Kryetari i Kuvendit, Niko Peleshi iu përgjigj akuzave të opozitës, se kanë manipuluar votat për barazinë gjinore.
Peleshi iu drejtuar Luçiano Boçit duke i thënë se procesverbali gjenerohet nga sistemi elektronik.
Ai i këshilloi demokratët që kur nuk janë në sallë të mos lënë kartat brenda vendosur në sistem, pasi rezulton sikur ata janë prezent.
“Procesverbali gjenerohet nga sistemi elektronik. Votimi ka qenë i hapur me elektronik. Nëse kartën e lini të vendosur brenda, rezulton që jeni prezent. Për të mos e keq informuar sistemin hiqeni kartën kur nuk jeni prezente. Dhe votimi kundër nuk bëhet me mendje por shtypje butoni. Sistemi është elektronik”, tha Peleshi.
Në Kuvend, Boçi tha se shumë deputetë të Partisë Demokratike nuk ishin të pranishëm në sallë dhe në procesverbal janë llogaritur sikur kanë votuar kundër.
"Po i referohem proces verbalit për votimin që është bërë për ligjin për barazinë gjinore. Këtu thuhet që kanë qenë të pranishëm 135 deputetë, pro 77, kundër 36 dhe kanë marrë pjesë në votim 113, të pranishëm që nuk kanë votuar janë 22.
Ky procesverbal është i falsifikuar. Të pranishëm nga deputetët e PD kanë qenë 36 dhe në unison kanë votuar kundër. Ju furnizoni mediat me dokumente të falsifikuara.
Jozefina Topalli nuk ka qenë prezente dhe e keni shënuar nuk votoi. Ina Zhupa nuk ka qenë dhe e keni shënuar votoi.
Madje, Gaz Bardhi ka qenë i përjashtuar nga ju dhe në procesverbal është shënuar që nuk ka votuar. Kjo nuk është rastësi, kjo është e qëllimshme. Nuk e di sa herë ka ndodhur kjo histori në ligje sensitive", tha Boçi.
Lini një Përgjigje