
FMN i pret hovin qeverisë: Paqja Fiskale rrezikon buxhetin dhe prish sistemin tatimor
FMN ka dhënë një paralajmërim të qartë për qeverinë shqiptare: çdo formë “paqje fiskale” që përfshin falje detyrimesh, pezullim auditimesh apo marrëveshje vullnetare për tatimet, minon sistemin dhe zhbën përparimet e administratës.
Pas misionit të zhvilluar në vendin tonë pak ditë më parë, FMN ka dal me një deklaratë zyrtare. Misioni i drejtuar nga Anke Weber zhvilloi konsultimet me autoritetet shqiptare dhe konkludoi se vendi qëndron mbi një bazë solide ekonomike, por sakrificat fiskale që propozon qeveria mund të krijojnë një vrimë serioze në buxhet dhe të dëmtojnë besueshmërinë e shtetit.
FMN thekson se Shqipëria po rritet me ritme të larta, me inflacion të ulët dhe borxh publik në rënie. Pavarësisht këtyre treguesve pozitivë, ekipi deklaron se rreziqet janë rritur, sidomos nga modeli ekonomik i fokusuar te turizmi dhe nga presionet e brendshme mbi pagat dhe çmimet e aseteve. Ekspertët nënvizojnë se vendi duhet të forcojë menjëherë hapësirën fiskale; kjo kërkon rritje të të ardhurave të qëndrueshme dhe shpenzime më të sakta, jo falje dhe amnisti.
Raporti kritikon drejtpërdrejt propozimet për “Marrëveshjen e Paqes Fiskale”. FMN deklaron se këto mekanizma ulin pajtueshmërinë tatimore, dobësojnë auditimin dhe dëmtojnë besimin te administrata. Sipas stafit të FMN, Shqipëria duhet të reduktojë përjashtimet tatimore, të modernizojë taksimin e pronës dhe të forcojë administratën tatimore për të shmangur rënien e të ardhurave. Institucioni shton se këto reforma mund të sjellin deri në 2 për qind të PBB-së të ardhura shtesë deri në vitin 2030, një shifër që qeveria nuk mund ta kompensojë me falje detyrimesh.
FMN vëren se presionet mbi shpenzimet do të rriten ndjeshëm pas vitit 2030. Rritja e pensioneve, detyrimet e NATO-s dhe investimet e domosdoshme në arsim, shëndetësi dhe klimë do të kërkojnë financime të qëndrueshme. Ekspertët kritikojnë bonuset e gjera për pensionet dhe i cilësojnë si masa të rrezikshme që vështirësojnë tërheqjen e mëvonshme dhe ulin raportin kontribut përfitim. Institucioni rekomandon rishikime të rregullta të shpenzimeve dhe transparencë më të lartë për PPP-të dhe detyrimet jashtë bilancit.
Deklarata prek edhe sektorin financiar; kreditimi i shpejtë i pasurive të paluajtshme dhe mbajtjet e larta të borxhit sovran nga bankat kërkojnë monitorim të kujdesshëm. FMN kërkon standarde më të forta mbikëqyrëse dhe rishikim të lehtësimeve që nuk përputhen me normat ndërkombëtare.
Në pjesën e fundit, misioni i FMN thekson se Shqipëria nuk mund të arrijë produktivitet më të lartë pa reforma të thella në arsim, treg pune dhe qeverisje. Institucioni kërkon forcim të luftës kundër korrupsionit, staf më të mirë të autoriteteve të konkurrencës dhe mbështetje të plotë për SPAK.
DEKLARATA
Një mision i Fondit Monetar Ndërkombëtar (FMN), i kryesuar nga Anke Ëeber dhe i përbërë nga David Bartolini, Stefan Kavan, Olti Mitre, Nora Neuteboom, Eyno Rots, Sebastian Sosa dhe Eugena Topi, vizitoi Tiranën gjatë datave 4–14 nëntor për të zhvilluar diskutimet në kuadër të Konsultimit të Nenit IV për vitin 2025 me autoritetet shqiptare.
