TAGS-AT E JAVËS

Politike19 Dhjetor 2025, 10:02

Mbledhja e Këshillit të Mandateve për imunitetin e Ballukut, 3 prokurorët e SPAK që do marrin pjesë

Shkruar nga Pamfleti
Mbledhja e Këshillit të Mandateve për imunitetin e Ballukut, 3
Belinda Balluku

Tre prokurorë të SPAK do të marrin pjesë në mbledhjen e Këshillit të Mandateve ku do të shqyrtohet kërkesa për autorizim për arrestimin e Belinda Ballukut.

Tre prokurorët janë: Dorina Bejko, Dritan Prençi dhe drejtuesi i ri i SPAK, Klodian Braho.

Këshilli i Mandateve dhe Imunitetit do të mblidhet sot për të shqyrtuar kërkesën e SPAK për autorizim për arrestimin e numrit 2 të qeverisë, Belinda Balluku. Partia Demokratike dhe kryeparlamentari Niko Peleshi më herët janë përfshirë në debate sa i takon USB-së, e cila është kyçur në kasafortën e protokollit me argumentin se materialet janë sekret hetimor. Gjatë mbledhjes pritet të diskutohet, edhe me prokurorët e SPAK, se si do të trajtohen këto materiale.

Ndërkohë, në relacionin e dorëzuar në Kuvend për heqjen e imunitetit të Ballukut, SPAK rendit edhe arsyet se përse kërkon arrestimin e saj. Balluku dyshohet se ka manipuluar 12 tenderë me vlerë 1.2 mld euro, u ka bërë presion dëshmitarëve dhe rrezikon të bëjë krime më të rënda për shkak të personalitetit, renditet në relacionin e SPAK.

Në mbledhjen e sotme, zv.kryeministrja ka të drejtë të paraqitet vetë ose me avokat mbrojtës për t'u mbrojtur. 

Me kërkesë të SPAK, GJKKO vendosi pak ditë më parë pezullimin e Ballukut nga detyra e ministres dhe zv/kryeministres. Kjo gjë shkaktoi reagim të fortë nga ana e kryeministrit, pasi sipas tij, GJKKO ka marrë kompetenca që nuk i takojnë.

Qeveria argumenton se ministri ka imunitet si deputeti dhe nuk mund të pezullohet. Çështja shkoi në Kushtetuese dhe javën që lamë pas kjo e fundit e pranoi kërkesën e Ramës, teksa pezulloi vendimin e GJKKO deri në marrjen e një vendimi final. Mirëpo SPAK duket se ka marrë si sfidë dhe tani ka bërë një tjetër kërkesë, ku kërkon heqjen e imuniteti për Ballukun me qëllim lejimin e një mase shtrëguese ndaj saj.

Lini një Përgjigje