
Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, mblodhi këtë të hënë në selinë rozë Kryesinë e Partisë Socialiste, ku u emërua një drejtues i ri politik për Dibrën.
Gjatë mbledhjes u zyrtarizua emri i Blendi Klosit si drejtues politik i qarkut të Dibrës nga radhët e PS-së.
Ky vendim i socialistëve vjen pas vakancës së krijuar në Dibër, me largimin e Blendi Gonxhes drejt Tiranës. Gonxhe është zgjedhur të bashkëdrejtojë qarkun e Tiranës me Elisa Spiropalin, Erion Veliajn dhe Ogerta Manastirliun.
Gjithashtu, Kryesia e PS-së vendosi që Pirro Vengu të asistojë Bledi Çuçin në qarkun e Vlorës, duke e bërë këtë qark me dy drejtues politikë nga radhët e PS-së.
Rama ka kërkuar një angazhim më të madh të strukturave në terren dhe kryefjalë ka qenë fushata derë më derë me nisjen e takimeve me qytetarët.
Po ashtu, një tjetër pikë e diskutimit ka të bëjë me votën e diasporës dhe një punë më e madhe në këtë drejtim, kryesisht në identifikimin e të gjithë shtetasve shqiptarë që jetojnë jashtë vendit.
Kujtojmë se kryeministri Edi Rama ka zhvilluar disa takime me diasporën, përfshirë Selanikun, Athinë, Londër dhe SHBA.
Lini një Përgjigje