
Juristi Kreshnik Spahiu vijon të jetë i mendimit se Rama e Berisha mbajnë në këmbë njëri tjetrin. Ai u shpreh në një intervistë se dyshja Meta-Berisha do të humbin më 14 maj, por më pas do të dalin të justifikohen se vota u vodhën. Por sipas tij, këtë melodi e mbështet dhe Rama.
“Ai do të thotë: ‘Të nderuar qytetarë, ishte fitore historike, e thellë, por na vodhi narko-shteti. Ishte fitore shumë e thellë, por na vodhi Edi Rama’. E kupton të hënën ky, deri tani s’ka asnjë denoncim. Të hënën, për të mos lëshuar karrigen, që të rrijë aty, edhe Edi Rama nga ana tjetër që e inkurajon”, u shpreh juristi.
Ndërkaq, Spahiu theksoi se më 16 maj edhe kryeministri Rama, do të bëjë ç’ është e mundur që Sali Berisha të mos largohet sepse i intereson që Berisha të jetë aty. Siç sqaroi ai, nëse nuk ka një alternativë, të majtët nuk do të largohen nga pushteti.
Më tej ai u ndal dhe te Meta. Duke ju referuar sondazheve që e nxjerrin si politikanin më të urryer, Spahiu tha se kjo tregon që ai ka ecur gjatë në politikë vetëm falë pazareve dhe jo për shkak të cilësive të tij.
“Fakti që Ilir Meta është figura më e urryer dhe ai vazhdon të rrijë në politikë dhe ka marrë gjithë postet, president, kryeministër, kryetar parlamenti do të thotë që nuk është refleksion i vullnetit dhe sovranitetit popullor, por është produkt i pazareve, i dhunës politike, i kapjes së shtetit, i manipulimit të votave, i pazareve të ndyra dhe të pandershme”, u shpreh Spahiu.
Ai deklaroi se në këto zgjedhje, numri i qytetarëve që nuk do të marrin pjesë në zgjedhje do të jetë shumë i lartë.
Lini një Përgjigje