Këtë të martë u mbajt konferenca “Strategji për Mbrojtjen e Viktimave të Krimit”, ku i pranishëm ishte dhe ministri i Brendshëm Taulant Balla.
Balla fajëson platformën e Tik Tok për shpërndarjen e dhunës në vend duke e quajtur atë të dëmshëm për shoqërinë shqiptare.
Ai shprehet se problem mbetet trajtimi nga shteti i personave që kanë qenë viktimë e një ngjarje kriminale, dhuna në familje është një ndër këto aspekte. Sipas tij për të luftuar këtë situatë emergjente, duhet ndihma e të gjithë aktorëve të shoqërisë, përfshirë dhe mediave.
Ministri i Brendshëm theksoi se TikToku, si një aspekt i mediave të reja online, është i dëmshëm për shoqërinë dhe një platformë që ndjell dhunë.
“Jemi në kushtet e një situate emergjente, e cila kërkon adresim të menjëhershëm dhe kjo nuk arrihet vetëm me forcën e ligjit, kjo arrihet duke u bërë të gjithë bashkë, duke krijuar një koalicion kombëtar të të gjithë aktorëve, qofshin aktorë të institucioneve shtetërore, por edhe të shoqërisë civile, edhe të medias, sepse duhet ta pranojmë, nuk flas për mediat tradicionale, por ka tani elementë të rinj të mediave dhe unë jam të paktën në këtë aspekt, jam shumë i qartë për rolin shkatërrues të TikTokut në këtë aspekt si shpërndarës i pakontrolluar i dhunës dhe i dëmit që i krijon shoqërisë. Por na duhet që numrin e lartë të viktimave ta fillojmë ta trajtojmë”, u shpreh ndër të tjera ministri i Brendshëm Taulant Balla.
Shqetësim për rolin e TikTokut kanë shprehur edhe shtete të tjera. Në SHBA, ky rrjet social është konsideruar si rrezik për sigurinë kombëtar. Për këtë arsye, zyrtarët e shtetit janë ndaluar që të përdorin TikTok. Po kështu, edhe funksionarët e Bashkimit Europian janë ndaluar që të përdorin rrjetin social TikTok.
Lini një Përgjigje