TAGS-AT E JAVËS

Politike20 Gusht 2023, 12:20

Basha merr goditjen e parë nga Ilir Meta, "shkak" bëhet Ilirjan Celibashi

Shkruar nga Pamfleti
Basha merr goditjen e parë nga Ilir Meta, "shkak" bëhet
Ilir Meta dhe Lulzim Basha

Partia Demokratike e drejtuar nga Lulzim Basha ka marrë goditjen e parë nga aleati i Berishës, Ilir Meta pas rikthimit si kryetar.

Partia Demokratike e Bashës është nervozuar pas vendimit të Komisionerit Shtetëror të Zgjedhjeve, i cili i dha dje vetëm një komisioner për zgjedhjet në Kukës, teksa PL-së 2 të tillë, ndërsa parashikohet që të mos ketë anëtarë në grupet e numërimit të votave për zgjedhjet në bashkinë e Kukësit.

Kjo për faktin se KQZ ka përcaktuar si partinë e dytë opozitare, Partinë e Lirisë së Ilir Metës. 

Sot zëdhënësja e PD-së, Mirel Karabina ka reaguar ndaj një vendimi të marrë një ditë më parë nga KQZ, duke sulmuar kryekomisionerin Ilirian Celibashin.

Karabina thotë se Celibashi bën shërbimin e radhës ndaj oligarkisë politike kundër Partisë Demokratike dhe emëron Partinë e Lirisë të Ilir Metës si partinë më të madhe opozitare në shkelje të Kodit Zgjedhor, duke e interpretuar ligjin dhe jo duke e zbatuar atë.

"Pikërisht në këto momente Komisioneri Shtetëror Celibashi bën shërbimin e radhës ndaj oligarkisë politike kundër Partisë Demokratike, emëron Partinë e Lirisë të Ilir Metës si partinë më të madhe opozitare në shkelje të Kodit Zgjedhor, duke e interpretuar ligjin dhe jo duke e zbatuar atë. As më shumë e as më pak, i njëjti veprim konfuz i qëllimshëm për demokratët dhe elektoratin opozitar si në zgjedhjet e 14 majit kur Komisioneri Celibashi, rast i paprecedentë, përcaktoi “emocionalisht” dhe jo institucionalisht se kush është shumicë në PD dhe pengoi regjistrimin në kohë të saj për zgjedhjet vendore', tha ndër të tjera Karabina në një reagim në Facebook.

Dje Komisioni Qendror i Zgjedheve ka caktuar ndarjen e komisionerëve për zgjedhjet e pjesshme në Kukës që do të mbahen më 24 shtator.

 Celibashi u shpreh se mbi bazën e rezultatit të 14 majit, Partia e Lirisë rezulton ajo që ka marrë më shumë vota në kampin opozitar dhe i takojnë 2 komisionerë në KZAZ. Ndërkohë PD renditet forcë e dytë dhe do të ketë 1 komisioner. Ndërkohë 3 të tjerë i takojnë PS si partia më e madhe në mazhorancë.

“Ky si subjekt (PL) ka një numër votash të tillë që e bën atë të pretendojë të drejtë për të propozuar anëtarët e KZAZ si parti politike e opozitës që ka marrë më shume vota në zgjedhjet vendore”, deklaroi Ilirjan Celibashi, Komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve.

Vlen të theksohet se 1 shtatori do të jetë afati i fundit i partive politike për tu regjistruar si subjekte zgjedhore në garën e 24 shtatorit për bashkinë e Kukësit, ndërsa data 6 e fundit për regjistrimin e koalicioneve. 

Sipas afateve të miratuara nga KQZ, fushata zgjedhore do të nisë zyrtarisht më datë 11 shtator, për të vazhduar deri më datë 22. E shtuna e 23 shtatorit është heshtje zgjedhore, dhe të dielën qytetarët ti drejtohen kutive të votimit. 

Kandidatët e subjekteve zgjedhore duhet të dorëzojnë kandidaturën jo më vonë se data 8 shtator./ Pamfleti

meta basha zgjedhjet në kukës

Lini një Përgjigje