Deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku ka reaguar në lidhje me deklaratën e ministres së Ekonomisë dhe Financave, Delina Ibrahimaj e cila tha se rritja e pagave për muajin maj është shtyrë dhe se nuk do të ketë shtesa për punonjësit e administratës.
Me anë të një reagimi në rrjete sociale, Tabaku e ka cilësuar këtë si një “zvarritje të pakuptimtë të qeverisë”. Ajo theksoi se premtimi i rritjes së pagave ishte një reklamë e papaguar fushate dhe se nuk ishte bazuar në llogaritjet korrekte të buxhetit.
Deputetja demokrate tha se paaftësia dhe këmbëngulja krenarisht në të nuk duhet të jetë justifikim për shtyrjen në kohë të një ligji të miratuar në parlament dhe të dekretuar.
“Zvarritja e pakuptimtë e qeverisë me rritjen e pagave kur ka që në dhjetor që i reklamon dhe mbasi janë miratuar dhe në parlament tregon se premtimi i rritjes së pagave ishte reklamë e papaguar fushate dhe nuk ishte i bazuar në llogaritje korrekte të buxhetit.
Nuk e di si ta kuptojmë Ministren e Financave që ka muaj që thotë paratë janë atje, që janë llogaritur efektet, që hyn në fuqi me sot me nesër.
Paaftësia dhe këmbëngulja krenarisht në të nuk duhet të jetë justifikim për shtyrjen në kohë të një ligji të miratuar në parlament dhe të dekretuar. Ministri Financash që ngatërrohet në llogari është e pazonja të menaxhojë arkën e taksave të shqiptarëve.”, shkruan Tabaku.
Lini një Përgjigje