
Intervista e Ramës ka shkaktuar reagime të ashpra dhe kjo ka detyruar kryeministrin të kërkojë ndryshimin e artikullit...
Kryeministri Edi Rama sa herë flet për Kosovën shkakton përplasje të forta mes dy vendeve. Pak ditë më parë doli në një konferencë dhe pasi dënoi sulmin në Veri, kërkoi që NATO të marrë kontrollin në atë zonë. Kjo deklaratë u prit me zemërim nga Prishtina dhe nga opozita në Tiranë.
Por Rama ditën e djeshme dha një intervistë për prestigjiozen “Financial Times”, ku sërish ka vijuar me deklaratat skandaloze. Rama ka vënë në dyshim sovranitetin e Kosovës me atë që tha dje.
“Kosova është një pikë e nxehtë. Me kalimin e viteve është bërë toka e askujt, ku të gjitha llojet e krimeve kombinohen me nacionalizmin në rritje. Kufiri mes krimit dhe politikës është zbehur”, tha Rama.
Kjo deklaratë solli reagime të forta. Ish-kryeministri Berisha u shpreh se deklarata e tij është e njëjtë me atë të Vuçiçit.
“Të damkosur para shqiptarëve dhe komunitetit euroatlantik, serbomadhi Aleksandar Vuçiç dhe vasali i tij shqipfolës, albanofob, Edi Rama, vazhdojnë përpjekjet për ndarjen e Kosovës. Kështu Vuçiç pas aktit terrorist në Banjskë dhe dështimit të kryengritjes së armatosur të organizuar prej falangave të kontrolluara tërësisht prej tij dhe tërheqjes së detyruar të njësive ushtarake që dislokoi me qëllim fillimin e një konflikti të ri në rajon, ka mobilizuar të gjithë politikën dhe diplomacinë e tij me kërkesën e vendosjes e komunave të veriut nën kontrollin e KFOR”, tha Berisha.
Nënkryetari i Partisë së Lirisë, Petrit Vasili, ka thënë se tashmë Rama që konsideron tokën shumë shekullore të Kosovës tokë të askujt duhet bojkotuar, përçmuar dhe dënuar nga çdo shqiptar kudo që ai ndodhet.
Reagime pati dhe në Kosovë. Ish-kryenegociatorja e Kosovës në dialogun me Serbinë, Edita Tahiri e ka dënuar deklaratën.
“Kosova është ‘tokë e askujt’. Skandaloze, antikombëtare! Duhet hulumtuar origjina kombëtare e tij”, shkroi Tahiri.
Anëtari i Kryesisë së Lëvizjes Vetëvendosje, Arbër Zaimi, shkroi se thënia se diçka është e askujt, është ftesë për grabitqarë e plaçkitës.
“Nuk duhet të humbasim durimin me të në këto kohë kur kërkohet unitet, por duhet t’i shpjegojmë se Kosova është tokë e popullit të saj, me mbi 93% shqiptarë e pjesa tjetër minoritete me të drejta të gjera e të thella. Kosova ka institucione shtetërore profesionale, të vlerësuara ndërkombëtarisht si demokratike, më të drejta e më të pakorruptuara se vendet fqinjë. E sa i përket kriminalitetit, Kosova ka kriminalitetin më të ulët në Ballkan, sipas monitoruesve ndërkombëtarë”, tha ai.
Pas bujës erdhi dhe reagimi i gazetarit të “Financial Times". Ai njoftoi se artikulli është ndryshuar. “E kemi ndryshuar këtë artikull për të sqaruar se kryeministri shqiptar po diskutonte problemet në veri të Kosovës, jo në të gjithë vendin”, shkruan gazetari i FT, Marton Dunai në rrjetin social X.

Pra politika e kryeministrit Edi Rama ndaj Kosovës vijon të jetë kaotike. Qëndrimet e tij ndryshojnë çdo ditë dhe duket sikur më shumë mban krahun e Beogradit sesa të Prishtinës. /Pamfleti
Lini një Përgjigje