Opozita proteston kundër qeverisë pas akuzave të Arben Ahmetajt...
Opozita u ngrit sot në protestë para Kryeministrisë. Për afro një orë e gjysmë, me mijëra militantë u mblodhën në shesh, për të protestuar pas akuzave që lëshoi ish-zv/kryeministri Arben Ahmetaj.
Ahmetaj tregoi se si ka përfituar familja e kryeministrit dhe po ashtu dha detaje se si janë bërë “rrush e kumbulla” paratë e shqiptarëve. Edhe fokusi protestës ishte pikërisht abuzimi Ramës me pushtetin.

Në podium u ngjitën aleatë dhe përfaqësues të PD. Nga aleatët folën Fatmir Mediu i PR dhe Agron Duka i Partisë Agrare. Po ashtu pati një mesazh nga burgu nga kreu i PL, Ilir Meta. Ky i fundit nuk kurseu sulmet as ndaj SPAK.

"Drejtësia e re është mashtrimi dhe korrupsioni më i madh që ka ndodhur. Harta e re gjyqësore e bëri drejtësinë më të paarritshme, më të shtrenjtë për qytetarët. Pse hesht Dumani për McGonigal, ky që më mban mua të izoluar për lobimet e LSI në SHBA. Ka dy vite që nuk thërret Ramën për McGonigal. 11 maji është dita historike e skadencës së narko regjimit dhe narko drejtësisë. 11 maji do jetë dita e triumfit, e përmbysjes së këtij modeli”, tha Meta.

Më pas e mori fjalën Sali Berisha. Ai sulmoi ashpër kryeministrin Edi Rama duke e cilësuar si një hajdut. Sipas tij, Partia Demokratike tashmë është e bashkuar pasi nga hiri u ngrit si Feniksi. Ndërsa tha se ata që donin ta mposhtnin PD, dështuan. Berisha tha se dosja McGonigal është arkivoli i hapur i Edi Ramës.
“E nis fjalën time me një përulje para jush me një falënderim vëllazëror dhe me përgëzimet e mia për të gjithë ju, për të gjithë demokratët. Në pak kohë ne kemi bërë shumë. Le të kthehemi pak. Vetëm një vit më parë në shkurtin e kaluar ne ishim këtu në shesh në protestën e 20 shkurtit. Lideri i opozitës ishte i arrestuar në kundërshtim me ligjin dhe kushtetutën. Unë fjalën time e mbajta nga një ekran, i burgosur politik. Në atë protestë në hodhëm themelet e çdo fitoreje që meritojmë dhe që do kemi. Në atë protestë ne u dëshmuam shqiptarëve se nga hiri u ngritëm si feniksi. Ndërsa ata që menduan se do të na mposhtin ne dështuam me turp, ne jemi të pamposhtur. Ne u bashkuam, ne mbrojmë akuza të drejta, mbrojmë vlerat e njeriut, mbrojmë interesin kombëtar, kombin, familjen. Sot jemi në këmbë më të vendosur se kurrë”, tha ai.
Pas fjalimit të Berishës, protesta u mbyll. Gjatë saj pati vetëm një incident, pasi u hodhën disa mjete piroteknike drejt efektivëve duke dëmtuar dy prej tyre.
18.40 Përfundon tubimi i opozitës, protestuesit shpërndahen në mënyrë paqësore!
Pas pothuajse 1 orë e gjysmë mbushur me fjalime është mbyllur protesta e thirrur nga Partia Demokratike. Pas përfundimit të fjalimit nga kreu i PD-së, Sali Berisha, protesta u mbyll dhe mbështetësit nisën të shpërndaheshin në mënyrë paqësore.
“Ne jemi e vetmja forcë politike që përmbysëm dy diktatura, atë të Enverit dhe bastardit komunist. Rroftë PD. Miqtë e mi, përsëri krimi është kundër nesh, prokuroria politike dhe gjykata e narkoshtetit janë kundër nesh, por ne përsëri jemi të pamposhtur dhe qëndrojmë si mur në fitoren tonë”, tha Berisha në fund të fjalimit të tij.
Ndërkohë që menjëherë pas përfundimit të protestës Berisha u nis për në aeroportit të Rinasit, për të fluturuar drejt Italisë ku do të zhvillojnë ditën e nesërme një takim me shqiptarët e diasporës në Romë.
18.33- Berisha: Salianji u burgos sepse nxori zbuluar klanin mafioz Rama-Xhafaj
Në fjalën e tij, Berisha tha se ai vetë ishte vendosur në arrest shtëpie me urdhër të Edi Ramës dhe se ish-presidenti i vendit Ilir Meta ishte goditur dhe përballur me dhunë për të trembur opozitën.
Ai po ashtu përmendi rastin e Ervin Salianjit, i cili sipas Berishës u burgos për shkak të përballjes së tij me “klanin mafioz të Ballkanit dhe Evropës Rama-Xhafa”.

