TAGS-AT E JAVËS

Politike 1 Dhjetor 2025, 19:02

Foltorja e PD-së para Kryeministrisë, Kaso: Qeveria ‘Rama’ është problemi më i madh i shqiptarëve!

Shkruar nga Pamfleti

Foltorja e PD-së para Kryeministrisë, Kaso: Qeveria ‘Rama’

Deputeti i PD-së, Ivi Kaso në fjalimin e tij gjatë foltores së rradhës të mbajtur para Kryeministrisë, duke cituar ish-presidentin amerikan Ronald Reagan se “qeveria është problemi, jo zgjidhja”, ai deklaroi se qeverisja aktuale është kthyer në “hallin më të madh të shqiptarëve”.

 Kaso shtoi se qeveria e Ramës është kthyer në një bandë kaçakësh të veshur mirë që ndjek urdhrat e “kryekaçakut”. Ai theksoi se nëse kryeministri përballet me drejtësinë, do të duhet të japë llogari për një sërë aferash.

“Mirëmbrëma të nderuar qëndrestarë. I nderuar kryetar i Partisë Demokratike, profesor doktor Sali Berisha. Të nderuar deputetë, motra dhe vëllezër demokratë. Mirë se vini sot në takimin e tretë të Parlamentit të Qytetarëve, të Parlamentit tuaj. Në janarin e vitit 81, presidenti i sapozgjedhur Regan në ceremoninë e inaugurimit do të deklaronte: Në këtë krizë të sotme, qeveria nuk është zgjidhja, qeveria është problemi. Dhe në rast se presidenti Regan e thoshte këtë shprehje epike në një vend ku funksionon demokracia dhe ligji, për Shqipërinë tonë është ndryshe. Këtu qeverisja sot është kthyer në hallin më të madh të shqiptarëve. Ne nuk kemi një qeveri të popullit, prej popullit dhe për popullin. Po ne kemi një bandë kaçakësh të veshur mirë që ndjekin qorrazi urdhërat e kryekaçakut, i cili ka një synim të vetëm. Të vjedhi çdo gjë që Zoti ja ka falur pa kursim këtij vendi, të përzërë shqiptarët, të tall fermerët, të katandisë arsimtarët dhe nxënësit në ditën e tyre më të zezë.

Ai ka synim të shuaj çdo zë dinjitoz në këtë vend, të nëpërkëmbë çdo kritikë, ka synim që opozitën ta kthejë në shtojcë të qeverisë. Sot, kryeministri i vendit mashtron publikisht kur thotë se nuk ka ndodhur në asnjë vend të botës që drejtësia të pezullojë një ministër nga detyra. Krejt e kundërta është e vërtetë. E para, se në Evropë nuk ndodh që zëvendëskryeministri të jetë i pandehur dhe të merret në mbrojtje nga shefi kryeministër. Ai ose jep dorëheqjen, ose shkarkohet. Në çdo vend të botës, ligjet parashikojnë që kur shteti dëmtohet nga ndonjë bashkëpunëtor, si ky këtu në godinën këtu mbrapa, atëherë ja se çfarë ndodh. Në Rumani janë pezulluar nga gjykata tre ministra njëherësh pasi ishin nën hetim për korrupsion. Dhe kjo pasi ish-kryeministri socialist Viktor Ponta refuzonte t'i shkarkonte. Në Itali, ish-ministrja e bujqësisë u pezullua nga detyra dhe humbi të drejtën për funksione publike.

Në Francë janë dy ministra të shkarkuar në periudha të ndryshme, njëri prej tyre ministri i Brendshëm. Po ashtu në Belgjikë, Kroaci, Spanjë, dhe për të mos folur pastaj për arrestimin e ish-kryeministrit të Bosnjës në rastin e respiratorëve për pandeminë COVID-19, të cilit prokuroria i vuri prangat në zyrën e tij gjatë hetimeve. Kjo është e vërteta. Por duhet ta kemi të qartë se me refuzimin e tij për të shkarkuar Ballukun, Edi Rama po mbron vetëm veten e tij. Ai kërkon të krijojë një precedent të rrezikshëm i cili rreket të mbrojë jo vetëm atë, por çdo hajdut dhe zullumqar pushteti në këtë vend. Komisioni i Venecias e ka shprehur qartë qëndrimin e tij se askush nuk është mbi ligjin kur bie fjala për veprat e rënda penale siç është korrupsioni. Por Edi Rama e di fort mirë se me arrestimin e Ballukut, sado e cunguar të jetë drejtësia në këtë vend, më pas do të kërkohet koka e tij. Dhe në rast se futet në morsën e drejtësisë, ky njeri që ka uzurpuar këtë godinë do të duhet të përgjigjet edhe për shumë e shumë krime të tjera. Edi Rama është shefi i të gjithë atyre që janë sot nën hetim apo pas hekurave dhe duhet ta ndajmë njëherë e përgjithmonë. Shefi ose e di dhe është i korruptuar, ose nuk di dhe është i mangët nga mendtë e kokës dhe nuk bën për atë punë. Në çdo rast, ai duhet të iki.

Edi Rama do të duhet të përgjigjet për vjedhjen me inceneratorët që nuk ekzistojnë, për tenderat e shëndetësisë që i jep miqve të vet oligarkë, për tigrat e Vlorës, për pastrimin e parave që bëhen me firmën e tij me lejet e ndërtimit. Do t'i duhet të përgjigjet edhe për skandalin me rrugës Qukës, rrugën Qukës-Qafë Ploçë që ka kushtuar 260 milionë euro të paktën dhe që u shemb nga shiu i parë. Në një qeveri të përgjegjshme, siç ishte qeveria e Partisë Demokratike e cila e ideoi atë rrugë, ato 43 km nuk do të kushtonin asnjëherë më shumë se 90 milionë euro të cilat ishin parashikuar. Edi Ramës, në qoftë se do t'i vihet para përgjegjësisë së drejtësisë, do të duhet të përgjigjet edhe për grabitjen e pronave publike. A nuk është vjedhja e tokave të Gjipe-së rasti më flagrant se si një kryeministër vë në rresht të gjithë institucionet e shtetit për të grabitur direkt për interesin e vet 224,000 m² në vendin më të bukur në Shqipëri? Partia Demokratike e ka denoncuar prej më shumë se një viti këtë aferë, por ende nuk ka sot asnjë hetim për këtë. Të dashur motra dhe vëllezër, ne do të vazhdojmë të dalim në këtë foltore për të drejtën e fjalës dhe për të vërtetën që me çdo kusht duhet thënë. Qytetarët, demokratë ose jo, nuk duhet të dekurajohen, ashtu siç nuk u dekurajuam ne për 46 javë me radhë përpara Bashkisë së Tiranës. Faleminderit!”, deklaroi Kaso!

Lini një Përgjigje