Sipas deklaratës përfundimtare, Shqipëria po regjistron një nga normat më të larta të rritjes ekonomike në Europë, inflacion të ulët, borxh publik në rënie dhe rezerva të forta valutore. E mbështetur në këtë bazë të qëndrueshme, vendi ndodhet në një moment vendimtar, teksa qeveria po zbaton një agjendë të gjerë reformash me synimin për të arritur anëtarësimin në Bashkimin Europian deri në vitin 2030. Perspektiva afatshkurtër mbetet pozitive, por rruga drejt integrimit mbart sfida të thella strukturore. Diferencat me standardet e BE-së vijojnë të jenë të konsiderueshme, në një kohë kur produktiviteti ekonomisë mbetet i pandryshuar. Ndërkohë, një mjedis global më i paqëndrueshëm – i shoqëruar me presione të brendshme mbi pagat dhe çmimet e aseteve – rrezikon qëndrueshmërinë e modelit të rritjes së nxitur nga turizmi.
Për të ruajtur stabilitetin makroekonomik dhe për të rritur produktivitetin, kërkohen reforma të shpejta dhe të fokusuara në vend. Prioritet mbetet forcimi i hapësirave fiskale përmes mobilizimit të qëndrueshëm të të ardhurave, përfshirë reforma tatimore që nuk cenojnë konkurrueshmërinë, si edhe rritja e cilësisë së shpenzimeve publike. Po aq të rëndësishme janë ruajtja e stabilitetit të çmimeve dhe të sistemit financiar përmes një politike monetare të aftë të reagojë ndaj rreziqeve, si dhe përmirësimi i mëtejshëm i instrumenteve rregullatore. Paralelisht, duhet të avancojnë reformat në kapitalin njerëzor, tregun e punës dhe qeverisjen, të cilat përbëjnë bazën për një rritje më të qëndrueshme dhe më të balancuar.
Ekonomi e mbështetur nga turizmi, rreziqet po vijnë në rritje
Rritja e ekonomisë shqiptare, e mbështetur kryesisht nga turizmi, pritet të mbetet solide edhe në vijim. Pas një mesatareje prej rreth 4.25% në periudhën post-pandemike, PBB reale parashikohet të rritet me 3.5% në vitin 2025, e nxitur kryesisht nga konsumit privat, dhe me 3.6% në vitin 2026, si pasojë e një përmirësimi të moderuar të rritjes në partnerët kryesorë tregtarë të eurozonës. Efektet direkte nga tarifat e SHBA-së janë minimale, ndërsa ndikimet indirekte nga masat globale tregtare dhe pasiguria ndërkombëtare deri tani duken të kufizuara. Pavarësisht një normalizimi të lehtë, turizmi vijon të japë një mbështetje të qëndrueshme për prodhimin ekonomik.
Inflacioni vjetor pritet të rritet gradualisht nga 2.2% në vitin 2025 në objektivin prej 3% gjatë gjysmës së dytë të vitit 2026, në kushtet e një tregu pune të ngushtë dhe rritjes së pagave. Deficiti i llogarisë korrente parashikohet të jetë 2.8% e PBB-së në vitin 2025 dhe të zgjerohet gradualisht rreth 3.5% të PBB-së në periudhën afatmesme, teksa të ardhurat më të larta të disponueshme dhe rritja e shpenzimeve publike kapitale nxisin rritjen e importeve.
Rreziqet për parashikimin ekonomik janë zhvendosur drejt kahut negativ, në një mjedis të jashtëm më të paqëndrueshëm. Tensionet gjeopolitike, shtimi i barrierave tregtare, luhatjet e çmimeve të lëndëve të para dhe pasiguria e zgjatur globale mund të ndikojnë partnerët kryesorë tregtarë të Shqipërisë dhe të dobësojnë kërkesën e jashtme. Paqëndrueshmëria e tregjeve ndërkombëtare financiare dhe korrigjimet e çmimeve të aseteve mund të reduktojnë kërkesën për borxhin sovran shqiptar dhe të rrisin rrezikun e vështirësive në rifinancim. Brenda vendit, një tkurrje më e shpejtë se parashikimet e popullsisë në moshë pune mund të thellojë mungesën e fuqisë punëtore, të nxisë inflacionin, të imponojë një politikë monetare më shtrënguese dhe të dobësojë perspektivën e rritjes.
Nga ana pozitive, zbatimi i qëndrueshëm i reformave në kuadër të procesit të integrimit europian mund të përmirësojë produktivitetin dhe të rrisë më tej potencialin e rritjes ekonomike së vendit.
