
Kryeministri Edi Rama teksa u pyet nëse precedenti i Inceneratorëve po e step mazhorancën për ngritjen e komisioneve parlamentare, ai deklaroi se diçka e tillë nuk është e vërtetë.
Në një intervistë për emisionin “Debat” në A2 CNN, Rama deklaroi se çështja e komisioneve është keqpërdorur dhe së shpejti ligji do të ndryshohet.
“Ligjin do ta ndryshojmë sepse historia e komisioneve tona parlamentare është një histori shumë e shëmtuar, unikale në botë. Kjo është një histori që përveç të tjerave është zhvilluar si e tillë në mënyrë vulgare dhe në mënyrë të shëmtuar sepse kur është bërë ligji i komisioneve hetimore parlamentare është marrë modeli gjerman ose çfarë ju ka rënë në sy ose çfarë kanë menduar”, tha Rama.
Ai u shpreh më tej se në draftin e ri referencë është modeli gjerman dhe pikërisht ato pjesë që janë lënë jashtë, nga mazhoranca e asokohe.
“Në draftin e ri kemi referencë modelin gjerman dhe keni pikërisht ato pjesë të lëna jashtë modelit gjerman, të cilat qartësisht e plotësojnë kornizën e veprimtarisë së komisioneve hetimore parlamentare, se nuk është vetëm ngritja, por edhe veprimtaria, produkti që ato nxjerrin”, tha ai.
Më herët, ai mohoi të ketë një shqetësim nga ndërkombëtarët për refuzimin e ngritjes së komisioneve hetimore në kuvend që kërkon opozita. Kreu i qeverisë u shpreh n se edhe në progres raport është prekur çështja e komisioneve hetimore, por nuk thuhet nëse duhen ngritur apo jo.
“Nuk më ka ardhur asnjë shqetësim nga ndërkombëtarët. Pr/raporti e konstaton si fakt, por nuk thotë që duhen ngritur apo jo. Komisionet janë një instrument i opozitës, por në respekt të Kushtetutës dhe ligjit. Nuk po i mohojmë të drejtën kushtetuese askujt. Ky është një refuzim me abuzimin me të drejtën”, tha Rama.
Lini një Përgjigje