
Kryeministri Edi Rama shpalli objektivin e tij që Shqipëria duhet të ulet në tryezën e BE në vitin 2030.
Në konferencën e Ambasadorëve “Tirana Diplo 2024”, Rama tha se trupi ynë diplomatik të gjendet në një nivel të ri.
I ndalur tek turizmi, Rama tha se Shqipëria është një magnet që tërheq turistë nga e gjithë bota. Ai shtoi më tej se vitin e shkuar në vendin tonë ishin 10 milionë turistë, ndërsa sipas tij kjo shifër këtë vit do të jetë konsiderueshëm më e lartë”.
“Një nga arsyet që na ka ndihmuar që sot të gjendemi në një pozicion krejt tjetër, ku në tërësi kur flitet për Shqipërinë nuk flitet për një vend në hije, dhe ku Shqipëria përmendet në zyrat e politikës ndërkombëtare, është e qartë që ka një tjetër tingull emri i saj. E dimë mirë të gjithë që 2030 duhet të na gjejë në gatishmëri të plotë për tu ulur në tryezën e BE si anëtarë të barabartë të familjes evropiane.
Kjo është detyra jonë, ulja në atë tryezë, është edhe një proces i përmbushjes së kritereve por edhe i vendimmarrjes politike por sa na takon ne është 100 për qind e qartë, ne duhet të jemi gati dhe kjo është më e lehtë ta thuash por më e vështirë ta bësh, sepse kërkon që gjithçka që kemi bërë deri tani, ta konsiderojmë një stad prej nga mund dhe duhet të ngjitemi në një nivel të ri. Për këtë arsye duhet që trupi ynë diplomatik të ngjitet në një nivel të ri.
Sot besoj se është e mundur duke shfrytëzuar një eksperiencë shumë të pasur që ka ky komunitet, shembujt e shkëlqyer që janë përfaqësues të këtij komuniteti dhe duke shfrytëzuar edhe momentin transformues të Shqipërisë", tha Rama.
“Tirana Diplo 2024” mbahet nga 26-28 gusht në Pallatin e Kongreseve dhe janë të pranishëm ambasadorët dhe Konsujt e Përgjithshëm të Republikës së Shqipërisë.
Konferenca treditore ka nisur në orën 09.30, ku kryeministri Edi Rama dhe ministrat, Pirro Vengu, Ministri i Mbrojtjes dhe Petrit Malaj, Ministri i Financave janë të pranishëm në konferencë.
Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme është organizatore e konferencës që do të ketë në fokus sfidat e diplomacisë shqiptare në procesin e integrimit në Bashkimin Evropian, zhvillimet rajonale dhe të sigurisë, diplomacinë ekonomike, kulturore dhe turizmin.
Axhenda e konferencës
09:30 – Hapja e Konferencës së Ambasadorëve
Igli Hasani, Ministër për Evropën dhe Punët e Jashtme i Republikës së Shqipërisë
Edi Rama, Kryeministër i Republikës së Shqipërisë
10:30 – 11:15 Rrugëtimi dhe dinamikat e procesit të integrimit në BE
Folës kryesorë
Igli Hasani, Ministër për Evropën dhe Punët e Jashtme
Tanja Fajon, Zv.Kryeministre dhe Ministre për Punët e Jashtme dhe Çështjet Evropiane e Republikës së Sllovenisë
Ora 12:00 – Ministri Hasani do të presë në një takim dypalësh në MEPJ, Zëvendëskryeministren dhe Ministren e Punëve të Jashtme të Sllovenisë, Tanja Fajon, e cila do të zhvillojë vizitë zyrtare në Tiranë.
Pas takimit, dy ministrat do të dalin në një deklaratë të përbashkët për mediat.
Lini një Përgjigje