Amerikanët vijojnë t’i japin goditje të njëpasnjëshme Sali Berishës...
Amerikanët e kanë bërë edhe një herë të qartë se Sali Berisha nuk është e ardhmja politike në vend. Sipas tyre, të votosh për koalicionin Berisha-Meta për Shtetet e Bashkuara të Amerikës është një kthim pas për vendin. Deklaratën e ka bërë ekskluzivisht i dërguari i posaçëm i SHBA për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar.
I pyetur se sipas të gjitha gjasave, e konfirmuar kjo edhe në sondazhe, aleanca e Berishës dhe Metës është forca kryesore opozitare në vend dhe a do të bashkëpunojë SHBA me Berishën si drejtues opozitar, Escobar e ka thënë qartë se nuk e kupton se pse shqiptarët duhet të shohin mbrapa.
“Për mua nuk e di pse njerëzit duhet të shohin mbrapa në të shkuarën për aq kohë sa mund të shikojnë drejt së ardhmes. Do të preferoja të mos komentoja shumë rezultatin zgjedhor, por dua të sjell në vëmendje progresin që ka bërë Shqipëria për këto 30 vite. Shqipëria ka ecur përpara në integrimin eurtoatlantik dhe ka ngritur nivelin e besueshmërisë në arenën ndërkombëtare që kurrë nuk e ka pasur më parë, dhe ka shumë sfida që duhet të përfshihen në programimin e agjendën”, ka thënë ai në “Report Tv”.
Deklarata e tij është në një linjë me atë të pak ditëve më parë kur ishte në Tiranë. Escobar ja bëri të qartë Berishës më 14 prill se damka e “non gratës” nuk hiqet sido që të jetë rezultati i zgjedhjeve. Po ashtu, ai e cilësoi atë si të shkuar dhe pa të ardhme për vendin.
“Para së gjithash, pozicioni ynë për këtë individ është shumë i qartë. Nuk njoh asnjë person që të ketë arritur të ndryshojë përcaktimin e DASH sipas legjislacionit tonë, duke fituar zgjedhjet. Thënë kjo, mendoj se Shqipëria ka të ardhme të jashtëzakonshme dhe të përqendrohet tek e ardhmja. Ka shumë njerëz që duan të tërhiqen tek e shkuara. Nuk është ky një vend që Shqipëria duhet të shkojë. Ai është e shkuara”, tha Escobar.
Pra duket se për amerikanët Berisha është një person i zhytur në afera korrupsioni dhe nuk ka kthim pas në këtë aspekt.
Lini një Përgjigje