TAGS-AT E JAVËS

Politike27 Mars 2026, 15:16

Indeksi BTI/ Serbia autokraci e moderuar, Shqipëria klasifikohet si “demokraci me mangësi”

Shkruar nga Pamfleti
Indeksi BTI/ Serbia autokraci e moderuar, Shqipëria klasifikohet si
Edi Rama e Aleksandar Vuçiç

Indeksi BTI 2026 vlerëson cilësinë e demokracisë, ekonomisë dhe qeverisjes; Shqipëria renditet e para në rajon për transformimin politik

Indeksi i Transformimit 2026 i Bertelsmann Stiftung arrin në përfundimin se demokracia po humbet terren në nivel global. Sipas të dhënave, 56 për qind e 137 vendeve të përfshira në analizë qeverisen në forma autokratike, mes tyre edhe Serbia. Në raport theksohet se “qeveritë në këto sisteme po bëhen gjithnjë e më represive ndaj forcave opozitare, mediave dhe shoqërisë civile”.

Në Ballkanin Perëndimor, vendet klasifikohen si “demokraci me mangësi” ose “demokraci shumë me mangësi”. Vlerësimi bazohet në analizën e progresit drejt demokracisë kushtetuese dhe ekonomisë së tregut me përgjegjësi sociale. Indeksi mat cilësinë e demokracisë, zhvillimin ekonomik dhe nivelin e qeverisjes, duke evidentuar arritjet dhe problematikat në secilën fushë. Pikët për secilin tregues variojnë nga 1 deri në 10.

Shqipëria renditet e para në rajon për transformimin politik, me 7.70 pikë dhe klasifikohet si “demokraci me mangësi”. Për transformimin ekonomik merr 7.11 pikë, ndërsa për qeverisjen 6.71 pikë. Gjatë periudhës së vlerësimit, vendi avancoi në procesin e integrimit evropian duke hapur negociatat për Klasterin 1 (Themeloret) dhe Klasterin 6 (Marrëdhëniet e Jashtme). Megjithatë, raporti vëren se “që nga fillimi i vitit 2025 janë shfaqur shenja shqetësuese për të ardhmen e reformave”. “Këto përfshijnë vendime gjyqësore të paqëndrueshme në hetime të profilit të lartë, stanjacion në çështje të rëndësishme, mungesë përgjegjshmërie për anëtarët e sistemit të drejtësisë, të cilëve u janë gjetur pasuri të pajustifikuara, si dhe rrjedhje të të dhënave sensitive hetimore te organizata të caktuara politike dhe mediatike”, thekson raporti.

Maqedonia e Veriut vlerësohet me 7.65 pikë për transformimin politik dhe klasifikohet si “demokraci me mangësi”. Për transformimin ekonomik merr 7.18 pikë dhe për qeverisjen 6.07 pikë. Sipas raportit, “sistemi i qeverisjes është ndikuar nga ngecja e negociatave për anëtarësim në BE, të cilat mbetën të bllokuara për shkak të mosmarrëveshjes së pazgjidhur me Bullgarinë. Akuzat për korrupsion ndaj elitave të mëparshme qeverisëse vazhdojnë të minojnë besimin institucional”.

Mali i Zi merr 7.40 pikë për transformimin politik dhe klasifikohet si “demokraci me mangësi”. Për transformimin ekonomik vlerësohet me 7.50 pikë dhe për qeverisjen me 5.90 pikë. Sipas raportit, qeverisja është përmirësuar përmes emërimeve të vonuara në sistemin gjyqësor dhe reformave kundër korrupsionit, duke mundësuar përparim në negociatat me BE-në. Megjithatë, procedurat legjislative shpesh kanë anashkaluar shoqërinë civile, ndërsa tensionet me Kroacinë kanë penguar përkohësisht bashkëpunimin rajonal dhe procesin e integrimit evropian.