“Kryetari i PD u vendos në arrest shtëpie me urdhër të Edi Ramës. Me urdhër të tij ish-presidenti i vendit u zvarrit, u godit në mes të rrugës dhe u filmua duke menduar ky kriminel se do të tmerronte opozitën. Me urdhër të Edi Ramës, me mbështetjen e monstrës së njerëzimit deputeti ynë Ervin Salianji, martiri i fjalës së lirë, u burgos sepse u përball dhëmbë për dhëmbë me klanin mafioz më të rrezikshëm të Ballkanit e Evropës, klanin Rama-Xhafa. Menduan se do të na trembnin, por gabuan rëndë. Ja ku e kemi ne, 200 metra më tej prijësin tonë të përjetshëm. Skënderbeun. Të harrojë kush se mund të trembet populli opozitar, populli i lirisë. Jo mor jo! Përkundrazi, do të mjerohen ata që mund të mendojnë se na trembin ne”, tha Berisha.
18.30- Meta sulmon kreun e SPAK: Pse nuk e thërret Ramën për çështjen “McGonigal”!
Presidenti i Partisë së Lirisë, Ilir Meta nga “313”-ta, në mesazhin e tij zanor në protestën e opozitës nuk la pa sulmuar kreun e SPAK Altin Dumani. Meta theksoi se drejtësia e re është një mashtrim dhe se Dumani është i kapur nga kryeministri Edi Rama.
Sipas tij, heshtja e SPAK për çështjen “McGonigal”, ku është i përfshirë vetë kryeministri tregon se ai institucion është i kapur. Meta deklaroi më tej se ishte vetë zv/kryeministri Arben Ahmetaj i cili tregoi përfshirjen e kryeministrit Rama në afërta korruptive.
“Ahmetaj na dëshmoi përse Dum nuk e heton kryebashkiakun për inceneratorët, sepse e paska urdhëruar dhe detyruar Rama për këtë akt të paligjshëm dhe çdo hetim do tregonte se koka e vërtetë e kësaj megafere është Edi Rama. Drejtësia e re është mashtrimi dhe korrupsioni më i madh që ka ndodhur. Harta e re gjyqësore e bëri drejtësinë më të paarritshme, më të shtrenjtë për qytetarët. Pse hesht Dumani për McGonigal, ky që më mban mua të izoluar për lobimet e LSI në SHBA. Ka dy vite që nuk thërret Ramën për McGonigal. 11 maji është dita historike e skadencës së narko regjimit dhe narko drejtësisë. 11 maji do jetë dita e triumfit, e përmbysjes së këtij modeli”, tha Meta.
18.28- Berisha merr fjalën në protestë: U ngritëm si Feniksi, ata që menduan se na mposhtën dështuan
Ish-kryeministri Sali Berisha ka marr fjalën në protestën e opozitës para Kryeministrisë. Ai sulmoi ashpër kryeministrin Edi Rama duke e cilësuar si një hajdut.
Sipas tij, Partia Demokratike tashmë është e bashkuar pasi nga hiri u ngrit si Feniksi. Ndërsa tha se ata që donin ta mposhtnin PD, dështuan. Berisha tha se dosja McGonigal është arkivoli i hapur i Edi Ramës.

