A do të vazhdojë të mbetet Dritan Abazoviç king-makeri i politikës malazeze?
Të gjithë kanë kënduar për fitore mbrëmë pas mesnate në Mal të Zi. Partia e Presidentit Jakov Milatoviç-PES ka dalë partia e parë në Parlament, por ka marrë vetëm 23 deputetë.
Milojko Spajiç, kryetari i partisë ka hapur shampanjën së bashku me ish-kryeministrin Zdravko Krivokapiç, por ajo shampanjë nuk është gjë tjetër veçse një trill diskoteke për të treguar fuqinë që nuk e kanë.
Mali i Zi ka dalë nga zgjedhjet e 11 qershorit, siç ky vend ka qenë që në lindjen e tij, një territor i ndarë në principate knjazësh, vojvodash e bajraktarësh.
Askush nuk e ka mazhorancën për të formuar qeverinë e re. Kemi një panoramë thuajse fotokopje si në vitin 2020, kur partia e Milo Gjukanoviçit e humbi për të parën herë shumicën absolute, por gjithsesi mbeti partia e parë në vend. Ashtu ka ndodhur edhe dje.
Partia e Milo Gjukanoviçit, tashmë jo kryetar i DPS ka marrë 21 deputetë. Në vend të tretë është koalicioni i partive serbe i udhëhequr nga Milan Knezeviç që ka karrë 14 deputetë.
Në vend të katërt është koalicioni ndoshta më i rëndësishëm që do të jetë kingmakeri i politikës malezeze. Koalicioni i Dritan Abazoviçit me demokratin Aleksa Beçiç ka marrë 12 deputetë.
Pakicat kombëtare kanë marrë 10 deputetë, 6 nga to i kanë boshnjakët, 3 shqiptarët dhe një deputet ka partia kroate. Ndërkaq 3 deputetë ka SNP-ja e vjetër e Momir Bulatoviçit.
Po kush do të jetë kryeministri i ri i Malit të Zi?
Milojko Spajiç, lideri i PES i ka duart e lidhura. Nëse do të bëjë koalicion me partitë serbe, siç ka vepruar në vitin 2020, nuk do t’i afrohet askush e mund të rrëzohet shpejt. Mbrëmë, Spajiç ka deklaruar se nuk do të bëjë negociata me DPS e Gjukanoviçit dhe URA-n e Abazoviçit. Duke joshur kështu të gjithë pakicat që kanë 10 deputetë, por me këto numra nuk e bën dot qeverinë.
Spajiç ka dy rrugë: ose të bëjë një qeveri me DPS ose me Dritan Abazoviçin, të vetmit që i ka përjashtuar. Ndryshe nuk bën dot qeveri.
Partia e Spajiç ka një borxh që duhet ta lajë me Dritan Abazoviçin: Kryeministri aktual i Malit të Zi mbështeti fort Jakov Milatoviçin për President, e pa të nuk do të zgjidhej kurrë.
Ndërkaq, Dritani i ka hapur një proces liderit të mazhorancës relative, një proces penal që pritet të hetohet nga prokuroria, për një lidhje të Spajiçit me kreun mashtrues të kriptomonedhës-koreanit de Kwon.
Dritan Abazoviç dhe Aleksa Beçiç, ish-kryetari i Parlamentit të Malit të Zi, njeriu që bashkoi votat me Milo Gjukanoviçin për të rrëzuar Dritanin nga qeveria, por që praktikisht nuk ja arriti, kënduan fitoren mbrëmë. Dritan Abazoviçi tha se nuk mund të ketë qeverisje në Mal të Zi pa të në qeveri. Madje shtoi se ata do të jenë shtylla kryesore e qeverisë së re.
Dritan Abazoviç edhe pse ka kënduar për fitore, e di mirë se partneri i tij Aleksa Beçiç, edhe pse e ka mbështetur, madje ka qenë dëshmitar në dasmën që u bë një javë më parë, mund ta tradhëtojë. Siç bëri një vit më parë. Plani i Spajiç është diabolik. Një qeveri me deputetët e Aleksa Beciç që janë 7 dhe pakicat që janë 10.
Por a janë të gatshme partitë shqiptare që të bëhet një qeveri pa Dritanin, ndërkohë që kanë marrë poste në qeverinë e tij? Politika është politike, e ka gjasa që ta bëjnë këtë marrëveshje. Pra një qeveri me PES me deputetët e Beçiçit dhe pakicat. E që në opozitë të mbesë DPS, URA, dhe partitë proserbe të frontit Demokratik. Ky në fakt po diskutohet në Tuz e Ulqin, ku rivalët shqiptarë të Dritan Abazoviçit po e shohin veten si të pavarur nga ulqinaku dinak e inteligjent.
Por dardha e ka bishtin prapa. Nëse qeveria e sotme e Dritan Abazoviçit çon një denoncim në prokurori për Milojko Spajiç, ai nuk bëhet kryeministër dot, e sërish situata kthehet në origjinë.
Në vija të trasha: përveç partive të para që kanë mbi 20 deputetë, të gjithë të tjerët kanë 10 deri 14 e do të luajnë deri në fund, por që nuk mund të bëjnë asgjë vetëm.
E këtu peshë do të ketë presidenti malazez, Milatoviç, i cili jo vetëm e ka pasur jetike mbështetjen e Dritan Abazoviçit, por edhe SHBA e BE i kërkon një qeveri me të. E nuk është çudi që të jetë sërish kryemiministër, ose së paku siç ndodhi në vitin 2020, të ketë çelësin e tre ministrive kyçe që garantojnë mos devijimin e Malit të Zi nga NATO. Me fjalë të tjera, Dritan Abazoviç mbetet sërish king-makeri i politikës së Malit të Zi./ Pamfleti
Lini një Përgjigje