TAGS-AT E JAVËS

Politike 2 Janar 2024, 22:00

Miku i Ramës, këshilltar në vendet autoritare

Shkruar nga Pamfleti
Miku i Ramës, këshilltar në vendet autoritare
Tony Blair dhe Edi Rama

Pasi u largua nga politika aktive në Britani, Tony Blair ka shërbyer si këshilltar për qeveri dhe organizata ndërkombëtare. Ish-kryeministër i Britanisë për 10 vite radhazi dhe lider i laburistëve për 13 vjet, Blair themeloi Institutin për Ndryshim Global, i cili është paguar nga qeveri të ndryshme të botës.

Por ndërsa shtrin influencën nëpër botë, organizata e Blair nuk u thotë jo as vendeve që janë treguar me gisht për historikun e shkeljes së të drejtave të njeriut.

Dy nga qeveritë e zbuluara së fundmi , se janë kliente të institutit të Blair janë ajo e Emirateve të Bashkuara Arabe (EBA) dhe Bahreinit, sipas ‘The National’.

Instituti për Ndryshim Global, në të cilin Blair është kryetar ekzekutiv i papaguar, filloi të punojë me udhëheqjen e Bahrejnit gjatë 12 muajve të fundit për një program modernizimi, pavarësisht se Bahreini është referuar shpesh si vend ku abuzohet hapur me të drejtat e njeriut.

Po ashtu, organizata e Blair është paguar nga Arabia Saudite pas vrasjes së gazetarit Jamal Khashoggi.

Ndërkohë, paralelisht, organizata ofron mbështetje për ekipin drejtues të COP28.

Presidenti i eventit të mbajtur në dhjetor ishte Sulltan Ahmed al-Jaber, i cili është njëkohësisht shef ekzekutiv i Kompanisë Kombëtare të Naftës Abu Dhabi. Blair ishte mes atyre që përshëndetën emërimin e tij.

Stafi i Blair ka ndihmuar në hartimin e Vizionit 2030 të mbretërisë së Gjirit, një program modernizimi i udhëhequr nga princi i kurorës, Mohammed bin Salman.

Organizata e Blair kishte xhiro prej 111 milionë dollarësh në vitin 2022 për punën këshilluese të qeverisë, ndërkohë që në vitin paraardhës xhiroja ishte 75 milionë dollarë.

Blair e themeloi institutin si një "platformë të re politike për të rimbushur hapësirën e gjerë në mes të politikës" që synon të luftojë një "populizëm të frikshëm autoritar", që sipas tij, në atë kohë po minonte besimin e Perëndimit në demokraci.

Hera e fundit që ish-kryeministri brtianik ka vizituar Shqipërinë ka qenë 13 gushti i 2023. Ai është filmuar teksa zbriti nga helikopteri në stadiumin e Himarës.

Studio ligjore, “Omnia Strategy”, në pronësi të Sheri Blair, bashkëshorte e ish-kryeministrit britanik, Toni Blair, ka përfituar mbi 450 mijë euro nga qeveria shqiptare vetëm në dy javët e fundit të Shtatorit 2022.

Edhe emri i Tony Blair është lidhur disa herë me kryeministrin Rama nga mediat britanike, në lidhje faturën financiare për këshillat që ai i jep qeverisë shqiptare. Kryeministri Rama ka sqaruar se Blair nuk paguhet nga buxheti i shtetit. Por ardhja e kompanisë britanike Crown Agents në Shqipëri u përfol se kishte lidhje direkte me marrëdhënien Rama – Blair. Mediat në Britaninë e Madhe kanë lidhur me qeverinë shqiptare edhe emrin e bashkëshortes së ish –kryeministrit britanik. Cherie Blair u pagua nga qeveria shqiptare afro 500 mijë euro për konsulencën në lidhje me arbitrazhin me kompaninë Rapiscan./ Pamfleti

tony blair rama

Lini një Përgjigje