Ministria e Drejtësisë ka prezantuar sot draftin e ri të Kodit Penal, i cili do t’i nënshtrohet një procesi të gjerë konsultimi publik.
Ministri Ulsi Manja theksoi se ky draft nuk është produkt i qeverisë apo i Ministrisë, por i një grupi të pavarur ekspertësh të njohur të fushës, të ngritur në shkurt të vitit 2023 nën drejtimin e Shkollës së Magjistraturës.
Ai sqaroi se drafti është i hapur për diskutim dhe se nuk do të jetë përfundimtar pa kaluar më parë nëpër filtrin e konsultimeve.
Ministri bëri një ftesë të veçantë për opozitën parlamenatre dhe atë jashtë parlamentare për tu ulur në tryezën e diskutimit.
“Ky nuk është një produkt i qeverisë apo i Ministrisë së Drejtësisë. Ne kemi pasur dhe do të kemi deri në fund vetëm një rol organizues dhe mbështetës. Autorësia dhe përmbajtja teknike i përkasin plotësisht grupit të punës.
Dua të ftoj profesionistët e ligjit, gjyqtarë, prokurorë, avokatë, institucionet e drejtësisë, Avokatin e Popullit dhe një ftesë të veçantë për opozitën parlamentare dhe atë jashtë parlamentit, që të kontribuojnë me ekspertizë dhe pjesëmarrje aktive në tryezat e konsultimit", tha Manja.
Ministri theksoi edhe rëndësinë kombëtare të këtij procesi dhe thellimin e integrimit evropian.
“Në BE shkon Shqipëria, jo vetëm një forcë politike. Mund të ndërtojmë një Kod Penal modern, efektiv dhe në përputhje të plotë me standardet e Bashkimit Evropian.
Siç deklaroi edhe Manja, me përfundimin e konsultimit dhe marrjes së certifikimit në Bruksel, drafti i ri pritet të kalojë për miratim në Kuvend, me shumicë të cilësuar", deklaroi ministri.
Lini një Përgjigje