
Ditën e djeshme Komisioni i Ekonomisë, kaloi për votim në Kuvend, projekt ligjin e Partisë Socialiste për faljen e gjobave. Nisma e Partisë Socialiste për faljen e gjobave të Covidit dhe ndërtimeve pa leje duket se do të votohet nesër edhe nga Partia Demokratike.
Ka qenë kreu i Grupit Parlamentar të PD-së, Gazment Bardhi i cili ka deklaruar se PD-ja ka qenë gjithmonë kundër qasjes brutale dhe arrogante të qeverisë për të ndëshkuar me gjoba të larta bizneset dhe qytetarët, para se të tentojë t’i informojë ose sensibilizojë ato.
Sipas Bardhit ky brutalitet i qeverisë me gjoba ka pasur pasoja të mëdha te qytetarët deri te humbja e jetës.
Lidhur me pr/ligjin për faljen e gjobave, PD ka propozuar disa shtesa, të cilat përfshijnë faljen e gjobave të makinave, faljen e faturave të energjisë elektrike dhe kamatëvonesa për shtresat në nevojë, si dhe kamatëvonesat për bizneset për mosrespektimin e afateve në procedurat tatimore dhe/ose mospagimin e taksës së pronës.
Postimi i plotë i Bardhit.
Grupi Parlamentar i Partisë Demokratike kanë qenë gjithnjë kundër qasjes arrogante dhe arbitrare të qeverisë socialiste për të ndëshkuar qytetarët dhe bizneset me gjoba të larta apo masa të tjera administrative, përpara kryerjes së të gjithë përpjekjeve për informimin, ndërgjegjësimin dhe sensibilizimin e tyre mbi detyrimet që rrjedhin nga ligji.
Megjithatë, qeveria socialiste ka vazhduar të ndëshkojë qytetarët me gjoba dhe penalitete të larta, të cilat në raste të caktuara kanë rezultuar me pasoja shumë të rënda për qytetarët tanë, të cilat në pamundësi për shlyerjen e detyrimeve, kanë konsumuar veprime që kanë përfunduar në burg ose më fatalet i kanë dhënë fund jetës së tyre.
Për këtë arsye, Grupi Parlamemtar i PD ka propozuar zyrtarisht:
1- Të anullohen të gjitha masat administrative të vendosura sipas nenit 52, pika 1, shkronja “e”, të ligjit nr. 107/2014, datë 31.07.2014 “Për planifikimin dhe zhvillimin e territorit”, të ndryshuar, në pjesën që parashikon dënimin me gjobë për kryerjen e punimeve pa leje për plotësimin e nevojave për strehim, që është shfuqizuar si papajtueshme me Kushtetutën, me vendimin nr. 15/2022 të Gjykatës Kushtetuese, që nga data e hyrjes së ligjit në fuqi e deri në momentin e shfuqizimit të tij nga Gjykata Kushtetuese.
2- Të anullohen të gjitha detyrimet e prapambetura për energjinë elektrike dhe ujin deri në datën 30 nëntor 2024 për shtresat në nevojë, duke përfshirë pensionistët, familjet me ndihmë ekonomike dhe personat me aftësi të kufizuar.
3- Të anullohen të gjitha masat administrative së bashku me kamatëvonesat të vendosura deri në datën 30 nëntor 2024 nga Policia e Shtetit dhe Policia Bashkiake, në të gjithë territorin e Republikës së Shqipërisë.
4- Të anullohen të gjitha masat administrative së bashku kamatëvonesat të vendosura deri në datën 30 nëntor 2024 për mosrespektimin e afateve në procedurat tatimore dhe/ose mospagimin e taksës së pronës.
Lini një Përgjigje