
Janë të paktën 5 emra që dikur përfaqësonin opozitën, më konkretisht Partinë Demokratike apo koalicionin e drejtuar prej saj, që në 11 maj do të garojnë në listat e Partisë Socialiste.
Në Qarkun e Tiranës, lista e hapur është ish-Sekretari i Përgjithshëm i Partisë së Lirisë Endrit Brahimllari, i njohur si një ndër figurat më aktive të saj. Brahimllari ishte një funksionar i lartë i partisë që drejtohej në atë kohë nga deputetja Monika Kryemadhi. Së fundmi Brahimllari u përjashtua nga riorganizmi që Kryetari i Partisë së Lirisë Ilir Meta, bëri përpara se të vihej në pranga nga SPAK.
Një tjetër emër në Tiranë nga opozita është dhe Blendi Sulaj që ka mbajtur postin e nën/Kryetarit të Partisë Republikane të drejtuar nga Fatmir Mediu. Sulaj përpara se t’i bashkohej listës së Partisë Socialiste, ka drejtuar dhe degën e njësisë 9 në Tiranë në kohën kur e drejtonte Lulzim Basha pas ngjarjeve të zgjedhjeve 2021.
Një emër tjetër që mori vëmendje në listat e Partisë Socialiste është dhe ish-deputeti i Kukësit, Alban Zeneli. Ai ka qenë deputet në legjislaturën 2013-2017 dhe më pas ishte një ndër deputetët që nuk pranoi të digjte mandatet në 2019 pas vendimit të kryetarit të asaj kohe Lulzim Basha. Sipas Shalsit, Zeneli i është bashkuar Kukësit si një forcë tradicionale politike e zonës.
Duket se Partia Socialiste nuk ka marrë vetëm ish-funksionar nga PD dhe PR, por edhe nga PDIU e drejtuar nga Shpëtim Idrizi, ku ky i fundit për zgjedhjet e 11 Majit i është bashkuar ‘Koalicioni Madhështor’ të Berishës. Bëhet fjalë për Nusret Avdulla-n i cili kandidon në listën e hapur të Fierit. Avdulla ka drejtuar degën e Fierit për PDIU dhe ka qenë deputet pas zgjedhjeve të 2021 për Qarkun e Fierit nga lista e PD-së, që asaj kohe drejtohej nga Basha
Edhe një emër tjetër është dhe kandidatja për deputete në listën e mbyllur të Vlorës, Zamira Sina e cila njihet për një nga fjalimet e saj virale në 2017, kur ish-Kryetari i Partisë Demokratike i asaj kohe Lulzim Basha. Sina ishte pjesë e asaj që u konsiderua ‘çadra e lirisë’ dhe atakonte Edi Ramën, që ishte kryeministër. Por duket se Sina ka ndryshuar mendim për Ramën përderisa ka pranuar ftesën për të kandiduar nën siglën e socialistëve.
Lini një Përgjigje