TAGS-AT E JAVËS

Politike18 Gusht 2024, 18:17

Ethet e listave të 2025, “fytyra” e Parlamentit të ri në dorë të SPAK!

Shkruar nga Pamfleti
Ethet e listave të 2025, “fytyra” e Parlamentit të ri
Altin Dumani në Parlament

Kush kandidon dhe kush jo në zgjedhjet e 2025, varet nga vullneti i SPAK-ut...

Pas afro 10 ditësh poltika do t’i rikthehet normalitetit dhe fokusi kryesor pritet të jenë zgjedhjet e 2025. Siç jemi mësuar rëndom, fushata nis shumë kohë më parë dhe duke filluar nga shtatori, pritet që kryeministri Rama të nisë turin e famshëm të takimeve nga njëri qytet në tjetrin. Të njëjtën gjë pritet të bëjnë Meta dhe deputetët e PD, teksa Berishën me shumë gjasë do vijojmë ta dëgjojmë të flasë nga ballkoni.

Por ndryshe nga zgjedhjet e kaluara, këtë herë përveç krerëve të partive, një rol vendimtar në kompozimin e Parlamentit të ri do të ketë Prokuroria e Posaçme. Sado emrat e kandidatëve sërish do të jenë në dorë të kryetarëve, këtë herë shumë kandidime do të varen nga vullneti i prokurorëve specialë.

I pari është Ilir Meta. Sado që ka nisur takimet dhe flet për një fitore bindëse në Tiranë, Ilir Meta nuk e ka aspak të sigurt kandimin në zgjedhjet që vijnë. Ose më saktë ai mund të kandidojë, por mund të ketë fatin e Fredi Belerit. SPAK ka në dorë shumë dosje kundër tij dhe prej muajsh po flitet se do të arrestohet. Pra nëse SPAK vepron dhe i vë prangat para zgjedhjeve, atëherë Meta ta harrojë Parlamentin. Ndërkohë, nëse SPAK nuk vepron, atëherë duhet të ngrihen shumë pikëpyetje dhe aludime se ky organ është blerë ose është trembur nga ish-presidenti, që vetëm kërcënon dhe anatemon.

Po ashtu në dorë të SPAK do të jetë dhe fati i Sali Berishës. Prokuroria ka zgjatur disa herë hetimet dhe ende nuk e ka dërguar dosjen në gjykatë. Për sa kohë nuk ka nisur gjykimi, Berisha do të vijojë të jetë në arrest shtëpie. Kandidimi tij do varet nga veprimet e SPAK dhe Berisha jo më kot ka nxjerrë në skenë Argitën.

Nga radhët e PS pritet një furtunë e madhe. Kemi disa emra me dosje në SPAK, të cilët pritet që të mos kandidohen në zgjedhjet që vijnë. Sinjalet janë se më shumë se gjysma e deputetëve aktualë të PS mund të mos jenë më në Parlamentin e ri. Rama do shfrytëzojë zgjedhjet për të tentuar të pastrojë imazhin e qeverisë dhe partisë. Ashtu si Vullnet Sinaj, do ketë shumë emra në ditët në vijim që do deklarojnë se nuk duan të kandidojnë.

Edhe në radhët e PD ka shumë deputetë që mund të mos kandidohen për shkak të SPAK. Janë shumë emra që po hetohen, një pjesë për afera kur kanë mbajtur detyra si kryetarë bashkie dhe një pjesë për fshehje pasurie.

Kemi Fatmir Medin, kandidimi i të cilit po ashtu do të varet nga vendimi që do të japë GJKKO. Ai është duke u gjykuar për Gërdecin.

Pra SPAK, duket se është organi i cili do të përcaktojë se kush do të jetë fytyra e Parlamentit të ri/ Pamfleti

Lini një Përgjigje