
Ndërsa nesër, më 11 maj, qytetarët shqiptarë do t’i drejtohen kutive të votimit për të zgjedhur përfaqësuesit e tyre në Kuvend, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) dhe Komisionet Zonale të Administrimit të Zgjedhjeve (KZAZ) po vijojnë me shpërndarjen e materialeve zgjedhore në të gjitha qarqet e vendit.
Qarku i Kukësit:
Në Kukës, shpërndarja e materialeve zgjedhore ka nisur që në orën 15:00 në KZAZ nr. 10, në Bashkinë Has. Procesi po zhvillohet sipas planit, me komisionerët që janë paraqitur në kohë. Në Bashkinë Has janë 28 qendra votimi me gjithsej 16,543 votues në listë. Më herët, KZAZ nr. 09 në Tropojë realizoi shpërndarjen e materialeve për 38 qendra votimi, me 21,078 votues. Procesi po monitorohet nga vëzhgues të OSBE/ODIHR, me gjithsej 8 vëzhgues të dislokuar në qarkun e Kukësit .
Qarku i Korçës:
Në qytetin e Pogradecit, KZAZ nr. 70 ka nisur shpërndarjen e materialeve zgjedhore që në orën 09:00. Një risi e këtyre zgjedhjeve është përfshirja për herë të parë në procesin e votimit e grave që vuajnë dënimin në Institucionin e Vuajtjes së Dënimit në Pojskë. Gjykata ka dhënë një vendim përkatës për këtë çështje. Ndërsa në një qendër votimi në Vithkuq në Korçës, e cila mban numrin 41/70, mungon shiriti i sigurisë që vihet tek dera e qendrës së votimit.
Materialet zgjedhore janë dorëzuar në këtë qendër votimit, por plicia nuk po merr qendrën e votimit në dorëzim, ndërsa pritet që KZAZ të kryej verifikimet përkatëse.
Qarku i Elbasanit:
Në Elbasan, shpërndarja e materialeve zgjedhore nuk ka nisur sipas planifikimit për shkak të mungesës së listave të komisionerëve dhe vëzhguesve të një subjekti politik. Kjo ka sjellë vonesa në procesin e shpërndarjes në 508 qendrat e votimit të qarkut .
Qarku i Fierit:
Në Fier ka nisur shpërndarja e materialeve zgjedhore për zgjedhjet parlamentare të 11 majit. Fieri ka në total 97 qendra votimi. Në Lushnje dhe Divjakë, ka nisur zyrtarisht shpërndarja e materialeve zgjedhore në të tre KZAZ-të. Procesi po zhvillohet pa probleme, me komisionerët që janë informuar për procedurat që do të ndiqen nesër.
Qarku i Shkodrës:
Në Shkodër, shpërndarja e materialeve zgjedhore ka nisur në KZAZ nr. 2, që përfshin zonën e Dukagjinit dhe Njësitë Administrative të Bashkisë Shkodër. Procesi po zhvillohet pa probleme .
Qarku i Lezhës:
Në Lezhë, shpërndarja e materialeve zgjedhore ka nisur dhe po vijon normalisht, pa ndonjë problematikë apo incident të raportuar deri tani.
Qarku i Dibrës:
Në Dibër, shpërndarja e materialeve zgjedhore ka nisur që në orën 11:00 në KZAZ nr. 18, që përbëhet nga 49 qendra votimi dhe ka 27,000 votues. Procesi ka vijuar i qetë.
Qarku i Vlorës:
Në Vlorë, shpërndarja e materialeve zgjedhore ka nisur në të gjitha KZAZ-të e qarkut. Procesi po zhvillohet pa probleme, me pjesëmarrjen e komisionerëve dhe vëzhguesve. Në Sarandë, shpërndarja e materialeve zgjedhore ka nisur në KZAZ nr. 91, duke filluar nga qendra e votimit në Ksamil. Procesi po zhvillohet normalisht.
Qarku i Durrësit:
Në Durrës, shpërndarja e materialeve zgjedhore ka nisur në KZAZ nr. 24. Procesi po zhvillohet normalisht, me pjesëmarrjen e komisionerëve dhe vëzhguesve.
Qarku i Beratit:
Në Berat, shpërndarja e materialeve zgjedhore ka përfunduar në 44 zonat rurale të Bashkisë Berat. Procesi ka vijuar pa probleme.
Qarku i Gjirokastrës:
Në Gjirokastër, shpërndarja e materialeve zgjedhore ka nisur në të gjitha KZAZ-të e qarkut. Procesi po zhvillohet pa probleme, me pjesëmarrjen e komisionerëve dhe vëzhguesve.
Qarku i Tiranës:
Në Tiranë, shpërndarja e materialeve zgjedhore ka nisur në të gjitha KZAZ-të e qarkut. Procesi po zhvillohet normalisht, me pjesëmarrjen e komisionerëve dhe vëzhguesve.
Në tërësi, procesi i shpërndarjes së materialeve zgjedhore po zhvillohet normalisht në të gjithë vendin, me përjashtim të disa vonesave të raportuara në qarkun e Elbasanit. KQZ dhe KZAZ-të po punojnë për të siguruar që të gjitha materialet të jenë në vendin e duhur përpara hapjes së qendrave të votimit nesër në mëngjes.
Lini një Përgjigje