Kryeministri Edi Rama prezantoi ditën e sotme ministrin e ri të Drejtësisë, Besfort Lamallarin.
Kreu i qeverisë u shpreh se duhet konsoliduar pavarësia e sistemit gjyqësor, pasi është një nga kushtet themelore të integrimit në Bashkimin Europian.
Rama tha se drejtësia në vendin tonë është e pavarur dhe se pushteti ekzekutiv duhet të mbajë duar larg saj.
“Besoj që me mbështetjen e ekipit të kësaj Ministrie dhe në bashkëpunim me të gjithë, Besforti do t’ja dalë të çojë përpara një punë të nisur prej disa vitesh tashmë dhe të vazhduar nga ministri i deritanishëm Ulsi Manja. Në kushtet kur kemi marrë përsipër një transformimi epokal të marrëdhënies së pushtetit ekzekutiv me gjyqësorin, roli i Ministrisë së Drejtësisë ka ndryshuar dhe sfidat e Ministrisë së Drejtësisë janë ridimensionuar. Ndërkohë që siç e dini dhe ju, territori mbulimit të çështjeve të drejtësisë në shtetin shqiptar është territori që zë vendin më të gjerë në procesin e negociatave të anëtarësimit. Është shumë e rëndësishme që në të gjithë të përditshmen tonë ne të mos e humbim nga vëmendja thelbin e misionit tonë në raport me drejtësinë, që është të garantojmë dhe konsolidojmë pavarësinë e sistemit tonë gjyqësor si një pushtet kushtetues i pavarur nga ekzekutiv në letër, por vetëm prej shumë pak vitesh i pavarur dhe në realitet. Është një pavarësi që është larg së qeni e garantuar përgjithmonë”, tha fillimisht Rama.
Më tej kreu i qeverisë, vlerësoi punën e admionistratës publike e cila sipas tij është vlerësuar maksimalisht në Bruksel.
Rama deklaroi se edhe vetë ai ishte i pasigurt se si do të përballohej fluksi i punës nga administrata shqiptare pas hapjes së negociatave.
“Suksesi ynë varet nga kontributi i secilit prej jush. Negociatat për anëtarësim ne na kanë vënë para syve një realitet që nuk e njihnim siç duhej. Realitetin e një fuqie profesionale të konsiderueshme në administratën tonë publike. Ballafaqimi me Brukselin nuk të lë të fshihesh as të mundëson të bësh “makiazh”. Kemi marrë duartrokitje nga Brukseli dhe kjo ishte një surprizë e madhe, frika më e madhe ime ishte çfarë do bëjmë ne kur të hapen negociatat sepse do lëmë nam. Isha influencuar nga thashethemet e përditshme dhe fjalët e pa merituara për administratën tonë. Jemi të bindur që mund të bëjmë shumë më tepër dhe më mirë. Këtë sfidë duhet t’ia bëjmë çdo ditë për të marrë më shumë rezultat dhe besoj se kjo është shumë e mundur”, tha Rama.
Lini një Përgjigje