
Shtyhet për të tretën herë vendimmarrja e Kushtetueses...
Gjykata Kushtetuese vijon të mbajë pezull vendimin sa i takon çështjes “Balluku”.
Qeveria i është drejtuar me një ankimim gjykatës, ku kërkon rrëzimin e masave të sigurisë nga ana e GJKKO, duke pretenduar se ajo ka shkelur Kushtetutën dhe ka marrë kompetencat e Kryeministrit, Presidentit dhe Kuvendit.
Por Kushtetuesja duket se po e zvarrit procesin, duke shtyrë sërish vendimmarrjen, nëse do të pranohet ankimimi i Kryeministrit apo jo. Pak më parë është bërë me dije se Mbledhja e Gjyqtarëve është shtyrë për në datën 12 dhjetor.
Kjo është shtyrja e tretë që bëhet. Ankimimi i Kryeministrit u bë më 21 nëntor. Dosja kaloi te Kolegji i Gjyqtarëve, i cili fillimisht u mblodh të enjten e javës që lamë pas, por mbledhja u shty për në datën 2 dhjetor. Dje Kolegji nuk pati unanimitet dhe dosja kaloi te Mbledhja e Gjyqtarëve, e cila do të vendosë mbi fatin e dosjes nëse do të kalojë për shqyrtim apo jo në seancë plenare.
Mbledhja pritej të mbahej nesër, por Kushtetuesja njofton se është shtyrë për në datën 12 dhjetor. GJK shprehet se kjo ka ndodhur për shkak të kompleksitetit të çështjes, volumit të materialeve shoqëruese dhe agjendës së Gjykatës, si edhe mbështetur në kërkesën e disa prej anëtarëve të saj.
Në kërkesën e dërguar në Kushtetuese Këshilli i Ministrave thotë se vendimi i Gjykatës së Posaçme për pezullimin nga detyra të zv/kryeministres dhe ministres të Infrastrukturës dhe Energjisë ndërhyn drejtpërdrejtë në kompetenca e 3 organeve të shtetit: kryeministrit, Presidentit dhe Kuvendit.
“Pezullimi sjell pasoja të rënda të interesit shtetëror e shoqëror duke krijuar vakuum institucional pasi pamundëson propozimin e projekteve me rëndësi kombëtare për integrimin në Bashkimin Evropian, rreth 800 projekte për tu miratuar deri në fund të 2027 nga ministria që udhëhiqet nga ministri, i cili është pezulluar nëpërmjet vendimit të GJKKO-së”, arsyeton Këshilli i Ministrave.Sipas qeverisë, Belinda Balluku nuk mund të pezullohej nga detyra, pasi në cilësinë e anëtares së qeverisë gëzon të drejtat si deputete.
Qeveria në argumentet e saj i referohet nenit 103 të Kushtetutës, ku shprehimisht thuhet:
1. Ministër mund të caktohet kushdo që ka cilësitë për deputet.
2. Ministri nuk mund të ushtrojë asnjë veprimtari tjetër shtetërore dhe as të jetë drejtues ose anëtar i organeve të shoqërive fitimprurëse.
3. Anëtarët e Këshillit të Ministrave gëzojnë imunitetin e deputetit.
Kjo shtyrje është dhe një “goditje” ndaj kryeministri, i cili pak më herët reagoi në rrjetet sociale duke deklaruar se çdo ditë që kalon po dëmtohet puna e qeverisë.
“Ja konkretisht nga tryeza ime e punës sot, shembujt konkretë, krejt aktualë, pse unë i kam kërkuar Gjykatës Kushtetuese heqjen e pezullimit absurd të një anëtari të qeverisë dhe pse të pezullosh një ministër (për herë të parë në botë) sjell pasoja që cenojnë konkretisht funksionimin e qeverisë dhe interesin publik:
Kanë përfunduar diskutimet në nivel teknik dhe kthim përgjigja pozitive e palës kanadeze, i ka hapur rrugë lidhjes së marrëveshjes dypalëshe mes Shqipërisë dhe Kanadasë për nisjen e fluturimeve ajrore trans-oqeanike midis dy vendeve.
Mirëpo kjo procedurë, aktualisht nuk mund të vijojë me hapat e mëtejshme të miratimit e të nëshkrimit të saj, pasi autoritetin ekskluziv për këto hapa, Kushtetuta ia jep ministrit dhe kompetencat e vendimmarrëse të tij nuk mund të delegohen tek askush tjetër.
Kështu që pezullimi në fjalë, vendos një pikëpyetje të madhe mbi fillimin e fluturimeve në qershor 2026, sipas parashikimit”, shkruan Rama. /Pamfleti
Lini një Përgjigje