
Reuters i ka kushtuar një artikull të gjatë Shqipërisë pas prezantimit të kabinetit të katërt të Edi Ramës, ku risia më e madhe ishte emërimi i “Diellës”, një ministre virtuale e krijuar nga inteligjenca artificiale, që do të marrë në dorë menaxhimin e të gjitha tenderëve publikë.
“Diella është anëtarja e parë e kabinetit që nuk është fizikisht e pranishme, por është krijuar virtualisht nga inteligjenca artificiale”, citohet Rama, duke shtuar se synimi është që “Shqipëria të bëhet një vend ku tenderët publikë janë 100% të lirë nga korrupsioni.”
Por Reuters vë në dukje një fakt të hidhur: dhënia e kontratave shtetërore ka qenë prej kohësh një burim skandalesh të rënda korrupsioni në Shqipëri, një vend të cilin ekspertët e përshkruajnë si qendër për pastrimin e parave të drogës dhe armëve. Ky imazh, sipas agjencisë, e ka komplikuar rrugën e vendit drejt integrimit europian, ndërsa ambicia e Ramës për anëtarësim deri në 2030 shihet si tepër optimiste.
Reuters ngre pyetje serioze mbi transparencën e këtij eksperimenti: qeveria nuk dha detaje se çfarë mbikëqyrjeje njerëzore do të ketë mbi Diellën, apo si do të shmangen manipulimet e mundshme mbi një program kompjuterik të kontrolluar nga politikanët.
Artikulli kujton se Diella u lançua fillimisht si asistente virtuale në platformën e-Albania, duke lëshuar dokumente online e të veshur me kostum tradicional shqiptar, por edhe atëherë pati skepticizëm. “Edhe Diella do të korruptohet në Shqipëri”, shkruajti një përdorues në rrjete sociale. Një tjetër ironizoi: “Vjedhja do të vazhdojë dhe Diella do të fajësohet.”
Në këtë sfond, Rama po përpiqet ta shesë inovacionin si një “garanci kundër korrupsionit”, ndërkohë që përvoja e deritanishme në vend tregon se teknologjia nuk mjafton kur korridoret e pushtetit janë të pushtuara nga interesa të errëta.
Lini një Përgjigje