Jo paqe fiskale
Sipas politikave aktuale, ekspertët e FMN-së parashikojnë një suficit të vogël primar në vitet 2025 dhe 2026, ndërsa më pas balanca primare pritet të jetë zero. Rritja e planifikuar e pensioneve mesatare, përmes bonuseve mujore (p.sh., nga 270 në 400 euro për pensionet urbane), që do të nisë në vitin 2026, do të financohet pjesërisht nga të ardhurat shtesë të pritshme prej Strategjisë Afatmesme të të Ardhurave (MTRS), kursimeve në shpenzimet korrente dhe mosrealizimit të plotë të shpenzimeve kapitale. Borxhi publik parashikohet të bjerë nga 54% e PBB-së në fund të vitit 2025 në rreth 50% të PBB-së deri në vitin 2030. Edhe pse dinamika e borxhit është përmirësuar ndjeshëm vitet e fundit, nevojat ende të mëdha për financim bruto — që pritet të jenë mesatarisht rreth 13% e PBB-së në periudhën 2025–2030 — nënvizojnë rëndësinë e vijimit të reformave në menaxhimin e borxhit.
Ashtu si shumë vende të tjera europiane, Shqipëria përballet me presione në rritje mbi shpenzimet publike, të cilat — nëse nuk trajtohen në kohë — mund të vënë në rrezik qëndrueshmërinë fiskale në afatin e mesëm. Prirjet demografike pritet të rrisin ndjeshëm shpenzimet për pensione dhe shëndetësi, veçanërisht pas vitit 2030, ndërsa angazhimi për NATO-n për të alokuar 5% të buxhetit për mbrojtjen dhe sigurinë deri në vitin 2035 do të shtojë më tej presionet mbi financat publike. Për të rritur elasticitetin dhe produktivitetin, vendi ka gjithashtu nevojë për më shumë investime në arsim, trajnim profesional dhe përshtatje ndaj ndryshimeve klimatike. Për të përballuar këto sfida dhe për të ruajtur hapësirat fiskale, stafi i FMN-së rekomandon një paketë reformash miqësore ndaj rritjes ekonomike, e bazuar në forcimin e të ardhurave, reforma të politikës tatimore dhe përmirësimin e cilësisë së shpenzimeve.
Në këtë drejtim, reformat e të ardhurave duhet të fokusohen në racionalizimin e përjashtimeve tatimore, modernizimin e tatimit mbi pasurinë dhe forcimin e administratës tatimore. Përjashtimet tatimore të kushtueshme dhe regresive, përfshirë pragjet e larta të përjashtimit nga TVSH, incentivat sektoriale dhe regjimet preferenciale për të vetëpunësuarit, duhet të reduktohen gradualisht, pasi efektiviteti i tyre është i paqartë. Futja e një takse të përsëritshme mbi pronën, të bazuar në vlerë, dhe përshpejtimi i zbatimit të saj do të mbështeste më mirë financat vendore. Zbatimi më i fortë i ligjit, i mbështetur në auditime të bazuara në risk dhe dixhitalizim të mëtejshëm, mbetet thelbësor për të realizuar potencialin e plotë të MTRS. Këto masa së bashku mund të gjenerojnë deri në 2% të PBB-së të ardhura shtesë deri në vitin 2030.
Nga ana tjetër, propozimet për një “Marrëveshje të Paqes Fiskale”, që parashikon marrëveshje vullnetare për të përcaktuar fitimet e tatueshme dhe pezullimin e auditimeve gjatë periudhës së marrëveshjes, fshirjen e detyrimeve tatimore e doganore, si dhe rivlerësimin e bilanceve të mëparshme me norma të ulëta uniforme, rrezikojnë të dëmtojnë pajtueshmërinë tatimore, të dobësojnë besueshmërinë e sistemit të auditimit dhe të zhbëjë përparimet e arritura në modernizimin e administratës tatimore.
Janë të nevojshme masa plotësuese për të rritur cilësinë e shpenzimeve dhe transparencën fiskale. Rishikimet e rregullta të shpenzimeve, të institucionalizuara si një instrument kyç buxhetor dhe të mbështetura nga struktura të qarta qeverisjeje brenda ministrive linjë dhe procesit të buxhetit qendror, do të ndihmojnë në identifikimin e programeve me prioritet të ulët dhe në ridrejtimin e fondeve drejt sektorëve që nxisin rritjen, si arsimi, shëndetësia dhe infrastruktura. Bonuset e gjera për pensionet duhet të shmangen, pasi janë të vështira të tërhiqen më pas, dobësojnë lidhjen mes kontributeve dhe përfitimeve dhe rrezikojnë qëndrueshmërinë fiskale. Në vend të tyre, mbështetja duhet ofruar përmes programeve të ndihmës sociale të mirë-targetuara.
