TAGS-AT E JAVËS

Politike 8 Dhjetor 2025, 07:28

Erion Braçe: Më vjen keq që Kuvendi më ka krijuar përplasje me Grida Dumën dhe Jorida Tabakun

Shkruar nga Pamfleti
Erion Braçe: Më vjen keq që Kuvendi më ka krijuar
Erion Braçe

Erion Braçe ka reflektuar pas intervistës së tij të parë me moderatoren, dhe dikur ish-kolegen e tij deputete, Grida Duma, në emisionin e saj “Top Story” në Top Channel.

Në një koment në rrjetet sociale, Braçe zbulon përplasjet që ka pasur me Dumën në Kuvend, po ashtu edhe me deputeten demokrate Jorida Tabaku, e cila gjithashtu ndante të njëjtën studio me të në emisionin e së enjtjes.

Deputeti socialist thotë se i vjen keq për ato përplasje në Kuvend që shpesh synojnë të kthehen personale dhe sipas tij mund të shkojnë deri në poshtërimin e tjetrit, duke ia atribuuar konfliktit politik.


Postimi i plotë i Braçes:

Të enjten isha në Top Story, në Top Channel.

Kjo është një foto e minutave të mia atje. Është Grida Duma, Jorida Tabaku dhe unë, në foto gjithnjë.

Një ditë më pas, gazetari i emisionit më dërgoi nja dhjetë foto – isha vetëm unë në to. I pashë dhe i shkruajta: “Po unë nuk isha vetëm!!” Qeshi dhe më dërgoi këto që shihni në seri.

1. Grida Duma dhe unë nuk kemi folur ndonjëherë. Kemi qenë në Kuvend, në të njëjtën kohë, në dy anë të ndryshme, por nuk kemi pasur komunikim.

Edhe pasi ajo iku nga Kuvendi, njësoj.

Po e them: më pëlqente kur i ktheheshin aty, pas fjalëve të saj; madje kam qeshur me zë kur i ktheheshin keq. Më vjen keq për këtë!

Unë nuk shoh politikë në televizion, por në emisionin e saj është folur për mua; janë thënë të pavërteta, madje edhe jam fyer qëllimisht. Jam përgjigjur edhe unë publikisht, në mënyrë të njëjtë. Dy herë kemi shkëmbyer mesazhe në gjithë kohën pas Kuvendit. Të dyja herët ka qenë për të qenë në emision. Herën e parë i thashë se nuk kisha nerva të isha në TV. Nuk e besoi; e kuptova kur e dëgjova të fliste më pas për emisionin e saj, për nisjen e tij. Hera e dytë ishte këtë të enjte, por këtë herë isha në studion e saj.

Pas emisionit i mendova të gjitha këto, mbi të gjitha marrëdhënien. Do doja të isha sjellë krejt ndryshe. Çdo gjë nis në Kuvend e vijon prej ndarjes së egër aty. Kam kuptuar se në Kuvend nuk mund të jesh, ose është e vështirë të jesh, njeri normal; deputet po, por njeri i tillë jo. Rrënjët janë te konflikti; ai shërben si nxitës i adrenalinës dhe kjo e fundit e bën konfliktin personal, kërkon ta mundësh deri sa ta poshtërosh tjetrin, edhe kur është grua. Pas tij çfarë nuk ka – lëvdime në sy e në telefon, rrjete sociale, vlerësime si “i zoti” ngado – dhe ti zhytesh e krijon këtë profil që është i ashpër, deri diku i dhunshëm. Profil që është i rremë si model suksesi; nuk i vlen kujt, veçanërisht njerëzve të zakonshëm. Profil që ndan, përçan dhe bën dëm; marrëdhëniet i rrënon, mosbesimin e kthen në vlerë.

Do doja që gjithçka të niste te respekti dhe respektin ta jepja unë.

2. Jorida Tabaku ka një jetë në Kuvend, në Komisionin e Ekonomisë në më të shumtën e kohës, përballë gjithnjë, duke menduar ndryshe, përplasur çdo herë; në pak raste në një mendje – në fakt unë deri diku në qëndrimet e saj, ajo kurrë në qëndrimet e mia. Në debat permanent dhe gjithnjë në përpjekje për ta gjetur pa argument apo në argumentin e gabuar, në numrat që nuk janë apo nuk qëndrojnë. Një përballje që të shtyn të lexosh, të kërkosh, të dokumentohesh, troç: të përgatitesh për qëndrimin tënd, si afirmim apo si kundërshti në thelb, të mbështetur në dije e parime, për të mbërritur te më e mira. Dy qenie politike tërësisht të ndryshme, të mbështetura në ideologji të ndryshme, prej nga rrjedhin qëndrime të ndryshme politike e profesionale, por që ia pranojmë njëra-tjetrës si të tilla, pa ndryshuar gjë.

Lini një Përgjigje