TAGS-AT E JAVËS

Politike29 Nëntor 2025, 10:09

Mesazhi i dëshpëruar në shishe i Edi Ramës nga Vjena drejt Uashingtonit

Shkruar nga Diplomatico | Pamfleti.net

Mesazhi i dëshpëruar në shishe i Edi Ramës nga Vjena drejt

Bojkoti diplomatik i Uashingtonit dhe hetimet ndaj rrethit kriminal pranë kryeministrit e kanë shtyrë Ramën drejt negociatave të dëshpëruara

Edi Rama po përpiqet t’i dërgojë sinjale SHBA-së për të hapur një kanal negociimi, ndërkohë që diplomacia amerikane e ka futur në izolim të plotë. Vizita e shkurtër e Vanhorn, bojkoti i zyrtarëve të DASH, rënia e komunikimit me Kushner dhe paniku i shkaktuar nga goditjet e fundit ndaj rrethit të tij kriminal, e kanë detyruar Ramën të kërkojë shpëtim politik me mesazhe të koduara drejt Uashingtonit.

Pas mesazhit të parë të koduar, kur foli për prokurorin amerikan, Edi Rama i dërgon amerikanëve sinjalin e dytë për të nisur një negociatë. Negociatë që së paku prej fitores së 11 majit i është mohuar nga çdo kontakt zyrtar i ardhur nga përtej oqeanit. Ka pasur vetëm një takim të Ramës me diplomaten kryesore të SHBA në Tiranë, Nency Vanhorn. Takim që u zhvillua menjëherë pas zyrtarizimit të rezultateve të KQZ-së.

Media pranë mazhorancës e komentoi si një njohje të mandatit të katërt, pra si një legjitimim të tij. Por realiteti është krejt i ndryshëm.

Amerika nuk është një vend i vogël dhe me rëndësi minore si Shqipëria, apo një shtet me peshë relative. Ajo është perandoria më e madhe globale, e cila aktualisht ndodhet në një situatë frustruese nga rënia e fuqisë dhe po riorganizon influencat e saj në botë. Në fund, SHBA mbetet perandoria reale e sferës perëndimore. Këtë e tregon sa herë Presidenti Donald Trump thërret krerët e Europës, të cilët i trajton si “clients”, pra si shtete vasale në kuptimin romak.

Duke u rikthyer tek ne, nuk imagjinohet energjia diplomatike që kërkohet për të legjitimuar një pushtet në një vend të vogël si Shqipëria, ku amerikanët i dinë të gjitha të zezat më mirë se kushdo tjetër.

Lajkat ndodhën vetëm në vitin 2021, kur pas zgjedhjeve Yuri Kim i bëri një lavdërim të ekzagjeruar Edi Ramës, të cilin askush nuk e kuptoi plotësisht, ndoshta as vetë ai. Ato lajka ishin karrota e perandorisë për t’i kujtuar se duhej të bënte gati valixhet. Kërkesë që ia ka dorëzuar personalisht Sekretari Amerikan i Shtetit, Antony Blinken, në pranverën e vitit 2024.

Ndërsa takimi i të Ngarkuarës me Punë, Vanhorn, pas certifikimit të 11 janarit, ishte krejt tjetër. Ndryshe nga Yuri Kim, Vanhorn nuk dha asnjë deklaratë. Ajo qëndroi shumë pak, as 20 minuta në zyrën e Edi Ramës, ndërkohë që vetëm procedurat protokollare të hyrjes konsumojnë 10 minuta. Logjikisht, diplomatja amerikane i ka dorëzuar kryeministrit një mesazh të rëndësishëm nga shefat e saj në Uashington.

Ky mesazh tregon se ka ikur koha e karrotës dhe ka nisur epoka e shkopit. Dhe kjo epokë është vetëm në fazën e saj të parë, që është bojkoti total i kontaktit të zyrtarëve amerikanë me kryeministrin e Shqipërisë.

Nency Vanhorn ka takuar thuajse të gjithë ministrat e qeverisë, takon rregullisht Presidentin dhe kryeparlamentarin, por jo Edi Ramën. Zyrtari i DASH Mark Fleming e bojkotoi gjithashtu kryeministrin, duke ndjekur të njëjtin protokoll si Vanhorn, duke nisur nga Niko Peleshi.

Pas bojkotit dhe izolimit nisin aksionet. Sipas gjasave, lupa amerikane më shumë se te hetimet e sipërfaqshme ndaj qeverisë së Ramës, ka shënjuar rrethin e fuqishëm kriminal pranë tij. Njëri prej tyre u shpall “Non Grata” vetëm tre javë më parë. I terrorizuar nga ky rrethim, Rama po përpiqet të negociojë, duke përdorur edhe metoda të dëshpëruara.

Një prej tyre ishte intervista podcast për gazetën austriake “Die Presse”, ku çoi një mesazh të koduar drejt Uashingtonit. Rama tha tekstualisht:
“më pyetët për Kushner dhe Soros. Po, të dy janë miq. Mund të mos e pëlqejnë njëri-tjetrin, megjithëse nuk jam i sigurt. Megjithatë, bëhet fjalë për ta, nuk bëhet fjalë për mua. Nuk është puna ime të gjykoj, nuk është puna ime të jem pjesë e kësaj. Kjo është Shqipëria dhe kjo është shtëpia për të gjithë miqtë që kemi. Pra, të dy janë në shtëpi këtu”.

Fraza e fundit është më e koduara. Prej kohësh qarkullon informacioni se Soros ka kërkuar garanci për t’u zhvendosur në Shqipëri nëse nisin hetimet ndaj tij dhe fondacionit në SHBA.

Rama ka dashur të thotë se ka mik edhe Jared Kushner, por në të vërtetë nuk ka pasur asnjë sinjal të mëtejshëm prej tij. As për Sazanin dhe as për Ramën. Edhe pse prej kohësh i çon selame përmes miqve të përbashkët.

Këtë synim e kishte edhe vizita në Katar, e cila në aspektin shtetëror ishte një petull në ujë, sepse u kthye pa rezultat. Qëllimi ishte vetëm të kërkonte ndihmë të dëshpëruar që sheikët e Gjirit të ndërhynin tek Donald Trump, meqë ata janë aleatët më të afërt të tij.

Amerikanët duket se kanë zbuluar një thesar të vërtetë komunikimesh, ku SKY dhe të tjerët, ku flasin djemtë e krimit të vogël, janë pesë me hiç. Prandaj Rama duket se nuk e mban më vendi./Pamfleti

 

mesazh në shishe edi rama nga vjena drejt uashingtonit

2 Komente

  1. E
    Ed Leli

    Lutem me qene keshtu siç shkruani ju se u be i padurushm ky gjatovino jone me emrin e shkurtum Edi qe e ka Edvin Rama, ne gj civile. Ka kalu çdo limit kufini dhe perfito nga situata e ketij mashtrusit tjeter psiqik Sali Berisha qe slsho PD . Kom besim se amerikont do kan me ja pre bolet e fishkme. Vetem ke presidenti Trump kom besim.

      Lini një Përgjigje