Letra që ndezi skenën politike: Imamoglu e vendos Veliajn përballë Ramës...
Letra e publikuar nga kryebashkiaku i Stambollit nuk është kortezi diplomatike, por një mesazh i qartë politik: një paralelizëm mes betejës së Imamoglut kundër Erdoganit dhe asaj të Veliajt ndaj liderit të mazhorancës. Publikimi i dokumentit e bën të qartë se përplasja Veliaj–Rama ka hyrë në fazë të re dhe tashmë shihet edhe nga jashtë.
Jo pak vetë ironizuan kur “Pamfleti” solli si qasje koincidencën mes arrestimit të kryebashkiakut të Tiranës dhe atij të Stambollit, duke i trajtuar këto ngjarje si të ndara dhe pa lidhje me njëra-tjetrën. Mirëpo situata mori tjetër drejtim kur u publikua letra që Ekrem Imamoglu, kryetari i bashkisë së Stambollit dhe figura kryesore e opozitës turke, i ka dërguar Erion Veliajt. Letra është qartësisht politike: Imamoglu i shkruan Veliajt se “luftrat për demokraci” janë të lidhura mes tyre dhe se çdo betejë për drejtësi në një vend ka jehonë përtej kufijve.
Në kushtet kur kjo letër del në publik, ajo nuk është një fjalë kortezie midis dy kryebashkiakëve. Imamoglu është sot nën akuzë nga qeveria turke me një listë penale aq të fryrë sa teorikisht shkon deri në 2 mijë vite burg. Ai nuk ka luksin të merret me letra formale. Për këtë arsye, mesazhi i tij nuk është sentimental, por krejt politik. Ai e sheh veten dhe Veliajn si dy figura të futura në betejë me pushtetet respektive në mënyra të ndryshme. Në Turqi, Imamoglu është lider i opozitës dhe kundërshtari më serioz i Erdoganit. Në Shqipëri, Veliaj është përjashtuar dhe trajtuar si rival politik nga Edi Rama që prej dy vjetësh.
Që nga momenti kur Sekretari Amerikan i Shtetit Antony Blinken vizitoi Tiranën dhe takoi vetëm Ramën dhe Veliajn, marrëdhënia mes kryeministrit dhe kryebashkiakut ndryshoi rrënjësisht. Rama e pa këtë takim si një sinjal rreziku. Që atëherë ka punuar që ta izolojë Veliajn, duke i larguar njerëzit, duke i marrë strukturat dhe duke i vendosur mbi kokë një procedim penal që shumë e lexojnë si politik. E gjithë kjo u përforcua pak ditë më parë, kur Rama u shpreh publikisht se “nuk e kam një bir që të më vrasë”, duke nënvizuar se trashëgimtarin politik do ta caktojë vetë dhe se Veliaj nuk është më pjesë e kësaj llogarie.
Në këtë mjedis, letra e Imamoglus merr një tjetër peshë. Ajo është një akt politik solidarizimi, por edhe një paralajmërim. Imamoglu e sheh veten në raport me Erdoganin njësoj siç sheh Veliajn në raport me Ramën. Përndryshe, letra do të ishte private dhe nuk do të bëhej publike. Publikimi i saj përmbys logjikën e fjalëve të ngrohta midis miqsh dhe e shndërron në një deklaratë politike të drejtpërdrejtë, ku bëhet krahasimi midis dy liderëve lokalë të shtypur nga lidershipi qendror.
Në këtë këndvështrim, letërkëmbimi nuk është një rastësi, por një sinjal i qartë se Erion Veliaj ka hyrë tashmë në një marrëdhënie krejt të re me pushtetin. Mesazhi është i nënkuptuar: njësoj si në Stamboll, edhe në Tiranë, beteja politike e kryebashkiakut do të jetë e pashmangshme dhe e drejtpërdrejtë me liderin e mazhorancës. Nëse kjo është një parathënie e ndonjë zhvillimi të afërt apo thjesht një manifest simbolik, mbetet për t’u parë. Por kjo letër shënon fillimin e një skeme të re politike ku Veliaj nuk është më vetëm kryebashkiak, por një figurë në trajektoren e përplasjes me qendrën e pushtetit./Pamfleti
Po pra "nje figure ne trajektoren e perplasjes me qendren e pushtetit". Dhe ne kete trajektoren nuk dihet se kush ka dhene me shume ndihmese per 5D, djegesin e Tiranes, "pyllin orbital" me beton, katet e "padukshme" pa leje perballe bashkise, "zero leje ndertimit", luften kunder majdanozit, prindit 1 e prindit 2, martesat e bq ne tarracen e bashkise, kasetave ne televisione per kronika të gatshme, "zjarrin te bar Sahati", etj., etj.