TAGS-AT E JAVËS

Politike27 Prill 2024, 07:16

Ilir Meta mban sot Konventën e Partisë, priten sulme ndaj SPAK dhe vizitë te Berisha

Shkruar nga Pamfleti
Ilir Meta mban sot Konventën e Partisë, priten sulme ndaj SPAK dhe
Ilir Meta

Sot kreu i Partisë së Lirisë Ilir Meta, mban në Pallatin e Kongreseve, Konventën Kombëtare të Partisë së Lirisë.

Meta e quan Rithemelim dhe shkëputje nga nepotizmi i partisë.

Konventa do të nisë në orën 10:00 ku priten më shumë se 900 delegatë dhe mbi 2000 të ftuar, mes të cilëve kryetarë të partive aleate dhe sipas PL-së edhe përfaqësi të trupës diplomatike në Tiranë, po trumbetohet nga Ilir Meta si ngjarja e madhe që do të shënojë ringritjen Partisë së themeluar.

Meta ka paralajmëruar që përmes ndryshimeve statutore do ta shkëpusë partinë nga nepotizmi, moment që largon automatikisht Monika Kryemadhin nga strukturat drejtuese.

Vëmendjen kryesore në Kongres pritet ta ketë pikërisht grupi i ish kryetares “Kryemadhi”, ndaj të cilit Meta ka pasur jo pak kritika dhe madje, akuza të forta duke i cilësuar si tradhtarë e të infiltruar të Edi Ramës. Përballjen e parë Meta-Kryemadhi e patën në Komitetin Politik Drejtues, por në Konventë Meta përballet për herë të parë edhe me të tjerë të besuar të Kryemadhit, si Endrit Braimllari që dha dorëheqjen si anëtar kryesie për shkak të luftës së brendshme.

Ndërsa vetë Meta, nuk do të quhet më kryetar i Partisë së Lirisë, por President i saj.

Përballë në garën për President, ai ka Faik Bashën, një ish-drejtues policie, aktualisht kryetar i degës së Kamzës. Por rezultati duket i qartë, pasi më shumë sesa ambicie për President të PL, kandidimi i tij duket përpjekje për të legjitimuar garën.

Me marrjen e postit President, Meta me të besuarit e tij do të drejtohet në rrugicën poshtë banesës së ish kryeministrit Sali Berisha, i cili ndodhet në arrest shtëpie prej 30 dhjetorit, me të cilin përveç armikut politik Edi Ramës, tashmë bashkë ndajnë edhe luftën me drejtësinë.

Konventa për Rithemelimin e PL zhvillohet në periudhën e një sërë sulmesh që Meta i ka bërë SPAK dhe kreut të saj Altin Dumanit.

Lini një Përgjigje