“E nis fjalën time me një përulje para jush me një falënderim vëllazëror dhe me përgëzimet e mia për të gjithë ju, për të gjithë demokratët. Në pak kohë ne kemi bërë shumë. Le të kthehemi pak. Vetëm një vit më parë në shkurtin e kaluar ne ishim këtu në shesh në protestën e 20 shkurtit. Lideri i opozitës ishte i arrestuar në kundërshtim me ligjin dhe kushtetutën. Unë fjalën time e mbajta nga një ekran, i burgosur politik. Në atë protestë në hodhëm themelet e cdo fitoreje që meritojmë dhe që do kemi. Në atë protestë ne u dëshmuam shqiptarëve se nga hiri u ngritëm si feniksi. Ndërsa ata që menduan se do të na mposhtin ne dështuam me turp, ne jemi të pamposhtur. Ne u bashkuam, ne mbrojmë akuza të drejta, mbrojmë vlerat e njeriut, mbrojmë interesin kombëtar, kombin, familjen. Sot jemi në këmbë më të vendosur se kurrë”, tha ai.
18.20-Hidhen mjete piroteknike drejt Kryeministrisë, dy efektivë të dëmtuar
Opozita prej më shumë se një ore po proteston para Kryeministrisë. Aktualisht e ka marrë fjalën kreu i PD Sali Berisha.
Por disa të rinj kanë hedhur flakadanë dhe tymuese drejt Kryeministrisë. Për pasojë janë dëmtuar dy efektivë.
18.13- “Pijetar Edi Rama...”, pikante nga protesta; shishja e verës 33 mijë euro që mbahet nga një i mitur
Opozita proteston në bulevardin ‘Dëshmorët e Kombit” në Tiranë kundër korrupsionit qeveritar. Një nga momentet pikante të protestës ishte një shishe vere që mbahet në dorë nga një i mitur.

Në shishe shkruhet mesazhi i denoncuar nga ish-zv.Kryeministri Arben Ahmetaj, që në intervistën e tij të fundit, tha se Edi Rama në një drekë pi një shishe verë 33 mijë euro.
“Pijetar Edi Rama, afati: 1 drekë, investitor: qytetari”, shkruhet në etiketën e shishes.
18.03- Ilir Meta mesazh nga burgu në protestën e opozitës: Shteti është shndërruar në organizatë kriminale
Ish-presidenti Ilir Meta ka dërguar një mesazh nga burgu në protestën e opozitës. Ai tha se i gjithë shteti është shndërruar në një organizatë kriminale. Sipas Metës, Ahmetaj e tregoi qartë se Rama është kreu i organizatës kriminale.
Ai falënderoi të gjithë ata që i quajti misionarë të lirisë, ndërsa Sali Berishën e quajti qëndrestar të paparë dhe Ervin Salianjin zemërluanin opozitar.

“Përshëndetjet më të përzemërta për të gjithë ju misionarët që protestoni plot guxim kundër narkoregjimit të vetëm në Europë. Çdo shtet ka mafien e tij por në Shqipëri mafia ka shtetin e saj. Kjo tashmë dëshmohet edhe nga ish-zv/kryeministri Arben Ahmetaj, krahu i djathtë i Edi Ramës për 10 vite në pushtet. Kjo dëshmi historike vjen nga një dëshmitar okular i disa prej aferave më të rënda të Edi Ramës. Ahmetaj na provoi sesi shteti është shndërruar në organizatë kriminale”, tha Meta.
17.49- Mediu: Republikanët amerikanë do na mbështesin
Fatmir Mediu, kreu i PR-së, një nga aleatët e PD-së, ishte i pari që u ngjit në podiumin e improvizuar në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, ndërsa opozita proteston kundër Qeverisë Rama.

Mediu tha se në këtë protest nuk jemi për pushtetin, por për shtetin e shqiptarëve. “Republikanët amerikanë do na mbështesin për zgjedhjet e lira dhe të ndershme, për një drejtësi që nuk përdoret kundër opozitës, për një vend anëtar i NATO-s që nuk është i korruptuar apo ku trafikohet droga”, tha Mediu.
17.47- Duka thirrje nga protesta para Kryeministrisë për bashkimin e opozitës: Rama duhet të ikë!
Edhe pse vetë ka deklaruar se nuk do të kandidojë për deputet në zgjedhjet e 11 majit, kreu i Partisë Agrare Ambientaliste, Agron Duka e ka konfirmuar mbështetjen për kampin opozitar, teksa ka dalë përpara Kryeministrisë për të protestuar këtë të shtunë.