Monitorimi i rregullt i huadhënies që qeveria merr për institucionet e tjera shtetërore (on-lending), i kontratave PPP dhe i entiteteve jashtë bilancit mbetet thelbësor, ashtu si forcimi i standardeve të transparencës dhe qeverisjes për fondet publike dhe strukturat e veçanta financiare. Përafrimi i publikimit të deklaratës së rreziqeve fiskale me ciklin buxhetor dhe ofrimi i përditësimeve të rregullta do të rrisnin më tej qartësinë dhe llogaridhënien.
Të forcohen masat për të menaxhuar rreziqet në sektorin financiar
Rreziqet sistemike në sektorin financiar duken përgjithësisht të kontrolluara. Sistemi bankar mbetet i mirëkapitalizuar, likuid dhe fitimprurës. Megjithatë, ekzistojnë disa cenueshmëri, që lidhen me ekspozimet e mëdha ndaj huamarrësve të veçantë, kreditimin në valutë (17% e aseteve bankare) dhe mbajtjet e larta të borxhit sovran (28% e aseteve totale bankare). Së bashku me rritjen e shpejtë të huadhënies për pasuritë e paluajtshme, këto faktorë kërkojnë monitorim të kujdesshëm për të vlerësuar ndikimin e tyre në rrezikun sistemik.
Ruajtja e standardeve të forta mbikëqyrëse mbetet thelbësore për stabilitetin financiar. Përpjekjet mbikëqyrëse duhet të garantojnë respektimin rigoroz të kërkesave të kapitalit, dhe kur është e nevojshme, të parashikojnë pezullimin e përkohshëm të dividendëve dhe hartimin e planeve për ruajtjen e kapitalit. Lehtësimet e fundit në kërkesat për adekuatën e kapitalit të rregulluar për rrezikun dhe në kuadrin e ekspozimeve të mëdha për kreditë që mbështesin projektet strategjike të infrastrukturës rrugore nuk janë plotësisht të përputhshme me standardet ndërkombëtare dhe duhen rishikuar, pasi rregullimi prudencial duhet të jetë i bazuar në rrezik dhe jo të përdoret për të nxitur kreditimin në sektorë të veçantë. Sigurimi i stafit dhe burimeve të mjaftueshme është vendimtar për një kalim të qetë drejt standardeve ndërkombëtare të raportimit financiar (IFRS 9).
Ndërsa Banka e Shqipërisë ka bërë përparime të rëndësishme në forcimin e kuadrit makro-prudencial, disa përmirësime të mëtejshme do të rrisin më tej qëndrueshmërinë e sistemit. Aktivizimi së fundi i masave të bazuara te profili i huamarrësit për kreditë e reja për banesa mbush një boshllëk të mëparshëm dhe duhet të shndërrohet në një instrument të përhershëm. Stafi vlerëson gjithashtu rritjen e planifikuar të rezervës kundërciklike të kapitalit në 0.5% (nga 0.25%) në dhjetor 2025 dhe e konsideron të dobishëm kalimin drejt një regjimi me normë neutrale pozitive, së bashku me finalizimin e kuadrit për rezervën e kapitalit ndaj rrezikut sistemik. Futja e një rezerve sektoriale kundër rreziqeve, rritja e peshave të rrezikut ose masat e targetuara të bazuara te aftësia paguese e huamarrësit mund të shërbejnë si mjete shtesë për të frenuar rreziqet në rritje nga kreditimi në sektorin e pasurive të paluajtshme komerciale.
Me rritjen e kompleksitetit të sektorit financiar në Shqipëri, kërkohet mbikëqyrje e kujdesshme, bashkëpunim i efektshëm institucional dhe forcim i kuadrit kundër pastrimit të parave dhe financimit të terrorizmit (AML/CFT). Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare duhet të përmirësojë mbledhjen e të dhënave dhe monitorimin e rrezikut për subjektet jobankare, si dhe të sigurojë përdorimin e plotë të mekanizmave ndërinstitucionalë, përfshirë Grupin Këshillimor të Stabilitetit Financiar. Zbatimi në kohë i Vlerësimit Kombëtar të Rrezikut (NRA) është i rëndësishëm për të adresuar rreziqet e identifikuara të AML/CFT.
