
Partia Demokratike dhe aleatët e saj kanë përmbyllur listat e kandidatëve për deputet për zgjedhjet e 11 majit, ndërsa janë krijuar jo pak pakënaqësi në rradhët e demokratëve.
Listat e kandidatëve faktuan se primaret në shumicën e tyre ishin një proces i parëndësishëm, pasi votat e mbledhura nga kandidatët nuk i shërbyen për të siguruar një vend në listën e mbyllur. Dhe alternativa e vetme që u ka mbetur fituesve të primareve ishte përfshirja në listën e hapur, ku shanset për të fituar minimizohen ndjeshëm.
Po çfarë ka ndodhur konkretisht?
Nëse i referohemi rezultateve zyrtare të primareve dhe i krahasojmë me listat e kandidatëve, shihet qartazi se ata që kanë arritur të depërtojnë në listat e mbyllura numërohen me gishtat e dorës.
Në Shkodër në listë u përfshi Ramadan Likaj, që doli i pari në primaret e qarkut, por u dogj Bardh Spahia që renditej i 3-ti si më i votuari.
Në Qarkun e Lezhës jashtë listës së mbyllur mbeti Gjin Gjoni fituesi i primareve, sikundër në qarkun e Durrësit Igli Cara arriti të futej në listën e mbyllur duke u renditur i 5-ti.
Në Qarkun e Elbasanit, Dashnor Sula dhe Ilirjan Alliu, dy nga emrat më të votuar nga primaret, u lanë jashtë listës së mbyllur, çka solli reagimin e deputetit Sula.
Në Korçë, Edmond Spaho gjithashtu ndër më të votuarit mbeti jashtë listës së mbyllur, dhe po kështu ndodhi me kandidatët e Gjirokastrës e Kukësit.
Në Qarkun e Dibrës më i votuari ishte Ilir Krosi, i cili gjithashtu mbeti jashtë listës, ndërsa u tërhoq nga gara për një vend deputeti.
Dhe natyrisht ‘masakra’ më e madhe me listat e kandidatëve për deputet ndodhi në Tiranë. Asnjë prej emrave të votuar nga primaret nuk u përfshi në listën e sigurtë, ku të 12 emrat e renditur, 4 i përkasin aleatëve dhe 8 të tjerë janë Berisha dhe ata që i treguan besnikërinë maksimale nga 2021 deri në ditën e sotme, kur ai vulosi listat.
Kështu Jorida Tabaku, më e votuara mes grave në PD nga primaret, bashkë me Dhurata Çupin, e shohin veten në listën e hapur, ndërsa duket se pozicionet e tyre ua ka dhënë Jozefina Topallit dhe Albana Vokshit.
Ilir Alimehmeti, një tjetër emër i votuar, e sheh veten në listë të hapur, sikundër Grigels Muçollari. Dallimi i vetëm është se qoftë Alimehmeti ashtu edhe Muçollari i paraprinë asaj që po ndodhte dhe u vetëofruan si kandidatë të listës së hapur.
Hysen Kadiu, më i votuari i të gjitha primareve, është qershia mbi tortë e procesit. Ai u gënjye, të paktën e pohon edhe vetë publikisht se kishte rënë dakort të ishte në listën e mbyllur, por çuditërisht në momentet e fundit, një dorë e ‘zezë’ e spostoi. Kadiu deklaroi tërheqjen nga gara.
Lini një Përgjigje