Në një prononcim për “A2 CNN”, Duka tha se tubimi i sotëm krijon një farë fryme për të demaskuar korrupsionin qeveritar.
“S’më intereson fare se çfarë ka thënë Rama. Unë nuk synoj për tu bërë as deputet, as ministër. Unë synoj që të respektohet ligji dhe Rama të iki nga drejtimi i qeverisë. Edhe nëse nuk ka faj vetë sepse qeveria po kapet e gjitha me korrupsion”, u shpreh kreu i PAA.
17.43- Kush janë dy figurat kryesore të PD që mungojnë në protestën e opozitës?
Partia Demokratike ka zbritur sot në sheh kundër qeverisë. Me mijëra militantë janë mbledhur para Kryeministrisë, protestë që vjen pas akuzave të Arben Ahmetajt. Por sot në protestë mungojnë dy figura kyçe të opozitës. Ata janë Gazment Bardhi dhe Jorida Tabaku. Të dy ndodhen për një vizitë në SHBA dhe nuk kanë mundur dot të jenë të pranishëm.
17.30 Berisha lë selinë e PD-së, niset drejt Kryeministrisë
Sali Berisha, kreu demokrat, ka lënë selinë e PD-0së, i shoqëruar nga mbështetësit e PD-së, për t’iu bashkuar të tjerë protestuesve që janë mbledhur para godinës së Kryeministrisë atje ku do të protestohet.

