
Deputeti i Partisë Demokratike Dashnor Sula deklaroi se nëse nuk ndodh bashkimi i PD-së në zgjedhjet e përgjithshme të vitit 2025, nuk do ketë marrje të pushtetit nga opozita, por situata do bëhet edhe më e rëndë.
Në një intervistë për emisionin “Frontline” në “News24”, ai shtoi se humbja e bastioneve të djathta më 14 maj, ishte një tregues i fortë për bashkimin e Partisë Demokratike, e cila sipas tij duhet të përfshijë edhe Sali Berishën dhe jo ta përjashtojë atë.
Ai shtoi se vetëm bashkimi mund të sjellë fitore, teksa shtoi se është çmenduri nëse vijojmë kështu dhe presim rezultate të ndryshme.
“Nëse nuk mendojnë për të ardhmen e shqiptarëve le ta lënë Shqipërinë në dorën e regjimit. Ta garantoj një gjë. Nëse nuk ndodh bashkimi i opozitës u garantoj se në vitin 2025 demokratët të mos gënjehen se do fitojnë pushtet, por do jenë keq e më keq. 14 maji ishte shenjë paralajmëruese për të gjithë. Me kaq gjynahe sa ka kjo qeveri, njerëzve u duken të gjithë njësoj dhe të gjithë cilësohen të këqij. Pyetja është pse opozita nuk ngre frymën dhe revoltën brenda qytetarëve.
Si mund të humbet Kukësi, Shkodra, Tropoja, Dibra, Kamza, etj. Si mund të humben këto bastione. Pse nuk i humb PS bastionet. Sepse dinë të punojnë bashkë edhe pse bëjnë pisllëqe. Ne nuk e kemi atë frymë, Nuk them se duhet të ikë Berisha dhe do fitojmë. Zgjidhja është vetëm bashkimi i opozitës. Ditën e martë do bëj një apel miqësor të gjithë anëtarëve të PD të ngrihen në lartësinë e duhur dhe jo të interesave individuale. Rithemelimi duhet të kuptojë se nuk i ka të gjithë njerëzit, por edhe ne morëm vota prej siglës. Duhet të ketë bashkim. Është çmenduri nëse vijojmë kështu dhe presim rezultate të ndryshme”, u shpreh ai.
Lini një Përgjigje