TAGS-AT E JAVËS

Politike20 Tetor 2025, 17:36

Gjadri, dy vite farsë: Marrëveshja Rama-Meloni që nuk zbaton asgjë, por ha miliona!

Shkruar nga Pamfleti

Gjadri, dy vite farsë: Marrëveshja Rama-Meloni që nuk zbaton

Qendra për emigrantët e premtuar me bujë nuk funksionon, por vazhdon të gllabërojë fonde publike. Asnjë transparencë, asnjë rezultat, vetëm heshtje dhe kontrata sekrete...

Nëse projekti nuk mund të shërbejë si model funksional për Europën, atëherë duhet të mbahet në jetë me çdo kusht, qoftë duke shpenzuar miliona, qoftë duke shkelur të drejtat.

Kjo është filozofia që duket se udhëheq zbatimin e marrëveshjes Itali-Shqipëri për qendrat e përpunimit të emigrantëve. Një vit pas nisjes së saj në terren dhe gati dy vite pas firmosjes nga qeveria Meloni, bilanci është skandaloz: një projekt që nuk ka arritur objektivat dhe që po gllabëron buxhetin italian për t’i dhënë jetë një fasade politike.

Sipas projektit fillestar, qendra në Gjadër, një zonë e izoluar në veri të Shqipërisë, do të kishte një kapacitet total prej afro një mijë vendesh, e ndarë në tri njësi: një strukturë pritëse për azilkërkuesit me 880 vende, një CPR (qendër për riatdhesim) me 144 vende, dhe një mini-burg me 20 vende për personat që kryenin vepra penale gjatë ndalimit. Në realitet, kompleksi nuk u ndërtua kurrë i plotë dhe nisi funksionimin me urgjencë më 16 tetor 2024, me më pak se 50 shtretër. Deri në mars 2025, kapaciteti kishte arritur rreth 400 vende, por vetëm një numër i vogël emigrantësh kaluan aty: rreth 20 persona në vitin 2024 dhe 43 në janar 2025.

Pasi disa vendime gjyqësore në Itali urdhëruan rikthimin e azilkërkuesve, qeveria italiane vendosi më 28 mars 2025 ta shndërrojë Gjadrin në një CPR të mirëfilltë, të njëjtën kategori me ato që operojnë në territorin italian. Gjadri u bë kështu CPR-ja e 11-të në sistemin italian, por ndodhet jashtë kufijve të Bashkimit Europian dhe nuk i nënshtrohet standardeve të njëjta monitorimi.

Që nga tetori 2024 deri në korrik 2025, sipas të dhënave të siguruara nga organizata Altreconomia përmes kërkesave për transparencë, në Gjadër janë ndaluar gjithsej 111 persona. Por kostoja totale për këtë periudhë është 133 milionë euro, ose rreth 1.2 milionë euro për çdo person të ndaluar. Këto shifra e bëjnë të paqëndrueshme pretendimin e qeverisë Meloni se kjo qendër është një zgjidhje efektive për menaxhimin e emigracionit. Ndërkohë, numri i emigrantëve që arrijnë në Itali vazhdon të jetë i lartë: mbi 140 mijë në vitin 2023, mbi 54 mijë në 2024 dhe mbi 55 mijë vetëm për pjesën e parë të vitit 2025.

Transparenca është pothuajse zero. Ministria e Brendshme italiane deklaron se nuk ka të dhëna të detajuara për funksionimin e qendrës, ndërsa organizatat që merren me të drejtat e emigrantëve janë të detyruara të përdorin kërkesa për informacion për të marrë të dhëna të pjesshme. Në vitin 2024, qendra në Gjadër funksionoi për vetëm pesë ditë, por kontrata 133 milionëshe që iu dha kompanisë Medihospes parashikonte pagesa edhe për periudhat e pasivitetit. Vetëm për ato pesë ditë, kompania përfitoi 570 mijë euro nga prefektura e Romës, sipas një hetimi të përbashkët nga Action Aid dhe Universiteti i Barit.

