleti
Lini një Përgjigje