E vërteta e trishtë e luftërave është se ato fitohen nga ata që kanë më shumë municione...
Kaja Kallas është një nga zërat më të qartë, që deklaron se Ukraina duhet ta fitojë luftën kundër Rusisë dhe se Vladimir Putin duhet ta humbasë atë. Kryeministrja estoneze, një politikane liberale që ka rritur taksat në vendin e saj për të investuar më shumë për sigurinë për shkak të kërcënimit rus, ka udhëhequr nismat vendimtare të BE-së për të mbështetur Kievin.
Ajo u kërkon vazhdimisht vendeve të BE-së dhe NATO-s që të investojnë më shumë në mbrojtje. Kremlini e ka futur në listën e tij të të kërkuarve. Putin nuk i ka braktisur synimet e tij imperialiste, thotë Kallas, dhe ai nuk do të ndalet në Ukrainë nëse do të arrijë që ta pushtojë të gjithën. Dhe kjo nuk do të prekë vetëm fqinjët e Rusisë, por të gjithë në Evropë thotë 46-vjeçarja në një intervistë për EL PAÍS.
BE-ja ka thënë se do ta mbështesë Ukrainën për aq kohë sa të jetë e nevojshme. Por duket se po bëhet gjithnjë e më e vështirë të merren vendime historike. Ndihma ushtarake efektive dhe vendimtare po reduktohet dhe vonohet ...
Kjo është e vërtetë. Nëse nuk e vendosim fitoren si objektiv, atëherë nuk jemi duke vepruar në përputhje me zotimet. Për këtë arsye duhet ta vendosim vërtet si objektiv fitoren e Ukrainës në këtë luftë. Deri më tani nuk kemi qenë aq sa duhet të shpejtë. E vërteta e trishtë e luftërave është se ato fitohen nga ata që kanë më shumë municione.
Dhe Ukraina nuk ka marrë municionin që i nevojitet çdo ditë për t’i rrëzuar raketat ruse. Rusia po bombardon ditë e natë infrastrukturën civile dhe njerëzit në shtëpitë e tyre. Dhe kjo është shumë e tmerrshme …Çfarë mund të bëjmë? Kjo është arsyeja pse kam bërë thirrje që vendet që kanë mbrojtje ajrore t’ia japin sa më parë Ukrainës.
Nuk mendoni se qëllimi i BE-së është fitorja e Ukrainës?
Nëse dëgjoni me kujdes deklaratat, disa flasin për fitore të Ukrainës. Ka të tjerë që thonë se Ukraina nuk duhet të humbasë, gjë që është e ndryshme. Ose ka të tjerë që thonë se Rusia nuk duhet të lejohet të fitojë, që është gjithashtu një qasje tjetër. Prandaj, unë kam lobuar që të vendosim si objektiv fitoren e Ukrainës. Siç e tha me të drejtë historiani Timothy Snyder, luftërat nuk fitohen gjithmonë. Por ato nuk fitohen asnjëherë nëse nuk vendoset fitorja si synim.
Presidenti ukrainas Volodymyr Zelenskiy, ka bërë thirrje për më shumë mbrojtje kundërajrore dhe një sistem të ngjashëm me atë në Izrael, që i rrëzoi dronët dhe raketat iraniane të shtunën e kaluar. Por edhe që aleatët e Ukrainës t’ia japin atij mbështetje. A është kjo e realizueshme?
Ukraina nuk i ka kërkuar askujt që të shkojë atje dhe rrëzojë raketat ruse. Ajo kërkon vetëm pajisjet, ndërsa punën do e bëjnë vetë ukrainasit. Kjo është më pak e kushtueshme për Perëndimin, dhe për më tepër shmang zgjerimin e konfliktit.
Ju keni udhëhequr disa nisma në mbështetje të Ukrainës, siç është dërgimi i 1 milionë fishekëve të artilerisë. Ju hodhët gjithashtu idenë e emetimit të eurobonove për financimin e mbrojtjes. Çfarë tjetër propozoni?
Ne mendojmë gjatë gjithë kohës sesi të bëjmë më të mirën për Ukrainën dhe veten. Tani po punojmë mbi eurobonot. Cili është problemi që po përpiqemi të zgjidhim? Mungesa e fondeve për rritjen e investimeve në mbrojtje. Industria po thotë se ne nuk kemi porositur ende armë dhe municione shtesë.
Qeveritë po thonë se nuk kanë fonde për t’i blerë këto pajisje mbrojtëse shtesë. Dhe fondet e kapitalit privat dhe Banka Evropiane e Investimeve kanë një kufizim për të investuar në industrinë e mbrojtjes. Mendoj se duhet të punojmë në pista të ndryshme, dhe një ndër to janë eurobonot. Kur nuk kemi fonde të mjaftueshme, atëherë duhet të mbledhim kapital nga jashtë.