Krijimi i Bankës së Zhvillimit të Shqipërisë (ADB) do të shtojë më tej kompleksitetin e sektorit, ndaj kërkohen standarde të forta qeverisjeje dhe rregulla të qarta operacionale për të shmangur rreziqet për stabilitetin fiskal dhe financiar. Aktiviteti i saj duhet të jetë i kufizuar në kohë dhe i orientuar drejt korrigjimit të dështimeve të tregut, në mënyrë që të mos konkurrencojë dhe të mos tërheqë kapitalin privat nga tregu.
Politika për Rritjen e Produktivitetit dhe Maksimizimin e Përfitimeve nga Integrimi Europian
Një paketë e gjerë reformash për rritjen e produktivitetit është thelbësore për të siguruar rritje të qëndrueshme ekonomike. Prodhimi për orë pune në Shqipëri mbetet nën mesataren e BE-së dhe ka shënuar pak përmirësime gjatë dekadës së fundit. Pa një reagim të vendosur të politikave publike, perspektiva mbetet sfiduese. Emigracioni, i cili mund të rritet më tej me avancimin drejt anëtarësimit në BE, rrezikon të thellojë mungesën e fuqisë punëtore. Ndërsa norma e papunësisë ka rënë në nivelet historikisht më të ulëta, përqindja e të rinjve jashtë punës, arsimit apo trajnimit mbetet e lartë, e nxitur nga informaliteti dhe barrierat për hyrjen në tregun e punës. Mungesat e vazhdueshme në arsim dhe trajnim, investimet e ulëta në kërkim-shkencë dhe inovacion, sfidat e qeverisjes dhe një terren i pabarabartë konkurrues mund të dekurajojnë investimet e huaja që janë të nevojshme për diversifikimin dhe zhvillimin industrial të vendit.
Përmirësimi i aftësive përmes arsimit dhe trajnimit më cilësor
Rritja e cilësisë së arsimit dhe zgjerimi i mbulimit të trajnimeve është thelbësore. Forcimi i mjeteve dixhitale dhe zhvillimi profesional i mësuesve do të përmirësonin ndjeshëm rezultatet në arsim. Zgjerimi i kurrikulave në fushat STEM, paralelisht me përshpejtimin e arsimit profesional dhe zbatimin më të plotë të skemës së Garancisë Rinore, do të rrisnin aftësitë dhe punësueshmërinë. Masa plotësuese për uljen e informalitetit, zbatimin më të fortë të legjislacionit të punës, rritjen e mbulimit të politikave aktive të tregut të punës dhe përmirësimin e aksesit në kujdesin për fëmijët do të rrisnin pjesëmarrjen dhe do të nxisnin krijimin e vendeve të punës formale. Zbatimi i këtyre programeve kërkon financim adekuat dhe forcim të vazhdueshëm të kapaciteteve administrative.
Rritja e produktivitetit të bizneseve dhe krijimi i vendeve të punës me vlerë të shtuar
Reformat duhet të synojnë përmirësimin e klimës së biznesit, uljen e barrierave administrative dhe garantimin e konkurrencës së ndershme përmes një autoriteti të konkurrencës me staf dhe kompetenca të mjaftueshme. Promovimi i investimeve në kërkim dhe zhvillim, si dhe adoptimi i teknologjive të reja, është vendimtar për rritjen e produktivitetit. Kjo është veçanërisht e rëndësishme në kushtet e një mbiçmimi të qëndrueshëm të kursit të këmbimit dhe rritjes së pagave — përfshirë rritjet e pagës minimale — të cilat, në mungesë të rritjes së produktivitetit, mund të dëmtojnë konkurrueshmërinë e ekonomisë.
Përmirësimi i mjedisit të biznesit përmes reformave më të thelluara të qeverisjes
Autoritetet duhet të prioritizojnë emërimet e drejta, transparente dhe të bazuara në meritë në institucionet e pavarura të mbikëqyrjes; të përshpejtojnë dixhitalizimin e gjykatave dhe të zgjerojnë aksesin publik në informacionin gjyqësor. Përpjekjet kundër korrupsionit do të përfitonin nga legjislacioni parandalues më i fortë dhe nga mbikëqyrja më efektive e administratës publike. Ruajtja e pavarësisë operacionale të Strukturës së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) dhe sigurimi i burimeve të mjaftueshme mbeten vendimtare për të ruajtur ritmin në trajtimin e çështjeve të korrupsionit në nivelet e larta. /Pamfleti
Lini një Përgjigje