Në seancën e sotme ka pasur një përplasje fizike mes deputetëve Bledion Nallbati dhe Vullnet Sina...
Ka nisur me përplasje fizike seanca e sotme parlamentare. Ashtu sikundër ishte paralajmëruar, opozita ka vendosur të mos lejojë mbajtjen normale të seancës, por aksioni ka degraduar në dhunë.
Në nisje të seancës, deputetët e opozitës bllokuan foltoren. Kryetarja Lindita Nikolla vendosi tu japë fjalën deputetëve të mazhorancës, të cilët po flasin nga vendi. Fjalën e mori Vullnet Sina, por deputetët e PD ndërhynë dhe nuk e lanë të fliste. Kjo solli një përplasje fizike mes Sinës dhe deputetit Bledion Nallbati.
Ky i fundit i hoqi mikrofonin Sinës, duke mos e lënë të flasë, më pas deputetët u shtynë, teksa Nallbati tentoi ta qëllojë me grusht deputetin e PS. Më pas ndërhyri Garda dhe seanca u ndërpre. Mësohet e Nallbati është përjashtuar nga seanca. Momentalisht opozita ka bllokuar foltoren dhe deputetët e PS flasin nga vendi.

Që javën që lamë pas opozita paralajmëroi se nuk do të lejojë seancë normale. Grupi i Berishës dhe ai i Bardhit janë shprehur se do të bllokojnë seancat derisa të miratohen kërkesat për të ngritur komisionet hetimore mbi koncesionet në shë3ndetësi dhe ndërhyrjet në sistemin TIMS.

23 deputetët u përjashtuan 10 ditë më parë. Por sot mazhoranca vendosi të tërhiqej nga vendimi i saj, pas paralajmërimeve se deputetët do përplaseshin me Gardën. Mirëpo tensionet duket se kanë vijuar brenda seancës. Opozita duket e vendosur për të mos lejuar punimet e Kuvendit. Deputetët e PD vijojnë të shkojnë pranë deputetëve të PS duke mos i lejuar të flasin as nga vendi.

Lini një Përgjigje