TAGS-AT E JAVËS

Politike16 Prill 2024, 20:56

Ankth te pushtetarët e Tiranës, Komisioni i Jashtëm në Senat miraton kandidaturën e pasuesit të Yuri Kim!

Shkruar nga Pamfleti
Ankth te pushtetarët e Tiranës, Komisioni i Jashtëm në Senat
David J. Kostelancik

Komisioni për Marrëdhëniet me Jashtë i Senatit amerikan miratoi të martën kandidaturën e diplomatit David J. Kostelancik në postin e ambasadorit të Shteteve të Bashkuara në Shqipëri.

Duket se po merr fund qetësia për klasën politike në Shqipëri. Prej gati një viti ambasada amerikane ka mbetur pa drejtues dhe “minjtë kanë hedhur valle" sipas qejfit. Politika është në kaos, teksa drejtësia po sulmohet nga të katra anët.

Por duket se kjo gjë nuk do të zgjasë dhe shumë, pasi pasuesi i Yuri Kim do të mbërrijë shumë shpejt.

Komisioni për Marrëdhëniet me Jashtë i Senatit amerikan miratoi të martën kandidaturën e diplomatit David J. Kostelancik në postin e ambasadorit të Shteteve të Bashkuara në Shqipëri.

Shtëpia e Bardhë e riemëroi zotin Kostelancik këtë vit si ambasador në Shqipëri, duke rifilluar kështu procesin për shqyrtimin e kandidaturës, pasi në përfundim të kalendarit legjislativ të vitit të kaluar, së bashku me dhjetëra emërime të tjera, ajo nuk u fut në rendin e ditës të Senatit për votim. 

Pas miratimit sot, ai do të shkojë tani në Senat ku dhe do të bëhet votimi final. Ende nuk dihet se kur do të jetë seanca për emërimin e ambasadorit.

David J. Kostelancik është një njohës i mirë i Ballkanit dhe fokus të madh do të ketë luftën ndaj korrupsionit dhe ndikimin rus, dy fenomene mjaft të përhapura në vendin tonë.

Nëse konfirmohem në këtë detyrë do të bashkëpunoj me Shqipërinë për të forcuar institucionet demokratike dhe institucionet e drejtësisë. Presidenti Joe Biden e ka përcaktuar luftën ndaj korrupsionit dhe krimit të organizuar si pjesë të strategjisë sonë kombëtare. Kjo është një sfidë kryesore për vendet e Ballkanit Perëndimor”, tha zoti Kostelancik kur raportoi në Senat. 

Kostelancik është diplomat i Shërbimit të Jashtëm të Lartë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, grada Këshilltar Ministër. Ai ka filluar të shërbejë si këshilltar për politikën e jashtme të Kryetarit të Shefit të Shtabit të Përbashkët, Gjeneral Mark Milley, në gusht 2021. Kostelancik më parë ka qenë Zëvendës Shef i Misionit, dhe për dy vjet, si i Ngarkuar me Punë në Ambasadën e SHBA-së në Budapest, në Hungari, ku ofroi udhëheqje dhe udhëzime politike për stafin e misionit prej më shumë se 350 personash.

Ndër të tjera Kostelancik ka qenë i emëruar në Departamentin e Shtetit Amerikanë si Drejtor i Zyrës për Çështjet e Evropës Jugore –Qendore. Ai ka shërbyer si Drejtor i Zyrës së Çështjeve Ruse, në Byronë e Çështjeve Evropiane dhe Euroaziatike. Gjithashtu diplomati ka qenë Drejtor i Zyrës së Evropës dhe Azisë në Byronë Ndërkombëtare të Narkotikëve dhe Çështjeve të Zbatimit të Ligjit.

Më herët, në karrierën e tij ka shërbyer dy herë në Ambasadën e SHBA-së në Moskë. Detyra të tjera në të cilat Kostelancik është përfshirë janë Misioni i SHBA në OSBE dhe Misioni i SHBA në NATO, duke u fokusuar dhe në bashkëpunimin e sigurisë me Rusinë, Ambasadën e SHBA në Shqipëri dhe Ambasadën e SHBA në Turqi.

Ai ka shërbyer gjithashtu në Këshillin e Sigurisë Kombëtare, duke u përqendruar në marrëdhëniet e SHBA me vendet e Evropës Qendrore.

Kostelancik është diplomuar në Universitetin Northwestern në Matematikë dhe Shkenca Politike, si dhe Master nga Universiteti i Miçiganit në Studimin e Rusisë dhe të Evropës Lindore. Po ashtu ai ka përfunduar Masterin Shkencor nga Kolegji Kombëtar i Luftës në politikën e sigurisë kombëtare. /Pamfleti

Lini një Përgjigje