Zëdhënësi i Bashkimit Europian, Peter Stano i ka dhënë një përgjigje të qartë dhe të prerë Greqisë për çështjen e Fredi Belerit, ku Athina kërcënon me pengimin e rrugëtimit të Shqipërisë në union.
Stano gjatë një interviste të dhënë për Open Tv News, ka qenë i qartë gjatë me Greqinë duke i thënë se nuk duhet të kijojë krisje të panevojshme në marrëdhëniet dypalëshe.
Stano thekson se në këtë çështje zbatohet sundimi i ligjit.
Pjesë nga intervista në OPEN TV News:
Gazetarja: Qeveria greke e bëri të qartë që do të bllokojë anëtarësimin e Shqipërisë në BE, sa kohë që Kryetari i zgjedhur për Bashkinë e Himarës mbetet në burg.
Stano: Ne nuk hyjmë në mosmarrëveshje dypalëshe pasi kemi besim tek aftësia e aktorëve, sidomos nëse aktorët janë shtetet anëtare të BE-së dhe shtetet që do të jenë pjesë e saj, për ta zgjidhur këtë çështje në mënyrë që të ketë përfitim reciprok, duke zbatuar parimet dhe rregullat. Në këtë rast zbatohet sundimi i ligjit, ligji duhet të respektohet dhe nëse ka dyshime, shtetet anëtare të BE-së dhe gjithashtu shtete si Shqipëria i zotërojnë instrumentet dhe mjetet për t’i dhënë zgjidhje problemeve ose mosmarrëveshjeve të tilla, në mënyrë që të mos krijojnë krisje të panevojshme në marrëdhëniet dypalëshe dhe të mos i ngrenë çështjet bilaterale në nivel unioni, si për shembull në procesin e anëtarësimit.Ndërkohë ditën e djeshme, Gjykata e Posaçme ka rrëzuar kërkesën e Fredi Belerit, i cili ndodhet pas hekurave që në maj kur u mbajtën zgjedhjet lokale, për t’u betuar si kryetar i Bashkisë Himarë.
Sipas GJKKO, nuk ka një dispozitë ligjore që mund ta lejojë Belerin që të betohet, edhe pse më 14 maj ai e fitoi bashkinë Himarë.
Pas vendimit të gjykatës, për mediat ka folur kryetari i PBDNJ-së, Vangjel Dule i cili theksoi se Belerit, prej muajsh i privohet e drejta e tij themelore teksa akuzoi kryeministrin Rama se qëndron pas vendimeve të Drejtësisë për këtë çështje.
Gjatë seancës, kryetari i zgjedhur i Bashkisë Himarë deklaroi se ndaj tij po bëhet një padrejtësi për interesa politike dhe financiare.
Lini një Përgjigje