
Pas draftit për legalizimin e kanabisit, zgjatjes së mandatit të Skënder Gjinushit dhe bllokimit të diplomave të studentëve të Mjekësisë, qeveria ka miratuar një tjetër ligj të shumëdebatuar. Në mbledhjen e sotme të qeverisë, është miratuar ligji për hapjen e basteve. Prej muajsh ishte folur se bastet do të rihapen dhe ligji është miratuar sot.
Paradite ministrat dolën dhe folën para mediave, por askush nuk foli për miratimin e ligjit. Ai ka kaluar dhe vetëm tani qeveria e ka publikuar te faqja e saj zyrtare. Pra duket se qeveria është në një situatë të vështirë. Buxheti po zbrazet dhe po shihen mënyra alternative të ardhurash. Kanabisi dhe bastet janë dy prej tyre.
Rama kur nisi aksionin për mbylljen e tyre u mburr se kishte shpëtuar shumë familje nga mjerimi, por duket se tani me kërkesë të Fidel Yllit, bastet do të rihapen.
Të gjithë subjektet që do të nisin të operojnë në këtë treg duhet të kenë si kapital fillestar të paktën 40 milionë lekë për të nisur biznesin e tyre, nga 1.2 miliardë lekë që ishte më parë. Bastet sportive online parashikohet të luhen nëpërmjet pajisjeve elektronike si smartphone, tabletave, Ipad, apo në faqet zyrtare të internetit të këtyre bizneseve.
“Subjekti ka detyrimin të regjistrojë paraprakisht çdo lojtar që do të marrë pjesë në baste sportive on-line si dhe të marrë e të ruajë të dhëna për identitetin e tyre për të paktën 3 vjet. Ruajtja e këtyre të dhënave të bëhet në përputhje me legjislacionin në fuqi për mbrojtjen e të dhënave personale. organizatori i basteve sportive on-line nuk duhet të pranojë para në dorë nga lojtarët, por vetëm nëpërmjet agjentëve financiarë të autorizuar sipas këtij ligji”, thuhet në draft.
Organizatorët e kategorive “Kazino”, “Kazino në hotele me 5 yje” dhe “Resort kazino”, brenda 31 marsit të vitit pasardhës derdhin në llogari të Fondit të Posaçëm shumën 0.4 për qind të xhiros vjetore.
Ligji tani do të shkojë në Kuvend dhe me shumë mundësi në sesionin e ri do të nisin diskutimet. Qeveria është akuzuar se në kulmin e skandaleve të saj, ka kaluar me shpejtësi dhe në heshtje një sërë ligjesh të debatueshme.
Ligji për kanabisin miratohet nesër dhe u kaloi në komisione në mënyrë të përshpejtuar. Po ashtu sot kaluan ndryshimet që i zgjasin mandatin Skënder Gjinushit në krye të Akademisë së Shkencave. Një ligj tjetër që kaloi me shpejtësi ishte ai për bllokimin e diplomave të studentëve. Duket se me këtë vrull ka kaluar dhe ligji i basteve. /Pamfleti
Lini një Përgjigje