Në krah të Berishës qëndrojnë, Agron Gjekmarkaj, Flamur Noka dhe Luçiano Boçi, si dhe të tjerë deputetë të PD-së. Kjo është protesta e parë kombëtare që zhvillon PD nga momenti që Berisha ka dalë nga arresti i shtëpisë.
17.27- Zhupa: Ja arsyet për të cilat opozita proteston sot në shesh kundër narko-shtetit!
Deputetja e Partisë Demokratike, Ina Zhupa, u shpreh se në protestën e sotme është qytetari ai që vendos.
Sipas saj, opozita është ajo që e ka thirrur protestën dhe se, qytetarët duhet të protestojnë që të kuptohet se çfarë bëhet në kurriz të tyre.
"Ne jemi në krah të qytetarëve. Sot do të jetë një nga protestat më të fuqishme të PD, sot do të jetë edhe një mënyrë për të treguar se qytetarët nuk do të dorëzohen, do të rezistojnë, dhe më 11 Maj do të bëjnë ndryshimin që çdo qytetar shqiptare do sot. PD ka thirrur ketë protestë dhe do të jetë një protestë e opozitës së bashkuar, por qytetarët janë ata që vendosin, qytetarët janë ata që kanë irritimin më madh ndaj vjedhjeve që u bëhet.
Dhe sigurisht ne jemi aty për t’i mbështetur, ne jemi aty për të folur me ta, jemi aty për të dëgjuar mesazhet e tyre, por skenarin final e vendos qytetari", tha ajo
17.19 Këlliçi: Shqiptarët në situatë të rëndë ekonomike, duhet reaguar!
Drejtuesi politik i Partisë Demokratike për Tiranën Belind Këlliçi, pak përpara nisjes së protestës së PD, deklaroi se Shqipëria është “plakur” edhe “mpakur”, duke nënkuptuar se nga vendi janë larguar masivisht të rinjtë.
Në një intervistë për “News 24”, ai shtoi se ekonomia është në situatë tepër të rëndë dhe se për këtë duhet reaguar.
“Qytetarët sot janë në shesh për aferat flagrante të qeverisë, vjedhjet 50 milionë euro me Tunelin e Llogarasë, është bërë vjedhje flagrante e vendit. Shqipëria përveç se është plakur, edhe është mpakur. Ekonomia e shqiptarëve është sot në ditën më të zezë. Çdo qytetar shqiptar duhet të vijë sot në protestë. Ne kemi premtuar pagë minimale 500 euro dhe mesatare 1200 euro. Nuk ka parti politike pa gabime, edhe PD mund të ketë gabuar, por nuk ka kryer këto vjedhje të mëdha flagrante që janë bërë në kohën e qeverisjes së PS-së”, tha Këlliçi.
17.15- 'Pensionet tona i pi verë', nga flamujt amerikanë te pankartat anti-Ramë, ç’po ndodh në protestën e PD
Disa protestues janë mbledhur në bulevard, ndërsa mbajnë në duar flamuj me logon e PD, ato kombëtare, por edhe flamuj amerikanë. Ndërkohë në një nga pankartat që mbahet në dorë është ‘Pensionet tona i pi verë’, çka është një mesazh që i jepet Kryeministrit, pas akuzave të ish-zv.Kryeministrit Arben Ahmetaj ndaj Kryeministrit Edi Rama. Ahmetaj tha se Rama pinte verë, që një shishe kushtonte 33 mijë euro.
Gjithashtu një tjetër pankartë shfaq Kryeministrin Edi Rama dhe George Soros, ndërsa mbi fytyrat e tyre vendoset një kryq i kuq.
17.14- Protesta e opozitës/ I rrethuar nga truprojat, Ervin Hoxha shkon në zyrë
Teksa Policia e Shtetit ka marrë masat për ruajtjen e institucioneve dhe mbarëvajtjen e rendit dhe sigurisë për protestën e opozitës, ministri i Brendshëm, Ervin Hoxha u pa teksa kalonte rrugën në bulevardin “Dëshmorët e Kombit” dhe shkonte për në zyrën e tij.
I shoqëruar edhe nga truprojat, i veshur civil dhe jo me kostum zyrtar, rreth orës 16:40 ai u pa teksa përshëndetej me efektivët në detyrë para dikasterit, vetëm pak çaste para se të hynte në derën kryesore.
16.59- Protesta e opozitës, mbështetësit mblidhen para selisë së PD!
Para selisë së Partisë Demokratike, ka nisur mbledhja e protestuesve të cilët do të marrin pjesë në tubimin e organizuar nga Opozita.
Mbështetësit e PD-së të mbledhur para selisë blu, do të shoqërojnë si zakonisht kreun e PD-së Sali Berisha së bashku me deputetët e tjerë të opozitës drejt vendit të tubimit, para Kryeministrisë. Atje, ata do të bashkohen me pjesën tjetër të protestuesve dhe do të dëgjojnë fjalimet e drejtuesve të PD-së.
Një fjalim i veçantë do të jetë ai i kreu të PL-së, Ilir Meta i cili do të flasë në protestë me anë të një regjistrimi audio nga qelia.
16.15- Protesta e opozitës, policia rrethon Parlamentin
Policia ka shtuar ndjeshëm masat e sigurisë për protestën e opozitës. Përveç forcave të shtuara te Kryeministri, duket se policia ka marrë masa edhe te Parlamentit.
Forcat Shqiponja janë stacionuar aty duke krijuar një perimetër sigurie.
14.40- Ramës i djegin akuzat e Ahmetajt, reagon për tubimin e opozitës
Kryeministri Edi Rama ka bërë një reagim rreth protestës së thirrur nga opozita pasditen e sotme.
Në reagimin e tij, Rama thotë se protesta e sotme është “frymëzim nga broçkullat e një të arratisuri nga drejtësia, për korrupsion e fshehje pasurie. Duke nënkuptuar kështu deklaratat e bëra së fundmi nga ish-numri dy i qeverisë së tij, tashmë në arrati, Arben Ahmetaj.
“Sot bufi stërplak i kënetës opozitare dilka bashkë me kënetën e tij në protestë dhe frymëzimi i protestës qenkan broçkullat e një të arratisuri në kërkim nga drejtësia për korrupsion e fshehje pasurie Duhet përshëndetur kjo protestë, sepse është një pasqyrë e qartë sa s’ka e alternativës së kalbur të një kënete politike humbësish të degraduar, të cilën më 11 maj shqiptarët duhet ta çojnë drejt tharjes, duke votuar të vetmen forcë politike të denjë në Shqipëri, Partinë Socialiste të Shqipërisë Vetëm duke e braktisur kënetën e bufit stërplak, demokratët do të krijojnë hapësirë për rilindjen e një opozite politike të denjë për Shqipërinë anëtare të Bashkimit Europian, përndryshe humbjet vetëm do të thellohen edhe përtej 11 majit, kur protestuesit e sotëm do të jo vetëm të humbur për të dhjetën herë radhazi, po edhe me diferencën më të thellë me Partinë Socialiste, qysh nga viti 2013”, shkruan Rama në rrjetin “X”. /Pamfleti
Lini një Përgjigje