TAGS-AT E JAVËS

Politike11 Maj 2025, 20:53

“Exit-polli” për zgjedhjet e 11 majit, Berisha sulmon Baton Haxhiun: Gënjeshtar i Ramës!

Shkruar nga Pamfleti

“Exit-polli” për zgjedhjet e 11 majit, Berisha sulmon Baton

Kreu i opozitës Sali Berisha ka komentuar një exit-poll të nxjerrë nga “Albanain Post”, duke e quajtur atë si një mashtrim të porositur nga Rama.

Në një konferencë për mediat nga selia e PD-së, Berisha akuzoi Baton Haxhiun se nuk ka bërë asnjë exit poll, por thjeshtë ka marrë memorandumin e Ramës në Kuç, duke e shtiur atë si Exit-poll.

Më tej ai shtoi se këto janë orët e fundit të Ramës në pushtet dhe se këto gënjeshtra nuk do t’i shkojnë për shumë gjatë.

“Baton Stanishiqi nuk ka bërë asnjë exit-poll, Rama po e përdor si gënjeshtar të gatshëm sepse këto janë orët e tij të fundit në pushtet Së dyti, lidhur me një exit- poll të pretenduar nga gënjeshtari i gatshëm.

Baton Stanishiqi është gënjeshtari i gatshëm, që nuk bëri asgjë tjetër, veçse pa bërë asnjë exit-poll, lexoi apo konvertoi në poll, memorandumin e Kuçit. I them Edi Ramës, se me pilula të tilla, do mbetesh shumë shpejt për një kohë të gjatë pa gjumë.

Janë realisht orët e fundit e tij në pushtet. Prandaj mos përdor gënjeshtarë të gatshëm, papagaj, të cilët janë të aftë të deklarojnë çdo gjë përkundrejt pagesave.

Këto kisha unë, ndërkohë procesi po monitorohet plotësisht. Ju e patë, po zbulohen zyrat ilegale të PS. Çerdhe të krimit elektoral. Krahas asaj që u kap në flagrancë deputeti Braçe me një grup, tani është një tjetër zyrë e tillë ilegale në Astir dhe ajo po procedohet sipas ligjit.

Ka një qëndrim të vendosur të të gjitha strukturave tona për të denoncuar, për të të zbuluar të gjitha përpjekjet e dështuara të Edi Ramës në këtë proces të humbur për të”, tha Berisha.

Më tej ai shtoi se të gjithë treguesit flasin për një fitore të Partisë Demokratike, por refuzoi të flasë me shifra.

“Të gjithë treguesit janë për një dominim të qartë elektoral të aleancës tonë. Të gjithë treguesit. Edhe rritja e ndjeshme e përqindjes në votime në zonat tona është një ogur i bardhë për rezultatin e aleancës tonë. Unë kurrë nuk flas për përqindje dhe për numra pa dalë ato. Nuk kam unë ndonjëherë dëshirë për të bërë rolin e profetit. Ja, ai merr Batonin si gënjeshtar në gatishmëri. Unë nuk bëj ashtu, unë pres sovranin... Unë jam këtu për të paraqitur para jush dhe publikut ato që ndodhin. Dhe ne gjatë gjithë ditës kemi dokumentuar me përgjegjësi të plotë të gjitha përpjekjet antiligjore të bëra në të katër anët e vendit.

Por të dërgosh banda për të rrethuar KZAZ-të është një përpjekje flagrante për të ndikuar në rezultatin, por kjo nuk do ndodhë sepse komisionerët tanë kanë marrë udhëzime të qarta dhe të prera. Përgjegjësia për të gjitha këto është e Edi Ramës”, tha ai.

Lini një Përgjigje