Sipas “Kathimerinit”, Rama ka projektuar Vangjel Tavon si kryebashkiak të përkohshëm në Himarë
Mediat greke duket se kanë gjetur zëvendësuesin e Fredi Belerit në krye të Bashkisë së Himarës. Kryeministri Rama njoftoi largimin e Jorgo Goros, teksa u shpreh se do të zbatojë vendimin e gjykatës, e cila sugjeronte vendosjen e një administratori të përkohshëm në krye të bashkisë.
Por sipas “Kathimerinit”, Rama ka projektuar Vangjel Tavon si kryebashkiak të përkohshëm. Edhe ky një ish-deputet dhe përfaqësues i minoritetit grek. Tavo ka qenë dikur me LSI, por sipas medias greke, ai ka marrë një telefonatë nga vetë kryeministri.
“Në prag të Krishtlindjeve, ish-ministri dhe deputeti i Dropullit për shumë vite, Vangjel Tavo, një anëtar i shquar i minoritetit grek dhe mjek privat sot, mori një telefonatë nga Edi Rama, i cili i kërkoi të takoheshin për një "kafe" në Tiranë. Tavo, me origjinë nga Jorgucati, e pranoi ftesën, megjithëse marrëdhëniet mes tyre ishin acaruar pasi ai ishte larguar nga Partia Socialiste për të bashkuar forcat me Ilir Metën në themelimin e LSI. Por kësaj telefonate i kishte paraprirë në mes të dhjetorit një tjetër telefonatë e Ramës me Tavon, këtë herë në nivel njerëzor, për një ngjarje të pakëndshme, pikërisht vdekjen e vajzës së tij në një aksident automobilistik. Marrëdhëniet e tyre megjithatë mbeten të “ftohta”.
Pavarësisht kësaj, Rama dhe Tavo janë takuar në një kafene të njohur në kryeqytetin shqiptar dhe atje kryeministri shqiptar, pasi i ka shprehur dëshirën për t'i dhënë fund ngërçit me Athinën, dyshohet se i ka kërkuar ndihmë në këtë drejtim duke marrë përsipër vendosjen e një kryebashkiaku të përkohshëm gjashtëmujor në Himarë. Siç raportojnë kolegët e Tavos, Rama i ka shpjeguar se gjatë kohës që do të jetë kryetar bashkie do të përfundojë gjyqi dhe nëse Beleri shpallet i pafajshëm, ai do të marrë postin e kryetarit, në të kundërt do të shpallen zgjedhje të reja”, thekson media greke.
Sipas të njëjtave burime, Tavo i ka sqaruar bashkëbiseduesit se nuk duhet të harrojë që vjen nga Dropulli dhe jo nga Himara, por Rama i ka thënë se nuk përbën pengesë, vijon artikulli.
Më tej shkruhet se Tavo e ka pranuar propozimin, duke thënë se është gati të ndihmojë në qetësimin e situatës. Por sipas artikullit, ai ka kërkuar konsulta me palën greke dhe nëse ata janë dakord, ai e pranon postin. Madje media e Athinës shkruan se Rama ka dërguar propozimin në kryeqytetin grek, por ende nuk ka një përgjigje. /Pamfleti
Lini një Përgjigje