
Vijojnë vonesat me procesin e numërimit të votave...
Ka nisur procesi i numërimit të votave. Sikundër ndodh gjithmonë, Pusteci është njësia e cila ka nisur e para hapjen e kutive. Ndërkohë paralelisht me të janë hapur kutitë e qarkut të Korçës në Parkun Olimpik, aty ku janë votat e diasporës.
Në kutinë e parë në Posutec PS ka marrë 130 vota dhe 52 PD. Po ashtu u hap kutia e parë e Devollit. Aktualisht janë hapur 4 në rang qarku në Korçë dhe rezultati është: 538 vota PS dhe 302 PD. Ndërsa 30 Shqipëria Bëhet.
Ndëkrohë Ka nisur numërimi i votave në Tepelenë. Fillimisht kanë nisur që të numërohen kutitë e fshatrave Progonat, Nivicë dhe Sinanaj. Po ashtu pak më parë ka nisur procesi i numërimit në Kukës, Këlcyrë dhe Memaliaj.
Në total në rang vendi, janë numëruar 9 kuti ku PS ka 1081 vota, PD 508 vota, Shqipëria Bëhet 41 vota, Mundësia 22 vota, PSD 14 vota dhe Lëvizja Bashkë 5 vota.
Në qytetet e tjera ka shumë vonesa.
Nga ana tjetër kanë rrjedhur dhe votat në Vorë. Ndonëse Ilirjan Celibashi tha se nuk do të publikohen rezultatet e votimit elektronik, janë numëruar 14 kuti dhe të dhënat kanë dalë në media. PS kryeson me 1315 vota dhe PD me 893 vota!
Ndonëse u hodhën miliona, Ilirjan Celibashi njoftoi se rezultati për Vorën dhe Njësinë 10 nuk do të publikohet sot. Sipas tij, kjo ka ardhur pas një kërkese nga PD.
“Në kushtet e një skepticizmi në lidhje me këtë proces kemi vlerësuar që të përmbushim edhe kërkesën për shpalljen e rezultatit të votimit të njësisë 10 dhe bashkisë Vorë pasi të ketë filluar tabulimi i rezultatit për qarkun e Tiranës, pra nesër rreth orës 8:00-9:00. Është kërkesë e PD dhe sipas PD dhe koalicionit qëllimi i këtij projekti pilot lidhet me rikonfirmimin sipas vlerësim tim të integritet të përdorimit të kësaj pajisje”, tha ai.
Ndërkohë pati akuza dhe kritika nga PS. Përmes një deklarate nga selia e PS-së, Helena Kaçe, e konsideroi të paligjshëm vendimin për të shtyrë publikimin e rezultatit për Vorën dhe Njësinë 10, ku është aplikuar numërimi elektronik i votave. Madje në akuzat e saj, PS shkon deri atje sa e akuzon Celibashin se me një vendim të tillë po i shërben taktikave elektorale të opozitës.
“Mosnxjerrja e rezultateve të Vorës dhe Njësisë 10 nga KQZ, me një vendim arbitrar që bie ndesh me logjikën e votimit elektronik, me traditën e shpalljes menjëherë të rezultatit, si edhe me vetë arsyen e investimit jo të vogël që është bërë për infrastrukturën elektronike, është një vendim arbitrar, i gabuar dhe zhgënyes për rolin e KQZ si garant i Sovranit popull, e jo i nevojave taktike të partive politike. Jemi të keqardhur për këtë dhe u bëjmë thirrje Partisë Socialiste të Vorës si edhe mbështësve tanë në Vorë të ruajnë qetësinë”, thuhet në një deklaratë të PS-së.
Por pavarësisht pazareve, rezultatet kanë dalë në media.
Lini një Përgjigje