Kosova vlerësohet me 6.90 pikë për transformimin politik dhe klasifikohet si “demokraci me mangësi”. Për transformimin ekonomik merr 6.21 pikë dhe për qeverisjen 4.81 pikë. Raporti thekson se “Qeverisja është ndikuar gjithnjë e më shumë nga tensionet e sigurisë dhe marrëdhëniet e tensionuara ndërkombëtare. Dialogu i pazgjidhur me Serbinë, bojkotet nga serbët e Kosovës dhe incidentet e dhunshme në veri kanë dobësuar integrimin shoqëror dhe kanë devijuar vëmendjen nga politikat. Qasja më këmbëngulëse e Kosovës ndaj veriut ka dëmtuar marrëdhëniet me BE-në dhe Shtetet e Bashkuara, duke vonuar integrimin ndërkombëtar dhe duke forcuar kontestimin e shtetësisë”.

Bosnja dhe Hercegovina klasifikohet si “demokraci shumë me mangësi”. Ajo merr 5.95 pikë për transformimin politik, 6.57 pikë për transformimin ekonomik dhe 4.03 pikë për qeverisjen. Sipas raportit, “Qeverisja mbetet e kufizuar nga rrjetet e konsoliduara klienteliste në të gjitha partitë kryesore, duke dobësuar efektivitetin institucional dhe duke frenuar zbatimin e reformave. Megjithatë, përmirësimi i prodhimit legjislativ, përmbushja e pjesshme e prioriteteve kyçe të BE-së dhe angazhimi më i madh ndërkombëtar kontribuuan në hapjen e negociatave për anëtarësim në BE në mars 2024”.

Serbia renditet e fundit në rajon me 5.18 pikë për transformimin politik dhe klasifikohet si “autokraci e moderuar”. Për transformimin ekonomik merr 6.79 pikë dhe për qeverisjen 3.96 pikë. Raporti thekson se në vend është përkeqësuar sundimi i ligjit dhe liria e mediave, ndërsa është rritur polarizimi politik. “Presidenti Aleksandar Vuçiç dhe Partia Progresive Serbe dominojnë sistemin politik, duke kontrolluar në mënyrë efektive qeverinë, parlamentin dhe gjyqësorin, pavarësisht rolit kryesisht ceremonial të presidentit sipas Kushtetutës. Manipulimi i zgjedhjeve nga regjimi është intensifikuar, duke çuar në bojkot të opozitës. Mbikëqyrja parlamentare është e dobët, pasi ajo kryesisht miraton legjislacion në përputhje me vullnetin e presidentit, ndërsa opozita mbetet e fragmentuar dhe nën presion të vazhdueshëm”, thuhet në raport.

BTI 2026 evidenton gjithashtu se në Serbi shoqëria civile dhe mediat e pavarura përballen me presione të vazhdueshme, përfshirë fushata denigruese, padi strategjike dhe survejim, ndërsa protestat masive gjatë viteve 2024–2025 janë delegjitimuar si përpjekje destabilizuese të mbështetura nga jashtë.

Sipas Bertelsmann Stiftung, “qeverisja mbetet shumë e centralizuar dhe e personalizuar. Hartimi i politikave i shërben konsolidimit politik dhe bashkëpunimi ndërkombëtar ka ngecur, me procesin e anëtarësimit në BE të bllokuar dhe me rëndësinë në rritje të lidhjeve ekonomike me Kinën”.

“Nuk ka vullnet politik për të ndjekur penalisht korrupsionin, pasi në qeveri dhe administratë publike mbizotëron një kulturë pandëshkueshmërie”, thekson raporti.

Raporti për vitin 2026 paraqet një panoramë ku vendet e Ballkanit Perëndimor vijojnë procesin e afrimit me Bashkimin Evropian, por përballen me sfida të vazhdueshme në funksionimin e institucioneve demokratike dhe në zbatimin e reformave.  /Pamfleti/

 

rama vucic raporti demokraci

Lini një Përgjigje