A ka një konsensus mbi eurobonot?
Mua me vjen mirë të shoh që edhe vendet në fillim nguruese kanë nisur ta shohin pozivitisht këtë ide.
A është një mundësi reale përhapja e luftës dhe mbërritja deri tek një vend i BE-së?
Rusia nuk i ka ndryshuar qëllimet e saj. Në rast se ajo ka sukses në Ukrainë, atëherë ka në dispozicion një ushtri me 1 milionë njerëz të armatosur dhe një industri ushtarake që punon me 3 turne për t’i furnizuar ata. Pra, është vetëm çështje kohe se kur do të nisë lufta e ardhshme.
Tani pyetja për ne është se çfarë po bëjmë gjatë kësaj kohe?
A po përgatitemi të ndihmojmë në frenimin e Rusisë, që kjo të mos ndodhë për shkak se ne jemi shumë të fortë, ndaj rusët do të ngurojnë të ndërmarrin një hap tjetër, apo po përpiqemi të mbyllim sytë dhe të pretendojmë se kjo nuk po ndodh? Kështu vepruam para vitit 2022, kur Rusia nisi pushtimin në shkallë të plotë të Ukrainës. Ndaj gjykoj se duhet ta kapërcejmë këtë problem dhe të përgatitemi seriozisht.
A ka përjetuar Estonia, një vend në krahun lindor të BE-së dhe NATO-s, një shtim të sulmeve hibride nga Rusia?
Po. Ka jo pak sulme hibride, dhe nuk mendoj se janë vetëm kundër Estonisë. Sulmet kibernetike shumë më të mëdha se ato të vitin 2007 (kur Estonia u detyrua të mbyllë kufijtë e saj dixhitalë) po ndodhin çdo ditë. Ne po vëmë re më shumë nga këto sulme hibride, qoftë përmes luftës së informacionit, sulmeve kibernetike, përdorimit të emigrantëve si armë apo edhe mjete të tjera. Dhe ne e shohim këtë edhe tek vendimet e mëdha që po merr Evropa… Ne dëgjojmë edhe vende të ndryshme si Belgjika apo Republika Çeke, që tani po zbulojnë pro-rusët brenda shoqërive të tyre.
Disa njerëz besojnë se retorika e BE-së është bërë tepër luftarake. Për shembull, tani po flitet për një ekonomi lufte. Për këtë ka folur edhe kryeministri spanjoll, Pedro Sanchez në samitin e fundit të BE-së. Çfarë mendoni ju?
Unë nuk njoh askënd në Ukrainë që të jetë pro luftës. Dhe as në Estoni, Poloni apo vende të tjera në kufi me Ukrainën apo Rusinë. Të gjithë jemi pro paqes. Por nga ana tjetër e dimë se veprimet e Rusisë janë e kundërta e paqes. Dhe zgjidhja nuk është t’i dorëzohemi asaj që dëshiron Rusia, pasi kështu oreksi i saj vetëm do të rritet. Zgjidhja është të jesh mjaftueshëm i fortë dhe të përballesh me një shtet agresiv, në mënyrë që ai të mos e zgjerojë sjelljen e tij.
Ka nga ata që besojnë se riarmatimi që po kryen BE mund të çojë në luftë...
Unë mendoj se është e kundërta. Janë rusët ata që po riarmatosen. Pra, nëse rrimë vetëm duke parë dhe nuk bëjmë asgjë, atëherë Rusia merr sinjalin se jemi të dobët. Se ajo mund të nisë një luftë tjetër pasi evropianët nuk do të mbrojnë veten. Sepse ata s’kanë me çfarë të mbrojnë veten. Por nëse jemi të përgatitur, atëherë edhe rusët do të mendojnë se s’do të kenë sukses. Dhe kjo varet vetëm nga investimet tona në mbrojtje, në mënyrë që të kemi një pengesë të besueshme… Mund dhe duhet të bëjmë më shumë për të parandaluar këtë luftë.
Dhe leksioni që na vjen nga vitet 1930 është se kur diçka përhapet në Evropë, do të zgjerohet shumë shpejt dhe do të prekë që të gjithë botën. Për këtë arsye jemi të në njëjtën varkë.
Në atë kohë pushtimi gjerman i Rheinland-it, lufta civile spanjolle, pushtimi italian i Etiopisë u trajtuan si kriza të veçanta... Por ne duhet të shohim të gjithë panoramën. S’mund të bëjmë të njëjtin gabim./Në shqip: Pamfleti
Lini një Përgjigje