U bënë disa muaj që 3 deputetët e Tom Doshit nuk votojnë ligjet, teksa PDIU po jep sinjale kalimi me PS...
Pozitat e mazhorancës janë lëkundur ditën e sotme në Parlament. Edhe pse Edi Rama pak javë më parë u “tërhoqi veshin” deputetëve, duke ju kërkuar të mos mungojnë të enjteve, sot PS e gjeti veten në vështirësi.
Në sallë ishin 68 deputetë dhe votimi i ligjeve u bë në shkelje flagrante. Rregullorja e thotë qartë se duhen 71 vota që të sigurohet kuorumi. “Kuorumi për çeljen e votimit parlamentar është të paktën 71 deputetë”, thuhet në nenin 55 të Rregullores.
Në sallë mungonin 10 deputetë të PS, pasi 4 emra prezent ishin nga PSD e Tom Doshit dhe PDIU, 2 nga secila parti.
U bënë disa muaj që 3 deputetët e Tom Doshit pavarësisht pjesëmarrjes nuk votojnë ligjet dhe drejtuesja e seancës nuk tha mesa vota kaluan ligjet, pasi nuk dihet nëse ata votuan. Në shumë raste ata e kanë shpëtuar nga vështirësitë PS, por këtë herë ka plasur lufta Rama-Doshi dhe votat e PSD nuk janë të sigurta. Sot u duk qartë se pozitat e Ramës janë në fije të perit.
Nuk është çudi që vendin e Doshit të zërë Shpëtim Idrizi, i cili shkon nga ka interesin. U bënë disa herë që PDIU bashkon votat me PS dhe sot bëri të njëjtën gjë.
PD ka kërkuar të anulohet seanca e sotme, pasi kuorumi u shkel. Drejtuesja e seancës Ermonela Felaj kaloi të gjitha ligjet pa thënë numrin e votave që morën. Duke shtuar akoma më shumë dyshimet se PS po përdor thjesht kartonët për të kamufluar situatën. /Pamfleti
Lini një Përgjigje