
Seanca e sotme parlamentare ka nisur me debate mes mazhorancës dhe opozitës.
Pasi Bardhi kërkoi që në rend të ditës nesër të futet raportimi i kryetarit të KLSH-së, duket se Eduard Shalsi nuk dakordësohet me kërkesën.
Shalsi nuk kurseu ironitë për Bardhin, por dhe për grupin e demokratëve teksa tha se në lidhje me kërkesën e tyre ata duhet t'i kërkojnë ndjesë partnerëve ndërkombëtarë.
Shalsi: Këtij nuk mund t’i thuash as grup. Shpresoj që zoti Bardhi të jetë i iluminuar për nënkomisionin që u miratua, pasi një anëtar dha dorëheqjen, pasi kishim rënë dakord. Zoti Bardhi duhet t’i kërkojë ndjesë partnerëve ndërkombëtarë që kanë ndihmuar me ekspertizën e tyre.
(Bardhi flet nga vendi pa mikrofon)
Shalsi: Po çke mo burrë? Të lashë të flisje. Sa zakon të keq e ke këtë që nuk duroni dot. Bëre një konstatim, por më lër të mbaroj.
Ndërhyn Nikolla: Zoti Bardhi, lëre të flasë, mos ndërhyni.
Shalsi: Të paaftë për t’u ballafaquar me argumente. Të paktën të merreni vesh me njëri-tjetrin. Do të kishit kuptuar që në komisionin e Ekonomisë dhe Financave, një zonjë me emrin Mimoza Dhëmbi, që ka ndryshuar 16 ministra, drejtoresha e Buxhetit, për të cilën KLSH ka kërkuar shkarkim nga detyra. Është precedent i ri. Skandali i Onkologjikut është ende pa përgjigje, nëse ka kallëzim për këtë çështje. S’kemi përgjigje nga KLSH. Po ua përsëris; nuk ka nevojë KLSH për avokatinë tuaj.
Bardhi: Nuk merremi me raste individuale, për shkak punonjësish, me gjithë respektim që mund të kemi për zonjën në fjalë. Për të dhënë rekomandime për raste individuale. Kjo që u tha është gënjeshtër. Komisioni i Ekonomisë ka propozuar draft rezolutën për KLSH. Secili koleg mund ti bëjë çfarë do lloj pyetje për kryetarin e KLSH. Është e papranueshme që i vetmi institucion lihet pa raportuar, është KLSH. Komisioni i Ekonomisë do të duhet të shqyrtojë këtë gjë, dhe pse është propozuar shkarkimi i një nëpunëse të shtetit. Zonja Nikolla e kam me ju dhe jo me zotin Shalsi, ndaj fusni raportimin e kryetarit të KLSH dhe miratimin e rezolutës përkatëse.
Nënkryetarja e Ekonomisë, Sorina Koti tha gjithashtu se duhet të mblidhet urgjent Komisionin Ekonomisë dhe të raportojë KLSH.
"KLSH i ka dhënë përgjigjet. S’ka ngelur asnjë përgjigje e pa dhënë", tha Koti.
Lini një Përgjigje