
Ish kryeministri, Sali Berisha deklaroi se të nesërmen nuk pret një vendim tjetër nga gjykata, përveç miratimit të masës së arrestit në shtëpi.
Në një intervistë për emisionin “Pa censurë” në RTSH, ai teksa theksoi se i gjithë procesi ndaj tij është i kurdisur politikisht.
“Si mund të mendoni ndryshe, kur i gjithë establishmenti i diktaturës së bandave u vu në garë se kush të dëshmojë më shumë zellin në hakmarrjen e tij politike në funksion të Edi Ramës. Procesi është oruellian, është kafkian. Procesi tregoi të gjithë shëmtinë e këtij regjimi, që s’ka ligje, s’ka moral”, tha Berisha i cili përdori një gjuhë më të ashpër se zakonisht ndaj kreut të SPAK-ut, Altin Dumani.
I pyetur nëse Dumani është një majtist, siç thotë Berisha apo një proamerikan, që ndjek një axhendë të caktuar të ambasadës amerikane?
Berisha përgjigjet: “Për sa i përket proamerikanizmit, nuk mund të them se çfarë përfaqëson, por ai ndjek axhendën e Edi Ramës. Kam denoncuar në gusht dy takime të tij të fshehta, jozyrtare me Edi Ramën. Është takuar dy herë me të në harkun kohor dyjavor.”
Gjatë intervistës kreu i opozitës u përpoq të përçonte tek mbështetësit frymë optimizmi, edhe kur u pyet, nëse izolimi eventual mund t’ia vështirësojë komunikimin me elektoratin.
“Përkundrazi, më frymëzon më shumë. Nuk fitohet kurrë një betejë pa frymëzim. Frymëzimi është energjia e çdo fitoreje. Ka 120 mijë mënyra për t’ia komunikuar këtë frymëzim elektoratit. Nuk ka mure, nuk ka pengesa që ndalojnë komunikimin e idealeve”, tha Berisha.
Ai paralajmëroi gjithashtu ngritjen e protestave për të rrëzuar nga pushteti kryeministrin Rama përpara zgjedhjeve.
“Protestat tona do të jenë mosbindje civile. Ne kemi përpara një diktaturë bande. Dikur, Enver Hoxha kishte luftën e klasave si forcë shtypëse të shoqërisë, sot Edi Rama ka aleancën me krimin si forcë shtypëse të shoqërisë. Arma për të zgjuar luanin e fjetur tek qytetarët e trembur është aksioni me mosbindje civile”, tha ai.
Lini një Përgjigje