Xhaçka po thotë poshtë e përpjetë se kjo është një hakmarrje e SHBA për deklaratën e saj aguridhe mbi “largimin” e Yuri Kim, por realisht këtu kemi të bëjmë me firmat e saj në tjetërsimin e pronave publike. Të cilat janë sekuestruar nga SPAK.
Tashmë, numri i politikanëve dhe zyrtarëve të lartë të qeverisë dhe mazhorancës në regjistrat e SPAK po arrin shifrat e një kompanie ushtarake.
Nuk ka pasur ndonjëherë kaq shumë emra të hetuar ndaj një qeverie dhe është e natyrshme që koston politike e ka në kurriz Edi Rama, pasi të gjithë këta njerëz nën hetim janë pjesë e afërt e ‘oborrit’ të tij.
E në rastin e fundit, një nga ministret kryesore të Edi Ramës, e cila në 2/3 e kohës së kësaj mazhorance në pushtet ka qenë në qeveri, kostot thellohen edhe më shumë.
Bëhet fjalë për hetimin e SPAK mbi tjetërsimit të pronave të Flotës Detare të Shqipërisë, hetim që ka nisur si pjesë e një denoncimi të ish- kreut të flotës Artur Meçollari dy vjet më parë.
Meçollari akuzon titullarët e ministrisë së Mbrojtjes së kohës, Olta Xhaçkën, se ka tjetërsuar pronat ushtarake, përkatësisht, një në portin e Sarandës dhe një në Shëngjin; në kundërshtim me planifikimin operacional të Shtabit të Përgjithshëm.
Në kuadër të këtij denoncimi, SPAK, jo vetëm po heton këtë aferë, por ka vendosur që pronat e tjetërsuara nga ministria e Mbrojtjes të sekuestrohen, deri në një vendim gjykate.
Pra, SPAK në një farë mënyre e ka konsideruar si shkelje tjetërsimin e pronave derisa ka marrë vendimin e sekuestros.
Olta Xhaçka është personi që ka drejtuar ministrinë e Mbrojtjes në atë kohë, dhe ka firmosur pikërisht vendimet për tjetërsimit të pronave.
Por siç mësohet ajo ka deklaruar në SPAK se nuk është marrë me tjetërsimin, po thjesht me lirimin e tyre nga pronësia e Forcave të Armatosura, për t’i përdorur për qëllime publike. Pra me fjalë të tjera, Xhaçka i ka deleguar ministrisë së Financave, pra Anila Denajt, përgjegjësinë e transferimit apo dhënies në koncnsion të portit të Limonit, i cili u sekuestrua nga SPAK.
Por thelbi i hetimi të Prokurorisë Speciale, nuk bën fjalë për dhënien me konçension, sesa me mënyrën e lirimit të pronave nga ushtria me një vendim dikasterial. Pasi Kushtetuta dhe ligjet mbi Forcat e Armatosura, kanë një protokoll të qartë legjislativ që rregullon mënyrën e operimit të zotërimeve të ushtrisë.
Ndaj dhe SPAK thirri edhe deputetin Bardhyl Kollçaku, i cili në kohën kur ka ndodhur tjetërsimi i pronave ka qenë Shef i Shtabit të Përgjitshëm të Ushtrisë.
Siç mësohet, Kollçaku ka shpjeguar thjesht se ai dhe shtabi i përgjithshëm nuk ka qenë pjesë e vendimarrjes. Pra, ky transferim është realizuar me një vendim administrativ të titullarëve të ministrisë, çka është edhe thelbi i hetimit të SPAK. Edhe zv.ministri i kohës, Petro Koçi, deklaroi në një intervistë televizive se nuk ka dijeni në lidhje me vendimin e marrë. Që tregon se kjo vendimarrje është jo kolegjiale, e më shumë personale e Xhaçkës. E cila është e përfshirë edhe në një skandal tjetër siç është ai i konfliktit të interesit, pasi burri i saj ka marrë statusin e investitorit strategjik. Siç mësohet, Xhaçka po thotë poshtë e përpjetë se kjo është një hakmarrje nga SHBA për deklaratën e saj aguridhe mbi “largimin” e Yuri Kim, por realisht këtu kemi të bëjmë me firmat e saj për pronat publike. Të cilat janë sekuestruar nga SPAK. E që ligjërisht jemi pranë hapjes së hetimeve direkte e shpalljen të pandehur për ish- ministren e Mbrojtjes. E nëse ndodh kjo, gjasat janë se do vijmë tek dorëheqja e saj si ministre e Jashtme dhe deputete. /Pamfleti
Lini një Përgjigje