Në këtë shumë përfshihen jo vetëm pagesat për operimin, por edhe kostot e ndërtimit dhe “militarizimit” të strukturave, që kapin vlerën mbi 74 milionë euro – të gjitha të dhëna me procedura të mbyllura, pa garë dhe pa transparencë. Në këto kushte, janë shtuar dyshimet se qendra në Shqipëri nuk është krijuar për efektivitet, por për të shmangur auditimin dhe kontrollin institucional të shpenzimeve publike.

Burime nga brenda Medihospes tregojnë se në fillim, punonjësve italianë iu ofrua pagë mbi 3 mijë euro në muaj, më shumë se dyfishi i pagës në Shqipëri. Për të ulur shpenzimet, kompania krijoi një degë në Tiranë dhe punësoi rreth 100 punëtorë shqiptarë me kontrata sipas ligjit vendas. Oficerët italianë të burgjeve, 15 gjithsej, mbeten të stacionuar në Gjadër edhe pse burgu nuk është funksional, me pagesë ditore prej 130 euro dhe të drejtë kthimi një herë në muaj në Itali. Kjo i sjell shtetit një kosto shtesë prej rreth 4 mijë euro në muaj për çdo oficer. Ndërkohë, forcat e policisë italiane, rreth 60 persona, akomodohen në një hotel me pishinë. Vetëm për këta pesë ditë operimi në vitin 2024, janë shpenzuar 528 mijë euro për akomodim dhe ushqim.

E gjithë kjo strukturë, sipas një ish-punonjësi që ka dëshmuar për gazetën “Domani”, është totalisht e izoluar nga mbikëqyrja publike. Gazetarët, organizatat e të drejtave të njeriut dhe madje edhe deputetët nuk lejohen të hyjnë. Ministria italiane e Brendshme ka kufizuar kompetencat e inspektorëve dhe ka bërë gjithçka për ta mbajtur këtë operacion të mbuluar me fshehtësi. Punonjësit janë detyruar të firmosin klauzola konfidencialiteti, ndërsa kriteret për përzgjedhjen e emigrantëve që transferohen në Shqipëri nuk janë bërë publike. Nuk është më Marina Italiane që merret me transportin, por “mjeti i disponueshëm sipas rastit”, ndërkohë që asnjë institucion nuk jep informacion të detajuar mbi procedurat. Kjo krijon një sistem “kuti kineze”, ku askush nuk merr përgjegjësi dhe askush nuk kontrollon.

I vetmi justifikim që duket se ka mbetur për qeverinë italiane është shmangia e përgjegjësisë përpara Gjykatës së Llogarive, pasi fondet e shpenzuara janë të pashpjegueshme përballë rezultateve minimale. Por sipas organizatës Action Aid, është krejtësisht e palogjikshme të transferohen emigrantë nga Italia në Shqipëri kur brenda territorit italian, në vitin 2024, kishte 263 vende bosh në qendrat ekzistuese të pritjes. E më pas, këta persona gjithsesi duhen rikthyer në Itali për t’u riatdhesuar.

Në thelb, projekti i Gjadrit është një makineri burokratike që shkatërron fonde publike dhe cenon të drejtat e emigrantëve dhe që, për më tepër, po përdoret si model i rremë për një të ardhme europiane, në kuadër të Paktit të Ri për Migracionin që pritet të hyjë në fuqi në qershor 2026. Në përpjekje për ta mbajtur gjallë këtë eksperiment të dështuar, ekzekutivi italian po shkatërron edhe themelet e shtetit të së drejtës, edhe arkën e vet fiskale. /Përshtati “Pamfleti” nga “Ristretti”

1 Komente

  1. L
    Llazar

    Giorgia Meloni është politikane e vlerësuar në Itali por nuk kupton asgjë nga mardhëniet mes Italisë dhe Shqipërisë. Ngatërrimi me Shqipërinë është vdekjeprurës për çdo karrierë politike në Itali.... Këtë e dëshmon historia. Mëndjemadhja romane do t'a pësojë keq nga kruarja me fikun e detit

    Lini një Përgjigje