
Kryetari i Partisë së Lirisë, Ilir Meta, ka reaguar nga qelia e Burgut 313 në Tiranë, disa orë para protestës së opozitës, sot në orën 17:00.
Teksa pritet të mbajë edhe një fjalim të regjistruar në miting, Ilir Meta ka bërë postimin në profilin e tij në Facebook. Ai u ka bërë ftesë të gjithë qytetarëve që t’i bashkohen protestës “kundër narkoshtetit që ka përzënë nga vendi 1 milionë shqiptarë”.
Meta theksoi se motive për t’iu bashkuar protestës janë edhe vrasja e pazbardhur e nxënësit Martin Cani, pensionistët e varfër, fermerët e braktisur, mësuesit dhe pedagogët, mjekët dhe infermierët me ‘pagat mizerabël’.
“Protestojmë sot për të shpëtuar Atdheun nga zhbërja, për të shpëtuar familjen shqiptare dhe fjalët e shenjta Nënë dhe Babë nga “Prindi 1” dhe “Prindi 2”, për t'u mobilizuar për largimin e Kryetarit të Organizatës që për të vjedhur pushtet shet sovranitet, për t'i dhënë fund modelit të narkoekonomisë bazuar në pasurimin e një pakice nëpërmjet industrisë së pastrimit të parave dhe për t'i hapur rrugën një modeli të ri ekonomik që mbështet prodhuesit vendas dhe e shndërron Shqipërinë në fuqi eksportuese në rajon”, u shpreh Meta.
Kreu i PL iu bën gjithashtu thirrje qytetarëve që të “protestojmë për votën e lirë dhe pa kërcënimet e narkopatronazhistëve”, me qëllim largimin përfundimtar të kësaj qeverie të korruptuar dhe mafioze.
Lini një Përgjigje